Dhëmbi i parë i bebit tim

October 16, 2008 · Print This Article

Dalja e dhëmbëve është një nga shqetësimet më të mëdha. Mësoni si të kujdeseni për bebin, nga shenjat e para, te përdorimi i furçës së dhëmbëve

 

Image

 

Për disa, dalja e dhëmbëve është një proces i gjatë dhe i dhimbshëm, për të tjerë është histori që zgjat një natë. Dalja e dhëmbëve zakonisht fillon rreth moshës 7 muaj, për disa fillon shumë më shpejt ose më vonë. Të parët dalin dy të mesit poshtë, më pas ata të mesit lart, pastaj dhëmbët anash tyre, fillimisht poshtë dhe pastaj prapë lart. Plasja e dhëmballës shkakton një ngjyrë të mavijosur, por kjo është normale.

 

Si mund ta kuptoni ju që bebit po i dalin dhëmbët? Nga disa shenja të veçanta:

 

Skuqja e fytyrës dhe e mjekrës, ngaqë lëkura laget nga jargët. Për të parandaluar këtë, fshijeni shpesh bebin që lëkura të mbetet e thatë.

Pak kollë. Pështyma  e tepërt shkakton kollë. Mos u shqetësoni nëse bebi nuk ka ndonjë shenjë tjetër ftohjeje apo alergjie. Bebi vazhdon të kollitet, sepse i duket një lojë me zërin.

Kafshimi. Bebi kafshon çdo gjë që i zë dora, që nga dora e vet, gjirin, gishtin e ndonjë të panjohuri, sepse kjo lehtëson dhembjen.

Dhembja. Ka bebe që kanë mjaft dhembje dhe të tjerë që nuk paraqesin asnjë lloj dhembjeje.

Irritimi. Dhembja e vazhdueshme bën që bebi të ndryshojë dhe të irritohet, ashtu si çdokush që vuan nga dhembjet.  

Mospranimi i ushqimit. Bebi duket i uritur, por kur fillon të thithë, dhembja dhe sikleti shtohet, ai shkëputet nga gjiri apo shishja, që i donte shumë më parë. Kjo gjë përsëritet dhe bebi do të ushqehet, por më pas nuk pranon.

Jashtëqitjet e ujshme. Daljet jashtë më të holla mund të shkaktohen nga sasia më madhe e pështymës që prodhohet dhe gëlltitet. Por, nëse bebi del hollë për më shumë se dy herë, duhet të konsultoheni me mjekun pediatër.

Temperatura (37-38 0C) Mjekët s’e pranojnë, por shpesh dalja e dhëmbëve shoqërohet me temperaturë, për shkak të përskuqjes në vendin e daljes së dhëmbit. Konsultohuni me pediatrin, nëse temperatura vazhdon për më shumë se 3 ditë.

Çrregullimet e gjumit. Shpesh, nga dhembja e daljes së dhëmbëve, fëmijës i trazohet edhe gjumi.

Fryrja e mishrave të dhëmbëve. Këshillohen kompresa të ftohta për të ulur vështirësitë.

Tërheqin veshët ose fërkojnë mollëzat. Shpesh dhembja e dhëmbëve shpërndahet në veshë dhe mollëza dhe bebi tërheq veshët ose fërkon mollëzat herë pas here.

Duan të përtypen gjithë kohën. Duhet t’i jepen banane të ngrira, akull të futur në një napë, lodra plastike etj. Edhe thjesht një fërkim i mishrave me to, e lehtëson dhimbjen. Gjithashtu, edhe një fetë molle e ftohtë, e mbështjellë me një napë, mund të ketë efekt qetësues, nëse e vendosim mbi zonën e acaruar.

 

Duan të pinë lëngje të ftohta

Duan të hanë gjëra të ftohta  

Kur asgjë nuk e ul dhembjen, mund të përdorni Paracetamol (Tempra Tylenol). Mos përdorni pije alkoolike, se janë një helm i rrezikshëm për bebin. Edhe një provë e vetme mund të bëjë që bebit t’i pëlqejë dhe të mësohet me to.

 

 

Higjiena e gojës duhet të fillojë te bebet që me daljen e dhëmbit të parë, kur dhëmbi dhe mishrat e dhëmbëve duhet të pastrohen me një garzë të pastër e të lagur. Nga fundi i vitit të parë të jetës, kur bebi ka rreth 8 dhëmbë në gojë, ai duhet të fillojë larjen e dhëmbëve  me furçë dhe me pak ujë. Goja e fëmijës përmban miliona baktere, duke përfshirë edhe streptokokun, i cili është përgjegjës për fillimin e krimbjes së dhëmbëve. Kur një prind fut në gojën e vet lugën me të cilën ai ushqen bebin, rreziku shtohet, sidomos kur edhe vetë prindi ka dhëmbë të prishur. Për këtë arsye, vizita  e parë e fëmijës tek dentisti duhet të bëhet në moshën 12 muaj.

 

Dieta e ushqyerjes ka gjithashtu një rëndësi shumë të madhe për dhëmbët e fëmijës. Në studimet e fundit rekomandohet që qumështi i gjirit të jetë ushqimi i vetëm për fëmijët deri në 6 muaj. Ushqimet e forta mund t’i fillohen fëmijës rreth moshës 6-8 muajsh, zakonisht mbasi fëmijët të kenë fituar një kontroll të mirë të kokës dhe qafës. Në këtë fazë mund të fillohet me miell orizi dhe më vonë me fruta  e perime të shtrydhura. Fëmijët nuk duhet të lejohen që të përdorin për një kohë të gjatë shishe me thithje. Prirja e lëngjeve të frutave për një kohë të gjatë ka të ngjarë të shkaktojë krimbje. Jo vetëm prishja e dhëmbëve, por dhe kequshqyerja dhe shtati i shkurtër janë të lidhura me përdorimin e tepërt të tyre. Duhet që lëngu i frutave t’u jepet në filxhan (jo në biberon) dhe të pihet gjatë ditës, jo para se bebi të vihet në gjumë.

Zakoni i gishtit në gojë

Mbijetesa e fëmijës varet nga aftësitë për të thithur e jo vetëm kaq, por me anë të gojës bebi njeh botën që në barkun e nënës foshnjat thithin gishtin e madh të dorës dhe ky zakon vazhdon edhe më pas, kur bebi për të qetësuar veten (kur është i lodhur apo i mërzitur), fut gishtin në gojë. Në përgjithësi fëmijët heqin dorë vetë nga ky zakon rreth moshës 4 vjeç. Po të vazhdojë ky zakon deri në kohën kur dalin dhëmbët e përhershëm, ekziston rreziku  që të shkaktohen shformime të qiellzës  e të dhëmbëve. Shkalla e dëmtimit varet nga frekuenca, intensiteti, kohëzgjatja e mbajtjes në gojë të gishtit, si dhe pozicioni. Ky zakon mund të ndikojë gjithashtu dhe në defekte të shqiptimit. Frenimi me dhunë i këtij zakoni mund të shoqërohet me probleme në të mësuar, urinimin në shtrat, apo fillim i zakoneve të reja në periudha të mëvonshme.

Nëse fëmija juaj mban gishtin në gojë pas moshës 4 vjeç, ndiqni këshillat e mëposhtme:

Në vend që t’i bërtisni fëmijës kur fut gishtin në gojë, lavdërojeni atë kur nuk e mban gishtin në gojë.

Nxisni fëmijën që të përdorë të dyja duart për të ngjyrosur, për të plotësuar lojëra formuese apo për të bërë gjithçka që mund të mbajë duart  e  tij në aktivitet.

Për ditët që fëmija nuk e fut gishtin në gojë duhet t’i jepni diçka që ai e pëlqen, t’i tregoni një përrallë më shumë, t’i dhuroni një libër.

Nëse fëmija e ka zakon që ta mbajë gishtin në gojë natën, atëherë jepini një lodër.

Fëmija duhet të kujtohet që është mirë mos ta fusë gishtin në gojë. Një fasho rreth gishtit mund ta ndihmojë.

Comments

Got something to say?