Pikë e presje sipas modës

September 29, 2008 · Print This Article

Pikë e presje sipas modës

 

Një model i ri flokësh, që ka tunduar edhe ato që vështirë se do mund t’i shihnim ndonjëherë me flokë të shkurtër. Por ja që ndodh edhe që të vësh gërshërën mbi flokë për hir të një modeli tendencë. Siç kanë bërë personazhet e ekranit dhe nuk janë dukur aspak keq

 

 

Nuk kanë luajtur kurrë lojë të fortë me flokët. Gërshëra mund të ketë shkurtuar maksimumi dy centimetra. Përjetësisht i njëjti model, me ndonjë ndryshim të vogël në ngjyrë ose në balluke. Ja që u desh moda e flokëve të sivjetshme, prerë e stiluar me presje, që t’i shihnim me flokë të shkurtuar edhe ato që nuk i kishim parë kurrë. Ndoshta sepse u ishte mërzitur modeli përherë i njëjtë. Ndoshta sepse kishin dëshirë për t’u bërë pak trendy ose ndoshta sepse po vjen stina e ngrohtë dhe flokët e shkurtër janë më të rehatshëm. Po pak rëndësi ka arsyeja. Ky stil duhet imituar.

 

Mariza Ikonomi

Le të dilte sa të donte moda me kaçurrela me fije a me stilime nga më të ndryshmet. Mariza Ikonomi nuk është joshur kurrë nga tendencat e parukerisë, siç kanë bërë të gjitha shoqet e saj. Por s’ka pak muaj që edhe Mariza u dorëzua dhe u vuri gërshërën flokëve të saj përjetësisht të gjatë. Ama balluket nuk i ngacmoi.

 

Zana Çela

Që në kohën e hit paradave të këngës në televizionin shqiptar, flokët e Zanës nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim për t’u mbajtur mend. Përveç ngjyrave, gjatësia dhe modeli kanë mbetur thuajse të njëjtë. Por një model, që askush nuk mund të thotë se nuk i ka shkuar për shtat. E ja, pas shumë vitesh në ekran, Zana Çela vendosi të ndiqte modën e këtij viti. Dhe flokët u shkurtuan.

 

Katie Holmes

Shumë thanë se shoqëria e ngushtë me Victoria Beckham e kishte bërë punën e saj. Ndaj edhe Katie u shfaq befas një ditë me modelin aq të ngjashëm me të Victoria-s. Po ç’rëndësi ka nëse e ka kopjuar apo jo. Me modelin e saj të ri të flokëve, gruaja e Tom Cruise-it duket se ka rilindur. Dhe ka pushtuar krejt papritur faqet e revistave, që e klasifikojnë si një fashioniste të thekur.

 

 

Eli Fara

Sikur të mos ishte për këtë foton, me siguri asnjë nuk do ta kishte besuar se edhe Eli Fara ka marrë guximin të presë flokët. Gati nuk numërohen vitet gjatë të cilëve supet ia mbulonin flokët e gjatë, rigorozisht të drejtë e të zinj pis. Por kur tendencat kalojnë më parë nga Nju Jorku, edhe tek Eli do të trokisnin me patjetër, qoftë edhe për ta bindur për një ndryshim jo pak të madh.

 

Victoria Beckham

Për sa kohë që veshja e saj klasifikohej përherë në vendin e parë të yjeve të veshura më bukur, askush nuk merrej me modelin e flokëve të Victoria-s. Një model si gjithë të tjerët: flokë gështenjë, të gjatë, herë me onde të mëdha e herë të drejtë. Por sapo fotot e saj me flokë të shkurtër pushtuan revistat, vëmendja u përqendrua menjëherë tek koka. Dhe këtë vit Victoria ishte sërish e para. Por në hit paradën e të veshurave më keq.

 

 

Rihanna

Ndoshta ajo mund të quhet edhe shpikësja e këtij modeli. Sepse ishte ndër të parat që u shfaq me modelin që bëri epokë e që duket se i zilepsi që të gjitha, madje edhe ato që kurrë më parë nuk kishin guxuar që të vinin dorë mbi flokët. Ndërkohë, Rihanna vazhdon ende ta shijojë suksesin e modelit të saj.

 

 

Enada Hoxha

Flokët e një balerine duhet të jenë detyrimisht të gjatë. Sepse janë më të lehtë për t’u kapur e stiluar nëpër skenat e baleteve klasike. Dhe Enada Hoxha i ka mbajtur përherë të tillë, në gjatësi poshtë supeve. Por ja që modeli i ikonave, stiluar me presje, nuk mund ta linte indiferente. Ndaj, për herë të parë primabalerina do të shfaqej me një look që ndoshta nuk do të përsëritet më. Flokët kanë filluar t’i zgjaten sërish.

 

Box

Ingrit Gjoni

Në fakt, këto nuk janë flokët e saj origjinalë. Bëhet fjalë për një paruke, që Ingriti e ka përdorur në klipin e saj më të fundit. Ama ato flokë mund të ishin edhe ngjitur pas kokës, mund të ishin edhe të një modeli tjetër. Por jo! Janë pikë për pikë sipas modelit që së fundmi i ka infektuar të gjitha. Ndoshta kjo është një provë, para se Ingriti të vendosë t’i shkurtojë flokët e saj gjithmonë të gjatë.

 

Comments

Got something to say?