Dritan Hoxha

June 3, 2008 · Print This Article

TIRANE- Dritan Hoxha, presidenti i Top Media, themelues i Top Albanian Radio, Top Channel, dhe Dixhitalb humbi jetën në një aksident tragjik automobilistik sot në orët e para të mëngjesit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01. 50 minuta në Bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë, pothuajse përballë studiove të Top Channel, përballë ish ekspozita “Shqipëria Sot”. Sipas njoftimit të policisë makina Tip Ferrari ngjyrë e kuqe, me targa DK 3892 H, në pronësi të 40 vjecarit nga Tirana ka dalë nga rruga dhe pasi ka përshkuar në një hapsirë të plotë 82 metra, është përplasur me pemën 3.1 metra, në lulishten e lumit të Lanës. Për shkak të përplasjes së fortë makina është ndarë në dy pjesë dhe është shkatërruar tërësisht. Në vendin e ngjarjes, mbërritën forca të shumta policie, duke ndërhyrë menjëherë, për të dhënë ndihmën e parë 40 vjecarit. Dritan Hoxha vdiq gjatë rrugës teksa dërgohej për Spitalin Ushtarak.
Humbja eshte e pazëvendësueshme për gruan e tij Vjollcën. Dritan Hoxha do ti mungojë tre vajzave te tij Lorit, Sarës, Redias si dhe djalit të tij të vogël, Itan, i cili lindi vetëm një vit më parë.
Top Channel dhe Top Albania radio ndërpreu transmetimet e saj që ishin parashikuar në program pas konfirmimit të lajmit tragjik. Në oren 09.00, në Top Channel dhe në Top Albanian Radio u lexua një komunikatë në të cilën ndër të tjera thuhet: Padyshim humbja më e madhe njerëzore është për familjen e tij, për nënën Zyranë, e cila e rriti Dritanin, në mungesë të babait të tij, që për rastësi tragjike, ishte shuar edhe ai në një moshë të re. Dritan Hoxha u rrit mes halleve të shumta si të gjithë shqiptaret, në shtëpine e tij të parë në Laprake. Në Laprakën që e rriti si djalin e saj, Tanin, një i ri i jashtëzakonshëm, i cili merrej me shpikje teknologjike për të çarë terrin informativ që kishte vendosur regjimi komunist.” Kjo komunikatë e lexuar në median që ai krijoi mbyllej me fjalët: “Zemra e Dritan Hoxhes ndaloi në mëngjes, pikërisht pak metra larg vendit, për të cilin ajo rrihte më fort, pranë studiove të Top Channel.

Comments

Got something to say?