Një plus një baras… e famshme
October 23, 2008 · Print This Article
Për Aida Bajraktarin, fama nuk është një rastësi fatlume. Nëse fati e sjell një herë, herët e tjera duhen bërë llogaritë mirë, që mos të të rrëshqasë nga duart. Ish-velina e edicionit të parë të “Fiks Fare”, tani në një televizion më periferik, nuk ndihet aspak në periferi të vëmendjes së publikut. Përkundrazi, rrëfen se ky rikthim pa bujë është diçka e mirëmenduar. E që do t’i shërbejë për një karrierë solide.
Edhe një ditë tjetër nga më të nxehtat e kësaj vere. Në rrugët që përvëlojnë nga zhegu, askush nuk guxon të dalë për qejf, vetëm nëse duhet të mbarojnë një punë fort të rëndësishme. Për Aida Bajraktarin, një intervistë për revistën JETA është pikërisht një nga ato punë që duhet mbaruar sido që të jetë: edhe duke rendur nën diellin që djeg për të arritur në kohë te parukierja, ku për fat të keq duhet të presë në radhë; kjo e bën vapën edhe më të padurueshme.
“Për dreq, kjo e sotmja qëlloi një ditë dasmash dhe parukierja është shumë e zënë”, përpiqet të justifikohet në telefon, ndërsa duhet të ishte prej disa orësh në redaksi, kohë në të cilën duhet të kishte mbaruar punë me shërbimin fotografik dhe intervistën. Më në fund arrin të mbarojë punë me grimin dhe krehjen e flokëve. Një i kuq i fortë buzësh i jep dritë syve të mëdhenj të zinj. Flokët e krehur drejt derdhen bukur mbi supe. Edhe veshja duket në rregull. Një fustan i zi, deri në gju, i puthitur pas trupit, tregon linjat e bukura të një ish-balerine.
Duket se ia hodhi me këto andrallat e të përgatiturit për shërbimin fotografik. Në fakt, duhet të përballojë edhe një të fundit: takimi me fotografin ishte lënë në pjesën e parë të ditës, ndërsa ajo është jo pak, por gjysmë dite me vonesë. Por ajo ia del për bukuri ta çarmatosë edhe fotografin dhe padurimin e tij me një shtrëngim të fortë duarsh e një buzëqeshje plot mirësi.
Nuk ka ç’bën! Kjo intervistë është e rëndësishme për të; i duhet bërë kujdesi deri në fund. Deri më sot i ka bërë mirë llogaritë për të arritur aty ku do. Për të fama nuk është një rastësi fatlume, por një fat, që nëse vjen një herë, herët e tjera duhet mbajtur fort që të mos të ikë.
Përtej një pasioni fëmije
“Kam qenë 5 vjeç kur kam dalë për herë të parë në skenë”, nis të rrëfejë me qejf të madh, pa treguar shenja lodhjeje, megjithëse vjen menjëherë pas një shërbimi fotografik që zgjati më shumë se 3 orë. “Sigurisht që atëherë kërcimi ishte vetëm pasion, që zgjati 12 vjet. I kujtoj me shumë nostalgji të gjitha veprimtaritë që kemi bërë me Shtëpinë e Pionierit. Fëmijëria ime ka qenë e mbushur plot aktivitete dhe çmime”, tregon Aida, duke numëruar me gishtat e dorës vendet ku ka pasur fatin të udhëtojë që fëmijë për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme. “Kemi marrë shumë çmime. Në Rusi dhe Francë, për shembull, kemi zënë vendet e para me pjesët folklorike shqiptare. Por kjo i përket një periudhe më të vonë se fëmijëria”, vazhdon ajo duke treguar se vetëm 15 vjeç iu bashkua Ansamblit të Bashkisë, duke u bërë kështu edhe pjesëtarja më e re e trupës së valltarëve. Aida e kujton këtë si një periudhë të artë, të mbushur me udhëtime nëpër botë dhe me lodhjen e stërvitjes pesë orë në ditë. “Ansambli i Bashkisë ishte krijuar vetëm për shfaqje jashtë shtetit. Pjesëmarrja në aktivitete shqiptare ishte shumë e rrallë”, tregon arsyet se përse nuk është bërë e famshme për publikun e gjerë që në atë kohë. Ama ajo kohë do t’i shërbente shumë më tepër, ishte rruga e duhur për të shkuar drejt “Fiks Fare”.
Si velinë? Fiks fare
“Para se të bëja një audicion për t’u pranuar si velinë në “Fiks Fare”, isha pjesë e trupës së baletit “Albi Nako Dance”. Ka qenë Albi që më propozoi të bëja një provë. Konkurrenca ishte e madhe. Megjithëse ky audicion nuk ishte bërë publik, ishin paraqitur dhjetëra balerina për të konkurruar. Më zgjodhën mua dhe Edën, ish-kolegen time”, kujton Aida.
E sigurisht, të qenit të para femra të veshura me pantallona të shkurtra, që kërcenin e buzëqeshnin ëmbël në një emision që u bë menjëherë kult në televizionin më të ndjekur, të bën menjëherë të famshme. “Një eksperiencë nga më të bukurat”, thotë ajo. “Besoj se ajo periudhë si velinë ka qenë dhe kulmi i famës. Për mua dhe Edën shkruan edhe mediat italiane, na ftuan të merrnim pjesë në emisionin “Terra” te Canale 5, ku performuam direkt në skenë”.
Por si çdo gjë e bukur, edhe kjo e pati një fund. Pikërisht atëherë kur popullariteti qe në majë, Aida u zhduk nga ekrani… Në vend të saj dhe koleges bionde, qe radha për t’u bërë e famshme një tjetër vajzë brune dhe një tjetër vajzë bionde… Aidës i duhej të merrej me një tjetër gjë. “Aty i thashë stop baletit. Duhet t’i jepja fund një ditë; nuk kishte ç’të më ofronte më. Baleti e ka jetën e shkurtër dhe unë kisha plane të tjera në mendje: fillimisht do të shkëputesha për ca kohë nga ekrani, por jo përgjithmonë, për t’u rikthyer më e kompletuar”. Me kompletim Aida nënkupton shkollimin. I saji do të ishte për dramaturgji.
Rruga drejt famës së dytë
“Nuk kam pasur kurrë ndërmend të bëhem aktore profesioniste. Por e dija që një shkollë e tillë do të më hynte në punë për të krijuar një profil të plotë në showbiz”, tregon Aida arsyet që e shpunë në Akademinë e Arteve. E megjithëse mori pjesë në disa shfaqje, fitoi disa çmime, mbrojti temën e diplomës me notën 9 (duke interpretuar një personazh të vështirë e kompleks: Vajvara Miljallova te “Kopshti i Qershive” të Çehovit), për Aidën, dramaturgjia përfundon aty. I jep lamtumirën interpretimit me të futur diplomën në xhep. “Nuk do të ndahesha kurrë nga ekrani, por nuk kisha ndërmend ta bëja si aktore”. Synonte sigurisht botën e spektakleve dhe një vend bosh në televizionin “Alsat”, në një emision të përditshëm me lajme kulturore – që më parë ishte drejtuar nga Anjeza Maja – ishte ajo që duhej. “Kam kontaktet e mia në disa televizione të rëndësishme dhe me të zbuluar që kërkohej një moderatore për showbiz, mendova se ky ishte rasti im, një shans që nuk duhej humbur. Bëra një audicion si moderatore. Më pëlqyen, prandaj fillova menjëherë punë”, tregon ndërsa fytyra i merr gjithnjë e më shumë një shprehje kënaqësie.
Kemi arritur në atë pjesë të historisë që asaj i pëlqen më shumë. “Nuk shkova në “Alsat” për të qenë një drejtuese e thjeshtë. Prandaj propozova një projekt më të rëndësishëm se showbiz-i, që u pëlqye dhe u miratua”. Projekti i parë i rëndësishëm i Aidës titullohet “Shpirtra të lirë”, një emision i përjavshëm, me lajme kulturore nga vendi dhe bota, ku ish-velina është në rolin e skenaristes, regjisores, gazetares dhe moderatores. “Një emision që unë e kam shumë për zemër dhe ku mendoj se tregoj vlerat e mia edhe si gazetare”, përpiqet të theksojë statusin aktual ish-velina, atë të gazetares dhe të moderatores. Se sa ia ka arritur qëllimit, do ta tregojë sigurisht koha… Dhe nëse arritja apo jo e qëllimit do të mund të matej me nivelin e famës, Aida është e ndërgjegjshme që kjo e tanishmja nuk mund të krahasohet me të dikurshmen. Por kjo pak rëndësi ka për të. E rëndësishme është që ajo të rikthehet në qendër të vëmendjes. Prandaj ia vlen, madje shumë, të lërë qetësinë dhe freskinë e shtëpisë për t’u marrë me një intervistë.




Comments
Got something to say?