Kur e diela është “E diell”

January 11, 2009 · Print This Article

PDF Shtypni e-mail

Ngjan me një ditë të tmerrshme pune. Por tre këngëtaret e vogla të spektaklit të së dielës në drekë në Top Channel nuk kanë se si të ankohen. Madje kanë rastin e artë të karrierës së tyre: të jenë brenda ekranit, jo jashtë tij duke bërë zapping me pult në dorë

Foto: Blerta Kambo

E diel… (në përgjithësi)

9.30. Zgjimi. Një ritual që mund të zgjasë më shumë se një orë.

10.30 (a diçka më shumë). Të ngrihesh apo të mos ngrihesh nga krevati? Kjo është çështja! Sepse në një ditë pushimi si kjo, vogëlsira të tilla shndërrohen në çështje të mëdha. Se mos është ndonjë punë tjetër për t’u bërë! Më në fund është e diel!

E Diell…

07.00 (fiks). Zgjimi.

07.05. Në këmbë. Një minutë më shumë bëhet një vonesë e madhe.

07. 30. Në tryezën e bukës (ku konsumohet një mëngjes i shpejtë).

08.00. Shpejt! Shpejt! Duhen përgatitur këngët.

10.00. Me vrap para dyerve të Top Channel-it.

10.30. Gati për prova. Nesër është e Diell.

Nëse për disa e diela është ditë pushimi, për të tjerë është një e Diell pune. Nis herët në mëngjes e përfundon vonë në darkë. Asnjë nga stafi i së Diellës nuk ankohet ama. Fundja, për ta është një ditë e zakonshme pune, që ka rastisur të jetë e diel. Nuk ankohen as tre protagonistet më të reja: Kejsi Tola, Dorina Garuci, Dorina Xërxa. Ngrihen që herët në mëngjes, përgatisin këngët që iu janë caktuar nga maestro Gjoni, vijnë me një frymë para dyerve të Top Channel-it për prova, për grimin, për veshjen. Të dielën këndojnë live gjatë një spektakli që ndiqet nga mijëra shqiptarë e që zgjat jo pak, por plot 6 orë.

Për fat të keq, e diela e tyre nuk mbaron këtu. Ka një raund të dytë punësh të bëra me një frymë. Kthehen në shtëpi, konsumojnë një darkë të shpejtë, ia mbathin në dhomën e tyre, studiojnë deri në orët e vona të natës, sepse të nesërmen i pret një ditë tjetër e ngarkuar me mësime. Asnjëra nuk ankohet. Shqetësimin e vetëm duhet ta kenë këngëtarë të tjerë, që të dielën e kalojnë me pult në dorë e frikësohen se ndoshta kështu ka për t’i zënë edhe pleqëria. E nëse te “E Diell” do të ketë prurje të tilla këngëtarësh të talentuar, më të vjetrit, në mos kanë për të dalë në pension shumë herët, kanë për të mbetur shpejt pa punë.

Tre adoleshente në garë

Për tre ish-etheistet në fakt kjo mund të duket një ëndërr e bukur: një vit më parë ishin askushi, kurse tani imazhi i tyre është i pranishëm të dielave në drekë në shtëpitë e gjithë shqiptarëve. “Por unë kam qenë që më parë e njohur”, bën një përjashtim Dorina Garuci, 15-vjeçarja nga Shkodra, duke kujtuar se 5 vjet më parë ajo ka qenë pikërisht “Talenti 10-vjeçar nga Shkodra, që fitoi edicionin e parë të Gjeniut të Vogël”. E nëse publiku e mban mend fituesen e Gjeniut, me siguri ka harruar një fakt interesant. Në të njëjtin vit, një prej 10 finalisteve te “Gjeniu i Vogël” quhej Kejsi Tola, e cila në fakt doli fituese e Edicionit të fundit të Etheve. Dy mikeshat-rivale duket sikur kanë ndjekur njëra-tjetrën në një garë pa fund kënge. Ashtu siç ndodh në një garë me makina, ku xhiroja e finishit do akoma kohë të vijë. Sepse nëse Dorina fitoi “Gjeniun e Vogël”, Kejsi Tola 5 vite më vonë fitoi Ethet.

Suksesin dhe rëndësinë e Etheve e kuptuan shpejt edhe shqiptarët e Kosovës, të cilët vit pas viti, shtuan radhët e konkurrentëve. Dorina Xërxa do të bëhej njëra prej tyre. “Por nuk hyra me mendimin thjesht për të qenë pjesë e garës. Sepse prej kohësh këndoja në klube live në Kosovë dhe e dija që talenti nuk më mungonte. Hyra e sigurt dhe me vetëbesim, pavarësisht se ka qenë një vendim i marrë në momentin e fundit. Atë ditë Ethet kishin mbërritur në Fushë-Kosovë, shumë pranë qytetit të Gjakovës, ku unë jetoja me familjen. Kështu konkurrova dhe përfundova në finale”, thotë Dorina Xërxa, 18 vjeç, e cila, pasi mbërrin në Tiranë, vendos të mos largohet më prej këtij qyteti. Mori një apartament me qira në një qytet të madh e deri pak kohësh fare të panjohur. “Në fillim më mungonte shoqëria, familja”, thotë gjakovarja që është motër e vetme mes dy vëllezërish.

Rrokerja ka edhe një grup muzikor të vetin. “Luajmë muzikë rrok, sigurisht që luajmë rrok”, përsërit për të rikonfirmuar orientimin drejt muzikës rrok. Tendencat drejt kësaj rryme i manifeston edhe nëpërmjet veshjes. Vishet gjithmonë me të zeza, përdor një laps të zi për të konturuar fort sytë. E adhuron këtë lloj muzike aq sa, megjithë impenjimet e shumta me shkollën dhe spektaklin “E Diell”, fundjava e zë gjithmonë duke kënduar live bashkë me grupin në klube nate në Tiranë. Sepse ofertat kanë qenë vërtet joshëse.

Por edhe dy këngëtaret e tjera kanë pasur oferta të ngjashme. Ethet në fakt, kanë shërbyer si një trampolinë për të promovuar shumë këngëtarë të rinj, si Kejsi Tola dhe Dorina Garuci.

Dy rivalet e vjetra vërtet që nuk kanë krijuar ndonjë grup e as e kanë ende pavarësinë e Dorina Xërxës, por kanë pasur fatin që brenda pak muajsh të shndërrohen në këngëtaret më të kërkuara të tregut muzikor: klubeve të natës e spektakleve të mëdha televizive, siç është edhe “E Diell”. Kanë fatin që e ëndërrojnë shumë këngëtarë, edhe ata me më shumë vite eksperiencë. Madje, kanë edhe luksin e refuzimit. “Kam pasur oferta për të kënduar në koncerte të ndryshme që janë organizuar në Shkodër. Disa i kam pranuar, të tjera jo. Për mua shkolla ka më shumë rëndësi”, tregon Dorina Garuci. 15-vjeçarja është nxënëse e shkollës “Prenk Jakova” në Shkodër, ku studion për violinë. “Edhe të ardhmen nuk e shoh të shkëputur nga ky instrument muzikor, po aq sa dua ta shoh të lidhur me këngën”.

Në pushtim të ekranit

Në Tiranë, ofertat për këngëtarët janë më shumë të një lloji tjetër. Për aq kohë sa janë në lulëzim të plotë klubet e natës ku luhet muzikë live, Kejsi, ofertat më të mëdha i ka pasur nga ambiente të tilla. E nëse për një këngëtar tjetër oferta të tilla do të ngjallnin zili të madhe, Kejsi i ka refuzuar të gjitha, pa u menduar gjatë. “I kam refuzuar të gjitha. Nuk më interesojnë”, thotë 16-vjeçarja, nxënëse e liceut artistik “Jordan Misja” në Tiranë. “Studioj në degën e kantos. Studioj sidomos për të kënduar muzikë klasike, që është një zhanër shumë i vështirë”. Për shkak të shkallës së madhe të vështirësisë që kërkon kapërcimi nga muzika klasike në muzikën e lehtë, talente si ajo konsiderohen të rrallë, siç janë vlerësuar më parë Jonida Maliqi apo Mariza Ikonomi.

Por Kejsi nuk preferon të krahasohet as me njërën, as me tjetrën. Nuk dëshiron të imitojë as këngëtare të mëdha, si Whitney Houston, Mariah Carey, Leona Lewis, Barbara Streisand etj., etj. Mjaftohet të këndojë këngët e tyre, ashtu si edhe dy mikeshat e saj.

Tre këngëtaret sjellin performanca individuale të këngëve të njohura, interpretime, të cilat Adi Krasta te “E Diell” i ka quajtur “Të shkëlqyera”.

E nëse vajzat vazhdojnë të shkëlqejnë siç kanë bërë deri më sot, ka shumë gjasa të spostojnë nga ekrani shumë këngëtarë më të vjetër, madje edhe nga ata që nuk e kanë mbushur ende moshën për pension.

Comments

Got something to say?