Babai Perdhunon Vajzen
June 3, 2008 · Print This Article
Babai më përdhunon prej 11 vitesh. Nuk mundem të duroj më këtë gjendje. Kam tentuar disa herë të vras veten. Nuk kisha forcë ta denoncoja krimin se më kërcënonte mua dhe nënën”. Rrëfimi rrëqethës i një 18-vjeçareje nga Kukësi me banim në fshatin Laknas në periferi të kryeqytetit, ka ngritur në këmbë policinë. Brenda pak orësh në pranga ka përfunduar babai monstër, 58-vjeçari Ramadan Isufaj. I akuzuari për krimin makabër ka mohuar kategorikisht të ketë përdhunuar vajzën e tij. Duke parë dy qëndrime të kundërta, të vajzës që pretendon se është viktimë e përdhunimit, dhunës fizike dhe psikike të babait të saj, si dhe mospranimin e akuzës nga 58-vjeçari, burime policore thanë se po hetojnë për vërtetësinë e denoncimit të 18-vjeçares. Sipas të njëjtave burime, denoncimi mund të jetë bërë dhe për ndonjë hakmarrje të mundshme ndaj Isufajt, kjo për faktin se vetëm një javë më parë ai ka pohuar se ka gjetur gruan e tij, Shpresa në shtrat me një person tjetër.
Denoncimi
Me lot në sy, tejet e terrorizuar, 18-vjeçarja ka mbërritur në komisariatin nr.5 të policisë, ku ka denoncuar për përdhunim babanë e saj, Ramadan Isufaj. Vajza ka pohuar se është përdhunuar nga i ati që në moshën 7-vjeçare. Sipas policisë, për 11 vite me radhë 58-vjeçari dyshohet se në mënyrë sistematike ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën, duke e kërcënuar se do ta vriste nëse e denonconte. Madje, duke mos duruar turpin si dhe dhunimin nga i ati, 18-vjeçarja ka tentuar të vetëvritet disa herë. Pasi kanë marrë rrëfimin e të dhunuarës, specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Krimeve Seksuale dhe Lirisë së Personit, kanë mbërritur në shtëpinë e Ramadan Isufajt duke i vënë prangat kryefamiljarit. Babai i katër vajzave, më e vogla prej tyre 15 vjeçe, akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe ndaj bashkëshortes së tij, Shpresa Isufaj, 43 vjeç. Në fakt, vetë i akuzuari pretendon se denoncimi ndaj tij është bërë me qëllim nga vajzat, për fshehur tradhtitë e së ëmës.
Hetimi
Dyshimet e forta se denoncimi ndaj 58-vjeçarit është bërë me qëllim që të fshihet tradhtia bashkëshortore, ka bërë që policia të hetojë në disa pista. Për të zbardhur historinë e ndodhur në familjen kuksiane, së pari policia do të vërtetojë nëse vajza është përdhunuar sistematikisht. Ekspertiza e mjekoligjorëve do të hedhë dritë mbi këtë fakt. Një tjetër pistë që po hetohet është dhe fakti i denoncimit për të shpëtuar të ëmën. Aktualisht mbi supet e babait të katër vajzave rëndojnë akuzat e “kryerjes së marrëdhënieve seksuale në gjini ose nën kujdestari”, “shkaktim të vetëvrasjes së mbetur në tentativë” dhe “dëmtimeve të tjera me dashje”.




Comments
Got something to say?