Po ta them troç…
September 29, 2008
Është mësuar t’i thotë gjërat veçse kështu: hapur dhe ashtu siç i mendon, edhe kur bëhet fjalë për biznesin e tij, edhe kur bëhet fjalë për të dhënë gjykimin si i ftuar në një reality show. Dhe menjëherë ka qëlluar në shenjë. Fare pa e dashur protagonizmin, i ka mbirë vetë në derë dhe ja tek është kthyer menjëherë në një personazh simpatik, interesant, karizmatik… që ka maninë për t’i thënë gjërat troç
Klaudeta Skënderasi
“Që të ta them troç, nuk më duket se jam personi i përshtatshëm për të dhënë një intervistë. Nuk mendoj fare se bëj pjesë në personazhet e njohur. Pastaj njerëzit do kujtojnë se për të dalë këtu, unë kam shfrytëzuar miqësinë me kryeredaktoren. Le që kjo është një revistë për femra, ç’dua unë këtu? Foto? Jo, jo, nuk pozoj dot unë. Shiko, e lëmë fare më mirë. Të falënderoj shumë, të lutem, mos mendo se jam duke u përkëdhelur, por që të ta them hapur, nuk e ndiej veten aspak komod në këtë pozicion”.
Ja, kështu filloi ajo që u nis për një intervistë me një nga personazhet (ai le të mendojë ç’të dojë, ne jemi të bindur se është një personazh i njohur) më të rinj televizivë, që ka tërhequr jo pak vëmendjen. Është ai burri me syze (pikërisht kështu u shpreh për veten, duke mos besuar aspak se njerëzit qenkan kaq të vëmendshëm sa të mbajnë mend emrin e tij), që del të shtunave në “Big Brother” dhe bën rolin e opinionistit. Quhet Armand Peza, shkurt Mandi, shkurt ai që i bie shkurt dhe thotë ato që thotë. Flet pikërisht atë që mendon, pa mbajtur anën e askujt, pa bërë nga ato që quhen furça dhe u duk që në fillim se mendimet e tij ishin vërtet shumë, po shumë interesante. Sepse ai ka një argument të mirë për të gjitha ato që thotë. Sigurisht, i ka ca argumente edhe për të të mbushur mendjen se përse nuk është i bindur për të qenë personazhi i radhës në revistën “Jeta”. “Ky është një moment i përkohshëm, që do të zgjasë deri në fund të majit. Unë do të vazhdoj të quhem edhe për pak kohë ai burri me syze që flet mirë dhe pastaj, sigurisht që do të harrohem. Kështu që nuk dua të marr vrull kot dhe të rrezikoj që e gjitha kjo pastaj të më kthehet në bumerang që mund të dëmtojë punën time (puna e tij është të administrojë sallonin “Geraldina Sposa”, që është edhe pronë e tija)”. OK, i japim të drejtë, s’mund të bëjmë ndryshe, kjo është e vërtetë. Por a nuk është e vërtetë edhe kjo tjetra, që salla e spektaklit “Big Brother” nuk pipëtin kur Mandi flet, sepse jep një mendim shumë interesant, pa dorashka për atë ç’ka po ndodh aty brenda? “Unë i gjykoj të tjerët duke u bazuar tek kultura ime dhe nuk e quaj fare një mendim absolut, por fakti që të tjerët gjejnë veten tek ato që them, do të thotë që unë paskam një kulturë komune. Kjo më pëlqen”. A nuk është përzgjedhur ai si i vetmi në panelin e opinionistëve që nuk zëvendësohet asnjëherë? “Në fakt, unë u gjenda aty në natën e parë të spektaklit për të bërë një “qokë”. U vendos që unë të qëndroja deri në puntatën e fundit, për ca arsye që nuk i di. Nuk mund të mohoj që kjo s’ma përkëdhel sedrën, por më vë edhe para një përgjegjësie të madhe”. A nuk është e vërtetë që ai ka tërhequr vëmendjen po aq sa formati televiziv dhe publiku e pëlqen, madje edhe i buzëqesh kur e ndesh në rrugë? “Po, kjo është e vërtetë. Më ndodh që shumë njerëz që nuk i njoh më përshëndesin. Në fillim, mendoja se ishin klientë dhe, pasi ua ktheja përshëndetjen, mendoja: Pse s’e mbaj mend unë këtë tipin?”. Ja pra ku janë të gjithë argumentet se përse nuk është aspak e tepërt që për Mandin të rezervohen ca faqe në revistë. Sepse neve na duket nga ata të paktët njerëz karizmatikë, që na pëlqen kur flet e që mbi të gjitha i thotë të gjitha gjërat ashtu siç i mendon, pa u shtuar e pa u hequr asnjë presje dhe, për hir të së vërtetës, njerëz të tillë ndeshen aq pak këto kohët e fundit.
Më në fund bindet, pasi kërkon edhe një herë ta qetësosh se kjo që po bën nuk është paska e tepruar e, pasi merr edhe ca herë në telefon kryeredaktoren për “t’i qarë hallin”, më në fund rehatohet dhe pranon të flasë. Si gjithmonë hapur, për të gjitha pyetjet që i drejtohen, pa harruar të theksojë se kjo që po ndodh së fundmi nuk e ka përfshirë ende. Vazhdon si përherë të bëjë jetën e tij normale, t’i përkushtohet punës e të bëjë gjërat që ka bërë gjithmonë, me ndryshimin e vetëm se javët e fundit nuk ka më të shtunë.
E megjithatë, të jeni të bindur që edhe ne nuk është se do rrezikonim të lançonim një personazh që mbiu krejt papritur nga hiçi. Ata që kanë kujtesë të fortë, me siguri e kanë dëgjuar shpesh emrin e Armand Pezës. Për shembull, ata që kanë ndjekur radionovelën “Rruga me pisha” në Radio Tirana, duhet ta dinë mirë se për tetë vjet me radhë ka qenë ai një nga skenaristët e të gjitha puntatave. Ata që i mbajnë mend mirë të gjitha spektaklet e “Miss Shqipërisë”, duhet të kujtojnë se në vitin 2005 ka qenë pikërisht Mandi ai që ka drejtuar (“Për këtë, të them të drejtën nuk jam fort krenar”, shprehet për eksperiencën e tij si prezantues). Ata që kanë ndjekur, në mos gjithmonë, të paktën ndonjëherë, ndonjë seri të telenovelës së parë të dubluar në shqip, apo “Jurassic Park”, apo edhe filmat e animuar, e kanë dëgjuar me siguri zërin e tij. Janë gjithsej rreth 40 personazhe që identifikohen me zërin e Mandit. Por me siguri që ajo që e identifikon më shumë me veten është salloni i tij i fustaneve të nusërisë, që merret edhe me organizimin e eventeve. Epo çne një mashkull të merret gjithë ditën e ditës me fustane tyli të bardhë, vello, zhupone, sandale e gjithfarë çingërrimash të tjera grash? “Kjo është një punë që ka të bëjë me menaxhimin, me marketingun, është një punë e vërtetë dhe voluminoze, që s’ka lidhje me të qenit burrë apo grua dhe ajo që për mua ka qenë hobi është kthyer në profesion. Veçse që të arrija këtu ku jam sot, më është dashur të punoj jo pak. Në fillim, kur më lindi ideja për të hapur një dyqan me fustane nusërie, të parin në Tiranë, më është dashur të lyej vetë muret, të vendos vetë pasqyrat, të bëj instalimet, madje t’u ktheja edhe përgjigje të gjithëve atyre që më thoshin: çfarë do bëhet këtu, dyqan për fustane nusërie? E ç’kuptim ka kjo? Edhe një komshia ime ka fustane që i jep me qira dhe as që ka dyqan fare”. Por ja që na doli që ky ishte një biznes i vërtetë dhe shumë fitimprurës madje.
Duhet të jetë punë e bukur kjo e Mandit, si një jetë pas tylesh transparentë zbukuruar me lule, fjongo, xixa… shumë interesante, përjashto faktin që ke të bësh me gratë, që mezi vendosin të blejnë një palë çorape e jo më pastaj të zgjedhin tak-fak fustanin e ditës së tyre të madhe. “Mund të duket punë shumë e bukur, dhe jo se nuk është, por ama edhe shumë e lodhshme, sepse kjo është një sipërmarrje më vete, që kërkon gjithë përkushtimin e mundshëm, kohën gjithashtu. Shtëpia më mbledh vetëm në orët e vona të natës. I detyrohem shumë vajzës sime të vogël, që nuk e shoh thuajse fare. E lë në gjumë dhe e gjej po në gjumë. Shkëputem vetëm pak në drekë, kur më merr malli shumë për të. Sa për ato tekat e grave, ua kam marrë dorën më së miri”. Po a imagjinoni dot një njeri si Mandi, që nxjerr nga goja fjalën ashtu siç i vjen për momentin, domethënë që i thotë gjërat troç, në krye të një biznesi ku të duhet të bësh lajka e të mbushësh mendje? Ja për shembull, një vajzë e re troket në derën e tij për të zgjedhur fustanin e nusërisë. Ka menduar për atë fustan kushedi për sa kohë, ka krijuar një ide fikse dhe kur e gjen tamam siç e kishte ëndërruar, hidhet përpjetë nga gëzimi kur… pikërisht në atë kohë hidhet dhe Mandi dhe i thotë: jo, jo të rri shumë keq, skandal! (Se ai nuk lodhet të mendojë gjatë për të gjetur ndonjë fjalë pak si më të përshtatshme, pas si më të butë. Qëllon që me të parën ashtu siç i vjen). “Epo vajzat duhet ta kuptojnë që unë nuk jam aty për të gjetur defekt, por për të thënë atë që vë re dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë se si mund të eliminohet defekti dhe si mund të dalë përfundimi sa më mirë”. Ndoshta në fund edhe ato dalin të kënaqura. Ashtu siç dalin të kënaqur edhe banorët e “Big Brother”-it dhe nuk u ngelet qejfi nëse Mandi u thotë ndonjë gjë të hidhur pa iu dridhur aspak qerpiku. Ja, ndërsa ishim ulur për të biseduar në një lokal, kalon pikërisht njëri nga banorët e eliminuar që e përshëndet me shumë përzemërsi. E pra, nuk qenka dhe aq keq t’i thuash gjërat siç të vijnë, pa u ardhur rrotull e rrotull. “Unë mendoj se të rrish të merresh me lustra, furça e shkëlqime është kohë e humbur. Më mirë bjeri ballit që me të parën, por gjithmonë kur e ke një argument të fortë. Sepse argumenti ka aq forcë sa mund të rrënojë një forcë”. Ama edhe ne i kishim ca argumente për t’i mbushur mendjen Mandit dhe… ja ku u bë!
Rrihen 2 Gjimnaziste per nje Djal
June 3, 2008
Maturantja rreh me gurë dhe shishe për të dashurin, rivalen e vitit I
Dyshimet se i dashuri mund ta tradhtonte me një tjetër, ka provokuar sherr dhe ushtrim dhunë mes dy nxënëseve të dy shkollave të mesme të qytetit.
Maturantja Toneta Sinjari mësohet të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj një gjimnazisteje të vitit të parë në një tjetër shkollë, pasi dyshonte se ishte lidhur me të dashurin e saj.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Beratit, ku 18 vjeçarja, banorë e lagjes “30 Vjetori” në këtë qytet, ka rrahur 16 vjeçaren Aurora Veizi, sapo kjo e fundit ka dalë nga mësimi.
Nxënësja e vitit të parë në shkollën pedagogjike ka qenë duke dalë nga oborri i shkollës në kohën që është shfaqur maturantja e shkollës “Shyqyri Lakra” e cila e ka akuzuar nxënësen e vitit të parë se ishte lidhur me të dashurin e saj dhe se duhet të hiqte dorë nga kjo lidhje.
Kjo ka qenë arsyeja që mes dy gjimnazisteve ka nisur sherri me fjalë, duke ia lënë vendin më pas dhunës.
Maturantja mësohet të ketë rrahur gjimnazisten me mjete rrethanore.
Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur për gazetën se, 18 vjeçarja nuk ka ngurruar të përdorë mjetet të rastësishme, gur dhe shishe për të qëlluar në trup e kokë nxënësen e vitit të parë dhe është dashur vetëm ndërhyrja e nxënësve të tjerë dhe banorëve të lagjes periferike për të mbyllur sherrin.
Ndërkohë që maturantja është larguar qetësisht nga vendi i ngjarjes, 16 vjeçares i është dashur të mbërrijë në spital për ndihmë mjekësore.
Sipas mjekëve, vajza është paraqitur me plagë në kokë dhe shenja dhunë në trup dhe ka marrë ndihmën e bluzave të bardha.
Policia tha se ka marrë në pyetje dy vajzat në lidhje me ngjarjen dhe do të presë rezultatet e një raporti mjekësor në lidhje me akuzën për dhunën e ushtruar ndaj 16 vjeçares, për të vendosur nëse do të vazhdojë hetimet ndaj maturantes dhunuese.
Kuzhina Ideale
May 14, 2008
1-Per te pastruar makinen e mishit gjate grirjes se mishit me dhjame, grihen me pare 2-3 kokrra patate, pastaj lahet.
2-Shishet mund te pastrohen duke i shplare me pare me uje, pastaj me patate te grira ose me lekuret e tyre, duke i tundur fort.
3-Per te hequr eren e rende te termusit, ai duhet te shplahet me uje e uthull.
4-Per te ruajtur qumeshtin 2-3 dite ai duhet te zihet 2 here, nje here ne mengjes dhe nje here ne darke dhe te ftohet ne ene te hapur.
5-Qe djathi te mos thahet, duhet te mbulohet me nje pecete te lagur me uje me kripe.
6-Qe djathi te mos therrmohet gjate prerjes, duhet te vihet ne uje te vaket per 8-10 minuta.
7-Mishi dhe peshku duhet te lahen jo shume para gatimit.nuk duhet te mbahen ne uje, pasi humbasin proteinat, kriperat mineraledhe keshtu ulet vlera ushqimore e tyre.
8-Qe mishi gjate skuqjes te krijoje nje kore te bukur ne siperfaqe, duhet qe para gatimit te fshihet me nje pecete.
9-Trute para se te zihen duhet te skuqen.
10-Qepa per qofte nuk duhet te grihet ne makinen e mishit, por ne rende.
11-Gjate skuqjes se mishit ne copa, keshillohet qe ena te mbulohet me kapak, pasi ne kete menyre avulli nuk del, por mbetet ne mish duke i dhene atij shijen e mishit te stufuar dhe jo te skuqur.
12-Perimet ruhen te fresketa per disa dite nese mbeshtillen me pecete te lagur.
13-Sa me te medha te priten perimet gjate gatimit, aq me pak humbasin vleren e tyre ushqimore.
14-Pureja me patate te reja nuk behet e shijshme, pasi ato permbajne pak amidon.




Recent Comments