Gezuar Shen Valentinin : Happy Valentines Day

February 14, 2009

Rihanna raportuar viktima e se dashurit : Chris Brown

February 10, 2009

Kengetari Chris Brown e kthen veten ne polici pas ngjaret e dites te diele. Kengetari esht akuzuar nga policia me dhune ndaj nje femre. Te henen u raportua se Rihanna, e dashura e kengetarit 19 vjecar, ishte viktima e dhunes. Chris Brown pagoi $50,000 bonde. Ngjarja ndodhi ne mengjesin e Grammy Awards night, ku te dy kengetaret priteshin per te kenduar ne sken e asnje nga ata te dy nuk u shfaqen ne mbremjen. Asnje nga perfaqesuesit e tyre japin koment per ngjarjet e saj dite.

Pasi kompania Double Mint, Wrigleys, moren vesh per kete ngjarje pezulluan reklamen e tyre ku kengetari, Chris Brown reklamon Double Mint gum.

14 këshilla për në dhomën e gjumit

January 11, 2009

PDF Shtypni e-mail

E mbyllët derën me çelës? Po. Jeni gati për një natë të nxehtë? Po. I dini mësimet bazë të seksit? Jo?! Atëherë mos bëni asnjë hap tjetër! Lexoni menjëherë këshillat e mëposhtme

1. Gjeni pozicionin e preferuar

Çdo grua ka një pozicion të preferuar, që e kënaq më shumë gjatë aktit seksual. Cili është pozicioni juaj? Ka ardhur koha ta zbuloni! Provoni pozicione të reja, ndërthurini me njëri-tjetrin, përdorni ndihmën e sendeve stimuluese. Por mos hiqni dorë kurrë për të zbuluar çfarë ju kënaq më shumë në shtrat.

2. Ndryshoni herë pas here pozicionin

Pasi keni kaluar rininë duke praktikuar lëvizje akrobatike në shtrat, ndjeni nevojën për një lidhje më të thellë shpirtërore me partnerin. Fatkeqësisht, me kalimin e kohës, kalon edhe dëshira, edhe pasioni mes çiftit. Kujdes! Duhet t’u kushtoni rëndësinë e duhur ndjesive të reja. Njëkohësisht gjeni rrugët e duhura për t’iu përshtatur kësaj etape të re, por pa ndikuar në jetën seksuale.

3. Mos e kritikoni veten

Mos u tregoni tepër kritike me veten. Mos kritikoni format e trupit, gjoksin e vogël apo shumë të madh. Sepse gjatë aktit, meshkujt nuk i vënë re aspak ndonjë të metë të mundshme. Meshkujt përjetojnë një kënaqësi kaq të madhe gjatë orgazmës sa nuk e kanë mendjen te asgjë tjetër.  Nëse bëni edhe ju si ata, me siguri do të shijonit një orgazmë po aq të madhe.

4. Bëjeni në shtrat

Sigurisht, mund ta bëni mbi tryezën e bukës, në dyshemenë e korridorit apo në makinë. Po ç’të keqe ka nëse e bëni edhe në një shtrat të rehatshëm, mbi çarçafë të pastër?!

5. Besojini klishetë mbi seksin

Janë gjithmonë të vërteta. Prandaj, zini një dhomë hoteli, darkoni jashtë, bëni një banjë me vajra aromatikë. Akoma nuk i keni blerë qirinjtë aromatikë? Nxitoni në dyqanin e parë që shihni! Çfarë prisni akoma?!

6. Mos besoni se të tjerët nuk e bëjnë më mirë

Në rastin e seksit, nuk ka asnjëherë shifra të sakta. Nuk ka as numër magjik se sa herë në muaj duhet ta bëjmë. Po një pyetjeje duhet t’i përgjigjeni me sinqeritet: A jeni të kënaqur me jetën seksuale? Nëse jo, ka ardhur koha të bisedoni sinqerisht me partnerin për këtë çështje.

7. Kini respekt për trupin tuaj

Të gjithë duan të marrin nga koha juaj. Fëmijët, kolegët e punës, hidrauliku që duhet t’ju rregullojë banjën… Mos prisni që shndërrimi nga mama në perëndi të seksit të bëhet vetvetiu. Me këtë punë duhet të merreni sërish ju. Prandaj, në darkë, kushtojini pak kohë vetes.

Le të merret bashkëshorti me enët e darkës, të vërë fëmijët në gjumë. Ju mund ta falënderoni intimisht për ndihmën… domethënë në krevat.

8. Kini besim se oreksi vjen duke ngrënë

Sa më shumë seks të bëni, aq më shumë do ta kërkojë trupi. Është e thjeshtë: Kujtimet e ëmbla të shtyjnë t’i përsërisni. Po kaq e vërtetë është edhe e kundërta. Sa më shumë kohë të kaloni pa bërë seks, aq më pak keni për t’ia ndier nevojën. Çfarë do të preferonit më shumë?

9. Provoni kënaqësitë e masturbimit

Është e sigurt që duke masturbuar do ta arrini gjithmonë orgazmën. Dhe është e vërtetuar se orgazmat e shpeshta ndikojnë në rritjen e dëshirës seksuale. Kënaqeni herë pas here veten, sepse më vonë do të jeni shumë më e nxehtë edhe me partnerin.

10. Mos e prisni orgazmën

Pritja është mënyra më e mirë për të mos arritur në orgazëm. Nëse shqetësoheni shumë që nuk po e arrini, atëherë me siguri nuk keni për të marrë as më të voglën kënaqësi gjatë aktit. Sepse në kohën kur duhet të ndjeni, ju keni qenë shumë të zënë duke u menduar.

11. Planifikoni aktin seksual

Nëse e planifikoni aktin seksual, do të thotë që ju jeni duke menduar gjithë kohës për të. Në njëfarë mënyre, të planifikuarit shërben si stimulues i imagjinatës. Njëkohësisht, planifikimi zëvendëson shumë mirë paralojën.

12. Fusni pak duart

Nëse prekni veten, do t’i arrini më shpejt momentet e kënaqësisë. Ndërsa partneri do t’ju falënderojë. Sidomos kur atij i është dashur të qëndrojë në pozicion jo shumë të rehatshëm për një kohë të gjatë.

13. Nuk ka mjeshtëri të pamundur

Nuk keni nevojë të dini ndonjë mjeshtëri të madhe që ta sillni në qejf partnerin. Thjesht tregohuni e vëmendshme ndaj reagimeve të tij. Kujdes kur i ngulni dhëmbët! Në vend që ta sillni në qejf, mund t’i shkaktoni dhimbje. Teknikat e mësuara rreth seksit, është mirë t’i aplikoni atëherë kur nuk dëgjoni ndonjë ankim prej tij.

14. Ndonjëherë trupi kërkon gjumë

Një natë pushim ose një refuzim ndaj seksit, nuk do të thotë që lidhja juaj është bërë e ftohtë. Por një ditë e ngjeshur, plot aktivitete, kërkon medoemos një natë pushimi. Gjumi në këto raste është më i arsyeshëm se një natë e sforcuar seksi.

Unë, masazhatorja e partnerit tim

January 11, 2009

PDF Shtypni e-mail

I ke provuar masazhet sensuale për të përkëdhelur partnerin, për ta relaksuar, por edhe për të ngacmuar dëshirën seksuale? Në rast se do të bëhesh e zonja në këtë fushë, zbulo si ushtrohen dhe vëri sa më shpejt në praktikë…

Masazhi i kokës

Partneri është shtrirë me shpinë dhe kokën e ka mbështetur në jastëk. E gjunjëzuar pas tij, vërja duart mbi ballë dhe fillo ta përkëdhelësh: nis nga hunda e ngjitu deri te flokët, duke alternuar të dyja duart. Përsërite këtë lëvizje nja dhjetë herë duke ndryshuar intensitetin e forcës së ushtruar, sipas dëshirës së partnerit. Në fund, mbështet pëllëmbët e duarve në tëmtha dhe mbaji në atë pozicion për dy minuta.

Për t’u eksperimentuar: Për t’i bërë më erotike përkëdheljet e tua, bëj me gishta disa lëvizje rrethore brenda flokëve të tij, zonë plot me pika erogjene.

E rëndësishme: Veshët janë një zonë shumë e ndjeshme dhe jashtëzakonisht erogjene, që me t’u ngacmuar një herë, dërgon një sinjal elektrik në fund të stomakut. Përfito për ta gudulisur me gjuhë ose me frymën e nxehtë. Megjithatë duhet të tregohesh e kujdesshme! Disa njerëz nuk kanë dëshirë që dikush t’u afrohet aq shumë veshëve të tyre. Prandaj duhet të ndalesh para shenjës së parë të refuzimit.

Masazhi i shpinës (kalifornian)

Partneri është i shtrirë barkas. Mbështet pëllëmbët në pjesën e sipërme të shpatullave të tij. Pastaj rrëshqiti ngadalë duart deri në ijë. Do t’i japësh kështu një ndjesi çlodhjeje muskulore drejt pjesës së poshtme të trupit, në drejtim të këmbëve. Ushtro pak forcë në ijë, rrëshqiti duart në pjesët anësore të trupit dhe ngjitu pastaj drejt sqetullave para se të masazhosh butësisht shpatullat. Përsërite këtë lëvizje duke rritur dalëngadalë forcën. Mos harro që duhen sinkronizuar veprimet me frymëmarrjen e partnerit: zbret kur ai e nxjerr frymën dhe ngjitesh kur ai thith ajër.

Për ta ndryshuar ndonjëherë, duhet të dish se masazhi kalifornian aplikohet edhe në bust (lëvizjet janë të njëjta me ato që ushtrohen në shpinë) dhe në bark: qëndro në të djathtë të partnerit, mbështeti duart mbi barkun e tij dhe bëj lëvizje rrethore në kahun e orës.

E rëndësishme: Ky masazh quhet në të vërtetë “Sensitive Gestalt Massage”. Përdoret termi kalifornian vetëm sepse kjo teknikë ka lindur në këtë rajon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë viteve ‘60. Termi kalifornian rezulton shumë më seksi!

Masazhi i bustit

Vendosu në të djathtë të partnerit, në nivelin e shpatullave të tij. Vërja duart mbi kraharor, duke i hapur ato plotësisht. Në vijim praktiko 3 lëvizje rrethore: në kahun e akrepave të orës për gjoksin e djathtë, në kahun e kundërt të akrepave të orës për atë të majtë. Gjithmonë me një lëvizje rrethore, afro dhe pastaj largo dy pjesët e gjoksit. Rrëshqit gishtat nga qendra e gjoksit në pjesën e jashtme, pastaj masazho butësisht lëkurën duke zvogëluar forcën. Për ta mbyllur bukur, përdor gojën për të puthur me delikatesë gjoksin e tij.

Për t’u eksperimentuar: Përse të mos përdorësh një pupël ose një penel për të përkëdhelur gjoksin e partnerit tënd? Këto objekte do ta bëjnë që të drithërohet nga kënaqësia!

E rëndësishme: Po të stimulohen mirë kokat e gjoksit, mund të kalohet në orgazmë! 24 % e femrave deklarojnë se mund të kënaqen dhe vetëm me disa përkëdhelje në gjoks.

Masazhi i krahëve

Ulur në krah të partnerit tënd, merrja dorën e djathtë në dorën e majtë dhe vëre dorën tënde të djathtë mbi anën e brendshme të kyçit të tij të dorës, me gishtërinjtë të kthyer nga shpatulla e tij. Zhvendose nga pulsi drejt bërrylit, pastaj shko drejt shpatullës, para se të kthehesh për te krahu. Realizoji dy lëvizjet gjithmonë në kohë të ndara.

Në vazhdim, vendosi duart paralel mbi parakrahun e tij duke ushtruar një presion të pandryshuar. Zbrit duke e zvogëluar presionin. Përsërite këtë gjest disa herë. Në fund, shtrëngo dorën  e tij të djathtë mes të tuave dhe masazho pëllëmbën e tij me mollëzat e gishtërinjve para se të rrëshqasësh gishtin tregues mes gishtërinjve të tij. Bëj po kështu me krahun e majtë.

Për t’u eksperimentuar: Që masazhi të jetë më eksitues mund të kalosh gjuhën midis gishtërinjve dhe t’i puthësh butësisht majat e gishtave.

E rëndësishme: Për shkak të domethënies së tyre metaforike, (duart mbrojnë dhe përkëdhelin), masazhi erotik për duart dhe krahët përforcon ndjenjat e çiftit dhe i lidh më shumë partnerët.

Ijët dhe vithet

Partneri yt është shtrirë barkas dhe ti i je ulur kaluar mbi vithe. Mbështet pëllëmbët e hapura në ijët e tij, pastaj masazhoji me lëvizje rrethore gjithmonë e më të gjera. Rrit gradualisht forcën e ushtruar. Mbështeti, në vazhdim, duart nën anën e djathtë të vitheve dhe, me ndihmën e gishtërinjve të mëdhenj, formo një rol lëkure dhe ngjite drejt kërbishtes. Me radhë praktikoje masazhin në vithe, si në anën e majtë, ashtu dhe në atë të djathtë.

Për t’u eksperimentuar: Përdor më shumë mënyra! Në vend të duarve, vendos parakrahët mbi vithet e tij dhe bëj lëvizje rrethore nga jashtë brenda.

E rëndësishme: Në rast se përkëdheljet e lehta me majat e gishtave mjaftojnë për të ngacmuar kofshët, ijët, duke qenë më të forta, kërkojnë stimulim më të thellë dhe masazh më të fuqishëm.

Masazhi për këmbët

Partneri yt është i shtrirë me shpinë, me një jastëk poshtë gjunjëve. E ulur në këmbët e tij, hidh vaj në pëllëmbët e duarve të tua dhe ngrohe. Merr këmbën e tij të majtë me të dyja duart dhe apliko në dy anët e kaviljes lëvizje të ngadalta rrethore me gishtërinjtë e mëdhenj, në drejtim të akrepave të orës. Vepro po kështu me këmbën e djathtë. Më pas vendos vetëm tre gishtërinjtë e parë të dy duarve në anën e jashtme të kaviljes. Bëj pesë rrathë, në fillim nga një kah, pastaj nga tjetri, para se të bësh trajektore në formën e 8-ës. Vazhdo duke ndryshuar forcën që ushtron dhe gjerësinë e lëvizjeve.

Për t’u eksperimentuar: Përgatite vetë vajin që do përdorësh duke përzier 50 ml vaj bajamesh të ëmbla me 6 pika vaj druri sandali. Do përftosh një fragrancë sensuale, me aromë pylli.

E rëndësishme: E njeh refleksologjinë plantare? Kjo terapi të lejon të trajtosh në  distancë organet e trupit, duke prekur me mollëzat e gishtave shputën e këmbës. Përveç rëndësisë erotike, masazhi te këmbët mund të rezultojë pozitiv në rastin e stresit, ankthit, dhembjes së kokës… Pse të mos e provosh?

10 rregulla për një masazh të përkryer:

1. Para se t’i kushtohesh masazhit duhet të hash lehtë. Përfito nga rasti për të programuar një meny të lehtë dhe 100 % afrodiziake, me bazë midhjesh, luleshtrydhesh dhe shampanje.

2. Ngrohe aq sa duhet mjedisin: për shembull 25 gradë celsius.

3. Krijo një atmosferë zen: fik dritat dhe shkëput telefonin. Një muzikë e lehtë do ishte shumë mirë si sfond. Mos harro një shpërndarës vajrash të përqendruar: 3 pika vaj lulesh portokalli zhdukin tensionin.

4. Syno rehatinë: vendos mbi krevat, në divan ose në tokë, jastëkë të butë, batanije të ngrohta që do t’i pëlqenin lëkurës.

5. Guxo me vajrat: duhet t’i zgjedhësh pjesërisht të lëngshëm dhe vajor që të rrëshqasin mbi lëkurë dhe mos të ngjisin. Shmang vajrat artificialë me përbërje parafine, për të përdorur një vaj biologjik dhe vegjetal. Për sa i përket aromave, ke mundësi të zgjedhësh ndërmjet: bajameve të ëmbla, bërthamave të kajsive, susamit…

6. Hiq bizhuteritë për të mos ngacmuar lëkurën e partnerit.

7. Provo të kapësh ndjesitë e tjetrit: përshtat forcën e ushtruar me reagimet e tij duke u mbështetur te frymëmarrja e tij.

8. Ndrysho teknikë: përkëdhelje, masazhe, forcë… Shmang mbi të gjitha kontaktin me shenjat e plagëve dhe varicet.

9. Bashkëpunoni: masazhohuni reciprokisht meqë masazhi erotik është para së gjithash një shkëmbim.

10. Lëre të lirë fantazinë: e kotë të ndjekësh pikë pas pike teknikat e propozuara. Alterno përkëdheljet, puthjet dhe gjestet e afeksionit.

Kur yjet të ndihmojnë të bësh karrierë

January 11, 2009

PDF Shtypni e-mail

Dhe tani mjaft folëm për seksin. Duhet të mendojmë për punën: si ndikon astrologjia në karrierën tonë të ardhme.

Ja cilat janë pyetjet që bëhen më shpesh lidhur me karrierën e të 12 shenjave të zodiakut:

Cilat janë shenjat më të favorizuara në karrierë?

Cilat janë shenjat më të favorizuara për një intervistë pune?

Cili është kolegu apo shefi më i mirë në punë?

Përgjigjet i kemi marrë duke iu referuar astrologjisë.

Le t’ia nisim nga pyetja e parë. Luani është shenja më e favorizuar për të bërë karrierë. Ai është një shenjë e destinuar për të qenë lider. Të lindurit e kësaj shenje kanë një vetëbesim të madh dhe njëkohësisht dinë t’i zgjedhin mirë bashkëpunëtorët.

Por kujdes kur doni të ngrini në detyrë një Luan.

Nëse kompania juaj është e fuqishme, atëherë mos ngurroni që drejtimin e saj t’ia lini në dorë një Luani, i cili ka për ta zhvilluar dhe fuqizuar edhe më shumë.

Në të kundërt, nëse kompania është në momente jo shumë të favorshme, një luan rrezikon ta fundosë krejt për shkak të impulsivitetit të tij dhe vendimeve të nxituara.

Luani dhe shenjat e tjera të zjarrit (ku bëjnë pjesë Dashi dhe Shigjetari), rekomandohen veçanërisht në nismat e marra për projekte të reja. Pastaj do të jenë të tjerët që do t’i konkretizojnë planet. Sidoqoftë, çdo lider ka nevojë për mbështetjen e të tjerëve.

Në këto raste këshillohet që të mbani afër persona të shenjës së Demit. Të lindurit e kësaj shenje janë kolegët më të mirë në punë, sepse janë konkretë dhe të besueshëm.

Sidoqoftë, bëhet fjalë për persona që e kanë një vend pune.

Por si i bëhet në ato raste kur dikush kërkon punë? Sipas astrologjisë, edhe këtu favorizohen shenja të veçanta të zodiakut.

Shenjat e ajrit (Binjakët, Ujori) e sidomos Peshorja, janë personat më të aftë për të fituar një intervistë pune. Falë intuitës, arrijnë të kuptojnë se çfarë kërkohet për një vend të veçantë pune, prandaj shndërrohen në kandidatët idealë.

Duke u përshtatur me çdo situatë, të aftë në marrjen dhe dhënien e sinjaleve të duhura, nuk e kanë aspak problem për të gjetur punë.

Megjithatë, nuk janë personat idealë për të ndërmarrë projekte. Nëse nuk mbështeten nga kolegë që u përkasin shenjave të tokës (veç Demit, Bricjapit dhe Virgjëreshës), mund të çojnë dëm energjitë.

Për sa u takon shenjave të ujit, për këto shenja gjithçka varet nga cilët persona intervistohen.

Një takim i fortë pune konsiderohet ai mes të lindurve në shenjën e Luanit dhe të lindurve në shenjën e Peshqve. Megjithë rrezikun për të mos e fituar këtë vend pune bash prej këtyre përplasjeve, Peshqit e pranojnë, por me një pagë mjerane, sepse nuk duan të rrezikojnë shumë.

Por kur shenjat e ujit bëjnë karrierë, mund të bëhen drejtues të shkëlqyer në sektorin e burimeve njerëzore. Një alternativë tjetër mund të jenë aktivitetet sociale, ndoshta sepse duke mos qenë shumë produktivë, kënaqen me dëshirën për të ndihmuar të tjerët.

Por sa të vërteta janë të gjitha këto?

Revista Jeta, nëpërmjet një sondazhi që i referohet shembujve të vetë punonjësve të redaksisë, zbuloi se astrologjia nuk gënjen.

Kryeredaktorja e revistës sonë i përket shenjës së Binjakëve; një shenjë e lëkundur dhe konfuze. Por nga ana tjetër është shenja e gazetarëve.

Dhe për të mbështetur kryeredaktoren, në redaksinë e revistës kemi shumë punonjës të shenjë së Demit, që siç u tha edhe më lart, janë kolegët më korrektë dhe të besueshëm.

Ndaj, jo më kot, në redaksinë tonë punët shkojnë si sahat.

Ai ka më shumë kremra se unë!

January 11, 2009

PDF Shtypni e-mail

Mos qesh. Po ndodh gjithnjë e më tepër në çiftet moderne dhe mund të të ndodhë edhe ty që të të bjerë për pjesë një i dashur më vanitoz se ty, që limon thonjtë, përdor çdo mëngjes e darkë produktet e bukurisë dhe ka nga një krem për çdo pjesë të trupit: një për fytyrën, një për trupin, një për duart, një për këmbët, një për…

Mos qesh. Po ndodh gjithnjë e më tepër në çiftet moderne dhe mund të të ndodhë edhe ty që të të bjerë për pjesë një i dashur më vanitoz se ty, që limon thonjtë, përdor çdo mëngjes e darkë produktet e bukurisë dhe ka nga një krem për çdo pjesë të trupit: një për fytyrën, një për trupin, një për duart, një për këmbët, një për…

Kur e sheh për herë të parë, të godet menjëherë me pamjen e tij të kuruar e të këndshme. Të pëlqen, lidhesh dhe pastaj pas ca kohësh vendosni që të jetoni nën një çati dhe këtu fillon filmi. Që në ditën e parë, tualeti yt nuk është më plot me produktet e tua të bukurisë, por me të tijat! Është ai që rri gjysmë ore në banjë para se të bjerë në shtrat dhe jo ti që je kujdesur të mbarosh punë shpejt e shpejt, kurse në mëngjes nuk arrin dot që të përgatitesh për në punë. Pse? Sepse në banjë është sërish ai duke u bërë i bukur, ulur përpara arsenalit të tij të produkteve kozmetike. Nuk jemi duke e ekzagjeruar aspak: krem hidratues, krem mbulues, skrab, krem për rrathët e syve, locione, shampo dhe balsame, që ndoshta ty as që të ka shkuar ndonjëherë ndërmend t’i blesh.

Po i lëmë mënjanë detajet mbi gardërobën supertrendy, superfirmato, supergjithçka. Nuk të kishte shkuar ndonjëherë ndërmend se një mashkull mund t’ua kalonte edhe vajzave në terrenin e tyre tradicional. Dhe vajzat nuk dinë se si të veprojnë me këtë risi që vjen nga kampi i burrave të fortë dhe, që të kuptohemi, aspak homoseksualë. Kujdesi i meshkujve për veten sigurisht që vjen ndikuar edhe nga mediat, të cilat gjatë viteve të fundit nuk bëjnë gjë tjetër veçse flasin për burrin metroseksual, David Beckham & co, që tani po ua kalojnë edhe vajzave në konsumin e produkteve të bukurisë.

Nëse dikur kujdesi maksimal i një burri për veten ishte pak xhel në flokë dhe pak locion pasrroje, tani melodia ka ndryshuar. Dhe shumë madje. Për ta kuptuar mjafton të shohësh me vëmendje çfarë produktesh kozmetike janë duke u prodhuar për tregun mashkullor. Është mbingopur tashmë tregu femëror (më shumë sesa një set kremrash dhe produktesh të tjera, një grua nuk mund ta konsumojë) dhe tani prodhuesit më të mëdhenj kozmetikë i drejtohen – me energji – publikut mashkullor.

Ndoshta këtej e tutje është vendosur që të eksplorohet publiku mashkullor për të krijuar një terren të ri shitjesh, deri më tani i pashfrytëzuar. Sulmi ka filluar: fushata publicitare, iniciativa marketingu, shkrime revistash e gazetash që pompojnë një burrë që di të kurojë pamjen e tij dhe lajme që kanë shpesh një qëllim të caktuar dhe që planifikohen nëpër agjenci publicitare më shumë sesa nëpër redaksi, siç duhet të ndodhë rëndom.

Dhe çfarë ndodh atëherë? Ndodh që burrat e shkretë, të cilët më parë thuajse krenarë për look-un alla macho, tani duhet të shqetësohen për qelizat e vdekura të lëkurës, që eliminohen duke përdorur të paktën një herë në javë një skrab të mirë për lëkurën e fytyrës, e cila duhet të jetë e hidratuar mirë për parandalimin e rrudhave, për rrathët e syve që kërkojnë përkujdesje speciale, për… besoj u kuptuam.

Po ne? Jemi pak të çorientuara, ndihemi të kërcënuara në terrenin tonë, e kemi të vështirë të njohim burrat tanë me këtë pamje të re prej konsumatorësh produktesh bukurie. Por do të mësohemi, do të arsyetojmë dhe do të përshtatemi me këtë situatë të re. Në fund të fundit mund ta mendojmë pozitivisht dhe të shkëmbejmë me ta produkte, këshilla, opinione. E tepruam pak, ëëë?!

A mund të ndryshohet një burrë?

January 11, 2009

PDF Shtypni e-mail

Rrumbulloni këndet, eliminoni defektet, përshtatni disa sjellje… ai mund të jetë i përkryer. Mision i mundur? Po. Me kusht që të ndiqni disa rregulla

Jeni kokë e këmbë të dashuruara. Por ndonjëherë ai ju duket një tip shumë shtëpiak. Ose, kur i flisni, nuk e ka shumë mendjen.

Si të thuash: shumë kështu dhe jo aq shumë ashtu. Por do arrini ta ndryshoni, për këtë jeni të sigurta.

Kjo është normale: dëshira për ta shtyrë partnerin të përmirësohet është tipike femërore. “Ky rol është rrënjosur në ndërgjegjen kolektive”, shpjegojnë psikiatrit. “Dhe në një plan më personal, shpesh, gruaja shfaqet si e aftë të menaxhojë jetën në çift dhe familjen”. Për të arritur këtë objektiv, gruaja është e gatshme të bëhet copë e çikë. “Një burrë i zhgënjyer nga gruaja e vet, “mendohet pak mbi këtë gjë” dhe më vonë largohet nga ajo, duke kërkuar diku tjetër një formë kompensimi”, bëjnë të ditur disa filozofë. “Gratë, në të kundërt, i përballojnë problemet dhe përpiqen t’i korrigjojnë defektet që e bëjnë më pak joshës burrin që duan”. Në fillim shkon çdo gjë mirë. “Të biesh në dashuri do të thotë të krijosh iluzione, thonë psikiatrit dhe terapistët e çifteve, një iluzion i shëndoshë ama, pa të cilin nuk do kishte as tërheqje. Por shpesh, disa aspekte të vlerësuara në fillim përfundojnë duke mos të të pëlqyer më, kur jeta dhe rutina e bëjnë të zakonshëm imazhin e tij, deri në atë kohë, të mitizuar”. Shembull: ambicia shihet si karrierizëm, sensi i humorit kthehet në një bezdisje dhe dinamizmi në pamundësinë acaruese për ta parë të rrijë i qetë. Pra, ajo që dikur të dukej interesante, sot të lodh.

Është e vërtetë që të thërrasësh në gjyq një anë të karakterit, do të thotë të vësh në rrezik konceptin e dashurisë ideale, që përfshin dhe pranimin e plotë të njeriut që do. Pra, të rrezikosh që ai të të kthejë shpinën. Prandaj preferon të shpresosh se vetë dashuria do t’i rregullojë gjërat, por butësisht. Një shpresë e vakët, që rrallë gjen mbështetje në realitet. Dëshirat e subkoshiencës ngelen kartë e djegur. Duhet kaluar në fazën e veprimit.

Po kujdes: duhet reaguar atëherë kur je e bindur se marrëdhënia juaj është solide, që partneri është aq i mësuar me ty sa të pranojë kritikat.

Të dish t’i prezantosh kërkesat

Të flasësh mund të kthehet edhe në një manovër shumë të guximshme. “Burrat, ish-djem të mësuar t’u plotësohen të gjitha dëshirat, e kanë të vështirë të pranojnë se po u vihet në diskutim mendimi”, nënvizojnë psikiatrit. “Për t’u bërë autonomë, u është dashur të luftojnë ndaj dashurisë ndërhyrëse të nënës dhe ja ku jeni tani ju, vullneti tjetër femëror që kërkon t’i mësojë një kod të dhënë sjelljeje, me të cilën atij i duhet të merret. Dhe është normale të marrin zjarr konflikte”. Sidomos po t’i merrni gjërat me inat. “Kërkesat për të ndryshuar nuk pranohen lehtë. Forma që zgjedh pastaj, mund të duket si fajësim, dhe pse nuk duam”, thonë psikiatrit. “Kush merr një vërejtje, mund të bëhet shumë i ndjeshëm përballë teknikave të njëjta që përdornin prindërit dhe të rigjendet në pozicionin e një fëmije”.

Sipas specialistëve ekziston një mënyrë atërore fajësimi: “Ti nuk i bën detyrat që merr përsipër!”; një mëmësore: “Po të më doje, nuk do silleshe kështu…”; një vëllazërore: “Nuk bën asnjë përpjekje për t’u kujdesur për shtëpinë dhe fëmijët. Nuk më ndihmon fare”. Për t’u mbrojtur, burri kundërsulmon dhe nis një betejë e vërtetë: hakmarrje të vogla, turinj të varur. Një rreth vicioz. Plotësisht i mjaftueshëm për të shkatërruar ditët.

Mos e konsidero një çështje pushteti

Të bisedosh? Sipas psikiatërve, nuk është ky shëruesi i të gjitha të këqijave, sepse dialogu sjell një përballje të partnerëve, në të cilën zemërata mund të ngjitet në qiell. Nëse duam që tjetri të na dëgjojë dhe të na kuptojë, më mirë të reflektojmë më parë. “Ndonjëherë ndonjë email i shkruar me humor ose ndonjë gjest zhdramatizues e sjell si duhet një kërkesë”, tregojnë specialistët. Për shembull, nëse ti je e lodhur nga rrëmuja që ai bën në tualet, mund të shkrepësh disa foto nga peshqirët dhe shampot e ngatërruara pasi ai del nga tualeti për disa ditë me radhë, mund t’i montosh në kompjuter e t’ia nisësh me email si një film të frikshëm vizatimor. Kjo do mirëpritet e me siguri ndonjë efekt do ketë.

Po mirë që mund të përdorim këto taktika për t’i ndryshuar sjelljet, po nëse do donim të vinim në diskutim bindjet politike ose pikëpamjen e tij për botën, për ne shumë materialiste? “Gjëja më e rëndësishme është vija ndarëse”, saktësojnë filozofët. “Këtë ndryshim ti e do për veten tënde apo për të përfituar çifti?  Bëhet fjalë për të ushtruar pushtet? Për ta rimodeluar partnerin sipas imazhit tënd? Gjurmët e lëna nga dashuritë e mëparshme të shpërthejnë xhelozinë? Të gjitha arsye shumë të gabuara që të shtyjnë ta manipulosh tjetrin ose të përçmosh atë që është”.

Që të pranojë përpjekjet tona, është e nevojshme që dhe ai të gjejë një përfitim për rritjen e tij ose për çiftin. Një jehonë që delikatesa dhe ëmbëlsia mund ta sigurojnë.

Po si t’i menaxhojmë motivet tona kur ato janë “perverse”? “Ndryshimet që dëshirojmë t’u bëjmë njerëzve që duam, ndonjëherë fshehin mungesat që kemi”, thonë psikiatrit. “Në rast se shohim që një veprim i partnerit provokon një mbyllje ose një reagim të skajshëm, duhet të shkojmë në rrënjët e kësaj, që mund të jenë në fëmijërinë tonë ose në përvojat e mëparshme sentimentale. Kjo ndihmon të kuptosh pse disa sjellje të partnerit bëjnë të shpërthejnë kujtime të dhimbshme apo emocione të forta. Po ta shohim me sy mirëkuptues veten kur kemi qenë fëmijë, do na bënte të mos kërkonim nga partneri të vendoste rregull në të shkuarën tonë apo t’i bënim të provonte atë që kemi përjetuar. Ngadalë pjesa e tepërt e pengjeve tona do priret të zvogëlohet dhe ne do jemi të gatshme të braktisim kritikat ose, përkundrazi, të përshtatim kritika konstruktive. Ulërima: “Për ty nuk ekzistoj!” mund të zbutet duke thënë: nuk më pëlqen kur nuk më puth kur vij në shtëpi… apo kur nuk flasim gjatë darkës”.

Mos u jep shumë rëndësi veprimeve

Siç na e bëjnë të ditur psikoterapeutë dhe filozofë, përveç ankesave për mosndarjen e përgjegjësive shtëpiake dhe të rritjes së fëmijëve, kërkesat më të zakonshme janë në drejtim të dashurisë dhe identitetit: “Nuk më thua sa më do; nuk e di sa vlej”. Kjo, siç thonë specialistët, është e justifikuar. Shumë burra, zakonisht, e quajnë të mirëqenë dashurinë e tyre e i vlerësojnë si pak mashkullorë gjestet që shfaqin afeksion, ndërsa gratë, nga ana e tyre, e mbivlerësojnë rëndësinë e simboleve. Sekreti qëndron në bindjen se ndryshimet mund të bëhen vullnetarisht. Do duhet një proces i gjatë, në të cilin dy protagonistët do vendosin të angazhohen dhe të investojnë energji. Pra, nëse jeni të lodhura nga një burrë që është pak i pranishëm, mund të nisni t’i vini në vend gjërat duke pyetur: “Çfarë mund të bëjmë që të shihemi më shpesh e më mirë?”, në vend që të mjaftohemi duke thirrur: “Punon shumë dhe kur je në shtëpi; je gjithmonë i ngjitur para televizorit”. Do vini në dukje atë që mund të bëni më mirë dhe të sillni propozime konkrete. Secili mund t’u japë kështu peshën e duhur gjesteve të vogla, të nënvlerësuara më parë, duke marrë dhe një shtysë inkurajuese.

Lëshime, kompromise, durim… Po të duam të dalim fitimtare, duhet të boshatisim fushën nga siguria klasike: “Unë jam e përkryer; ai e ka gabim”. “Çifti bashkëkohor, mbështetur në reciprocitet dhe fluiditetin e roleve, shtyn mashkullin dhe femrën të përmirësohen vazhdimisht”, thonë psikiatrit.

Do ishte vërtet mëkat pra, të përfundohej një lidhje, kur zgjidhjen e ka në dorë gjithsecili, madje… në zemër.

Somario

Nëse duam që tjetri të na dëgjojë dhe të na kuptojë, më mirë të reflektojmë më parë

Çiftet e sotëm, të mbështetur në fluiditetin e roleve, përmirësohen gjithmonë

Dhe jetuan përgjithmonë…

December 2, 2008

Dhe jetuan përgjithmonë të lumtur dhe xhelozë

Do ishte e mundur të jesh xheloze dhe e lumtur në të njëjtën kohë? Ja 7 rregullat për të shndërruar një ndjenjë të kategorizuar “negative” në çelësin e lumturisë

“Xhelozia bën keq!” nuk është gjithmonë e vërtetë. Ose, të paktën, është e mundur të jesh edhe xheloze, edhe e lumtur. Ja një eptalog (epta – shtatë) këshillash si ta kthesh xhelozinë në diçka që, në vend që t’i bëj keq dashurisë, e rigjallëron dhe e ndez.

1. Prano xhelozinë tënde në vend që të mendosh: “O Zot, mos, jam xheloze!” dhe pranoje këtë emocion si shenjë dashurie.

2. Konsidero faktin që xhelozia shënjon një rrezik për marrëdhënien, i cili mund të jetë thjesht imagjinar ose i vërtetë. Në rastin e parë mundohu ta kontrollosh, në të dytin, nëse je vërtet e sigurt, përballe argumentin me partnerin, pa e lënë veten të biesh në panik ose inat.

3. Para se të derdhësh një rrebesh sulmesh xhelozie mbi partnerin, reflekto mbi atë që ndjen. Bëje ndërkohë që u përgjigjesh këtyre pyetjeve: xhelozia ime është e vërtetë apo jo? është faji i pasigurive të mia apo e sjelljes së tij? Është vërtet dikush që i vjen rrotull? Më ka tradhtuar vërtet apo jam unë që e teproj?

4. Në rast se je ti xhelozja, fol me partnerin për ndjenjat e tua. Por jo për xhelozinë: diskuto për ato që ndjen, frikërat dhe ankthet që shpërthejnë te ty në disa situata dhe për nevojën për t’u ndier e sigurt, pa e kaluar theksin pastaj te mangësitë e tij ose tradhtitë e dyshuara.

5. Në rast se xhelozi është ai, përballë një skene xhelozie të shfrenuar mos u përgatit për zënkë, pra mos reago ligësisht, po përpiqu ta bësh të reflektojë partnerin me një sens të shëndoshë humori (po që nuk duhet të jetë kurrë i tepruar) dhe pa treguar haptas atë që ndjen. Jepi përshtypjen se ndjenjat e tij janë të rëndësishme për ty, po thekso fort që ankthet dhe shqetësimet e tij janë të panevojshme. Ndalo te dashuria jote dhe siguria për këtë që ndjen.

6. Si në njërin, ashtu dhe në rastin tjetër, pas një përballje në të cilën ndjenjat e secilit janë shfaqur qartë, do kuptosh që ndoshta prej kohësh nuk kishe folur në këtë mënyrë, që ndonjëherë s’i ke llogaritur ndjenjat e tjetrit dhe që vetëm ideja se mund ta humbasësh të ka futur në krizë: kjo do të thotë që duheni.

7. Mos harro se në ditët tona mundësitë për të tradhtuar janë shumëfishuar, prandaj është e pamundur ta mbash partnerin të lidhur me pranga. Strategjia e vetme e vlefshme për të shmangur tradhtitë dhe xhelozinë është të mos lejosh që tjetri të lodhet me ty. Pra shmang rutinën dhe përdor fantazinë në marrëdhënien në çift.

Po sikur të isha miliardere?

December 2, 2008

Ka femra që kanë lindur të tilla: kanë një llogari bankare me 9 zero, çantë unike të punuar në mënyrë artizanale, bizhuteri me diamante… me pak fjalë shumë të pasura. Por nëse ne nuk bëjmë pjesë në këtë kategori (pavarësisht se ngulim këmbë të dimë përse jo), heqim dorë nga kjo pyetje. Ka ardhur koha të reagojmë!

Le t’ia nisim nga e para: domethënë le të pyesim veten se ç’lloj miliardereje mund të kishim qenë. Je gati për të bërë testin? Në këtë mënyrë, nuk harxhojmë kohën kot, por jemi gati ta presim kohën kur fati dhe lavdia do të na trokasë në derë.

1. Më në fund, pas dy vitesh përpjekjesh të kota, fitove lotarinë. Çmimi prej 30 milionë euro është i yti. Cilat janë gjërat që do të blesh në fillim?

a. Një vilë në Los Anxhelos, një instruktor personal aerobie, një çantë e firmosur, një varëse Cartier… objekte të tjera luksi. 3 pikë

b. I ble një shtëpi të bukur prindërve, paguan universitetin për motrën dhe shkon me pushime. 5 pikë

c. Lë një takim në bankë për të shfrytëzuar sa më mirë kapitalin tuaj. 1 pikë

2. Kur ke qenë e vogël, ke ëndërruar:

a. Të vraposh në male me Hajdin. 5 pikë

b. Të jetosh në Disneyland, në kështjellën e Bukuroshes së Fjetur. 1 pikë

c. Të bëhesh supervizore e fabrikës së çokollatës së Uilli Uonka-s, që të hash falas gjithë karamelet. 3 pikë

3. Meqë je shumë, por shumë e mirë (edhe pse e ke kuptuar që kjo gjë po të lë thatë nga xhepat), vendose që të bësh një bamirësi duke dhuruar disa mijëra euro. Kujt do t’ia dhuroje këtë shumë parash?

a. SHMDB-së, Shoqatës në Mbrojtje të Dinjitetit të Biondeve dhe Minorancave të tjera që diskriminohen. 3 pikë

b. PNNS, Programit në Ndihmë të Nënave Singëll, viktima të poshtërsisë së ish-bashkëshortëve. 5 pikë

c. FMMV-së, Fondit në Mbështetje të Miliarderëve në Vështirësi. 1 pikë

4. Sot në mbrëmje ke një takim romantik. Kush do të ketë fatin të darkojë me ty?

a. Daniel Mead, i serialit “E shëmtuara Betty”. Kryeredaktori i “Mode” do t’ju çojë në ditëlindjen e Marc Jacobs. 1 pikë

b. Doktori bukurosh i “Anatomia e Greit”. Ai të ka ftuar për të darkuar në një restorant romantik francez. 5 pikë

c. Christian Troy, i “Nip/Tuck”. Kirurgu më seksi i botës të propozon një festë me bazë botoksi dhe seks të shfrenuar. 3 pikë

5. Jepi tani, trego: pasioni që mban fshehur është:

a. Të ndjekësh Reality Show-n në televizor. Garat se kush humbet më shumë kilogram. 1 pikë

b. Të shohësh patinazh në akull. Pranoje që adhuron fundet e shkurtra, të qëndisura me fije të argjendta. 3 pikë

c. Fjalëkryqet. Dhe nuk është aspak e vërtetë që ato i bën edhe gjyshja jote. Por janë ushtrime që stërvitin trurin. 5 pikë

6. Ty të përmbyset bota kur:

a. Boshatiset llogaria bankare. 1 pikë

b. Mërzitesh gjatë një feste. 3 pikë

c. Shefi i madh refuzon një ide tënden, gjatë mbledhjes me stafin. 5 pikë

7. Pas tre vitesh pasionante, i dashuri yt duket gjithnjë e më i tërhequr dhe i pavendosur për të të kërkuar dorën. Çfarë bën?

a. Pret. Herët a vonë do të vendosë. 1 pikë

b. Ia kërkon ti e para: “Zemra, kur do martohemi ne të dy?”. 3 pikë

c. Vuan në heshtje dhe mendon të ndahesh. Sido që të jetë, ti nuk do t’i lutesh kurrë. 5 pikë

8. Shtëpia jote ideale është:

a. Një kështjellë e shekullit XVIII. 5 pikë

b. Një vilë gjigante në Malibu. 3 pikë

c. Një apartament në papafingo në një qytet si Nju Jorku-u apo Parisi. 1 pikë

9. Çfarë më shohin sytë? E pamundur! Brad Pitt është në radhë para dyqanit afër shtëpisë time. Mendon:

a. Zemra e vogël! Me siguri ka humbur rrugën. Me gjithë ato para që ka ai, duhet të ketë patjetër një kuzhinier francez që merret me pazaret dhe gatuan për të. 3 pikë

b. Ku e kam aparatin? Shpejt, shpejt, një foto. Kushedi sa mund ta shes në ebay. 5 pikë

c. Sushi, mjaltë, sallatë… tani po! E kuptoj si i ruan linjat Angelina Jolie. 1 pikë

10. Vajza në foto…

a. Përpiqet të shohë të dashurin. Ai i tha se mund të arrinte në mol që para një ore. 5 pikë

b. Është një top modele gjatë një shërbimi fotografik dhe ka veshur veshje që kushtojnë 3000 euro. 1 pikë

c. Është shumë e mërzitur që nuk mori me vete syzet e diellit që i rrinë aq bukur. 3 pikë

40-35 pikë

Profili yt: Miliarderja e denjë

Modeli yt është J.K. Rowling, autore e librave “Harry Potter”. Deri dje, një nënë singëll e papunë, e flakur nga shtëpia prej bashkëshortit. Sot është ajo që krijoi magjistarin më të famshëm në botë, që e shndërroi pastaj në shkrimtaren më të famshme dhe të pasur të botës. Meriton respekt!

Karakteristikat e suksesit: Punë dhe vetëm punë. Je e vendosur: nuk demoralizohesh kurrë, pavarësisht momenteve të vështira që kalon. Si në shtëpi edhe në zyrë, përfshihesh tërësisht në punë, sepse ke besim në projektet e tua. Dhe cila është qershia mbi tortë? Do të mbetesh e thjeshtë dhe e përmbajtur, edhe kur të kesh arritur majat e suksesit.

Pikat e dobëta: Je shumë serioze, nuk e lëshon kurrë veten për t’u argëtuar. Edhe atëherë kur ndodh, ndihesh sikur ke bërë faj.

Nuk je shumë e aftë në marrëdhëniet publike. Të pëlqen të bësh një jetë të tërhequr, të humbasësh në një fshat skocez. Ndoshta sepse i druhesh xhelozisë apo frikës se fati do të të braktisë.

E ardhmja: Ashtu si JKR dhe shtatë librat e saj “Harry Potter” (si dhe një roman krejtësisht ndryshe, që pritet të publikohet), përgatitu edhe ti të sigurosh të ardhmen. Pastaj, kur të sigurohesh që i ke krahët e ngrohta, argëtohu pak. Rrethohu nga persona më të çmendur, vanitozë dhe më kokëçarës se ty. Kështu, do të shijosh më mirë çfarë ke ndërtuar në jetë.

30-25 pikë

Profili yt: Trashëgimtarja

Modeli yt është Paris Hilton, trashëgimtarja e një perandorie të vërtetë, e hoteleve “Hilton”. Për të qenë më të saktë, një yll i vërtetë edhe në showbiz. Por bukuroshes iu hoq e drejta e trashëgimisë nga gjyshi i saj, pas shumë skandaleve të mbesës.

Karakteristikat e suksesit: Aftësia që ke për të joshur, pafytyrësia dhe njohjet e shumta. Je mbretëresha e marrëdhënieve publike, i njeh të gjithë dhe mund të shkosh ku të dëshirosh. Miqtë e tu vlerësojnë entuziazmin, energjinë, pasionin për të mos humbur as edhe një festë, si dhe dëshirën e madhe që ke për të jetuar. Shijon jetën çast pas çasti dhe nuk shqetësohesh kurrë për asgjë, por mendon se herët a vonë problemet zgjidhen vetë.

Pikat e dobëta: Je shumë dembele dhe i nënshtrohesh në mënyrë pasive fatit tënd. Nuk tregon vëmendjen e duhur ndaj të tjerëve, lodhesh shpejt dhe në vend që të impenjohesh seriozisht mbi një projekt, humbet kot kohën duke u marrë me detaje të kota.

E ardhmja: Ashtu si Parisi, edhe ti je në pritje për të përfunduar një projekt tëndin (krijimin e një parfumi apo një linje të brendshmesh seksi). Por ndryshe nga Parisi, ti vë në praktikë idetë e tua për të konkretizuar diçka. Edhe pse nuk ke shumë ambicie, ruajtja e vendit të punës, si dhe e një raporti të qëndrueshëm me një mashkull, që zgjat më shumë se tre javë, është gjithmonë një hap para.

20-10 pikë

Profili yt: Femra në karrierë

Modeli yt është Madonna, këngëtarja më e paguar në botë. Turne në të gjithë botën, mijëra CD të shitura, kontrata publicitare. Ylli i popit ka një pasuri që vlerësohet me një shifër prej 400 milionë dollarësh.

Karakteristikat e suksesit tënd: një intuitë që të lejon të bësh zgjedhjet e duhura në momentin e duhur. Di të kapësh mundësitë atëherë kur të vijnë. Guximi dhe ambicia për të ecur mes rrezikut të bën një femër të fortë, si dhe një negociatore të shkëlqyer.

Pikat e dobëta: Jo gjithmonë gjen kohën për t’u çlodhur. Prandaj, në dashuri apo në raportet miqësore, konsiderohesh si një person stresues. Me ty njerëzit mund të lodhen shumë shpejt.

E ardhmja: Mendo pak më shumë për të tjerët. Madonna herë pas here organizon koncerte bamirësie, siç ishte ai i kohëve të fundit për UNICEF-in.

Por, ti mund të mjaftohesh edhe thjesht duke shoqëruar nipin në këndin e lojërave apo në një shfaqje me kukulla. Kështu, jo vetëm do t’ua bësh qejfin fëmijëve, por edhe familjarët e tu do të mendojnë se të kanë paragjykuar më kot.

Kursime dasme

December 2, 2008

Lista e gjatë e shpenzimeve mund ta bëjë ditën tënde të
dasmës të duket e frikshme dhe thuajse e papërballueshme për xhepat. Por ja që
mund t’ia dalësh të organizosh një festë të bukur dhe të mos rrënohesh
financiarisht. Ne po të japim disa këshilla

Të planifikosh dasmën mund të jetë skajshmërisht stresuese,
sepse duhen vënë shumë gjëra në vend dhe e gjithë kjo është shumë e kushtueshme.
Por një dasmë nuk ka pse të jetë shumë e shtrenjtë për të qenë një përvojë e
mrekullueshme. Ti mund të bësh dasmën e ëndrrave edhe me një pjesë të kostos që
dëgjon të përmendet. Ka shumë mënyra për ta bërë dasmën më pak stresuese e më
pak të rëndë për financat tuaja, kështu ti dhe bashkëshorti i ardhshëm do mund
të keni ca para më shumë për t’i shpenzuar për gjëra që do t’ju duhen për të
nisur jetën në çift.

Sigurisht që në fund të llogarive do ta kuptosh se më lirë se
gjithçka të bie të arratisesh me bashkëshortin e ardhshëm… Gjithsesi, këtu
mund të gjeni disa sugjerime se si të shkurtoni shpenzimet dhe të keni një dasmë
të bukur.

 

Të përgjithshme:

Paracakto buxhetin: Hapi i parë për t’i
mbajtur shpenzimet e dasmës nën kontroll është të krijosh një buxhet. Vendos sa
do të shpenzosh dhe mos e kapërce, të paktën jo për detaje shtesë. Ca para këtu
e ca atje mund ta ngrenë goxha shifrën e shpenzimeve.

Shpenzime parësore: Ka disa gjëra që janë më
të rëndësishme se sa të tjerat për ty dhe dhëndrin e ardhshëm. Jepu përparësi
pikërisht këtyre gjërave që kanë vlerë vërtet për ju dhe shkurto kostot e atyre
që nuk janë aq të rëndësishme.

Thjeshtëzo: Një rrugë për të kursyer para,
por edhe për të zvogëluar stresin, është ta thjeshtëzosh dasmën. Ndonjëherë, pak
është shumë. Vërtet ke nevojë për secilën nga pesë pjatat e darkës për të gëzuar
ditën tënde të veçantë?

Jepi kohë vetes: Duke i dhënë kohë të
mjaftueshme vetes për të bërë plane, nuk do ndihesh e stresuar në përgatitjet e
minutës së fundit, që të detyrojnë të zgjedhësh shërbime dhe produkte më të
shtrenjta. Duke pasur më shumë kohë, ti do të kesh mundësi të bësh blerje me
leverdi dhe jo të zgjedhësh atë që është e gatshme në minutën e fundit. Përveç
kësaj, po të kesh një kartë krediti që grumbullon pikë, do kesh kohë ta
përdorësh, kështu që mund të përfitosh nga këto “shpërblime” për blerjet e
mëvonshme.

 

Veshjet dhe aksesorët

Merr me qira fustanin: Për ato që nuk janë
të fiksuara në idenë që ta kenë fustanin edhe për brezat e ardhshëm, marrja me
qira është një mundësi e mirë (dhe në fakt shumica e nuseve e kanë kuptuar
këtë).

Kërko ulje për qiranë e produkteve të marra në
grup:
Kërko një butik që bën ulje kur aty merren shumë kostume me qira.
Mund të arrijë deri në atë pikë sa me qiratë e smokingëve për shoqëruesit e
dhëndrit, smokingu i këtij të fundit të merret falas në ditën e dasmës.

Bliji këpucët me ulje çmimi: Po t’i shtosh
fjalën “dasmë” çdo gjëje, çmimi rritet në progresion. Këpucët nuk bëjnë
përjashtim. Përpiqu t’i blesh këpucët në një dyqan me ulje çmimi (këpucë që
ngjanë si këpucë nusesh shpesh mbeten në dyqan, sepse është e vështirë të blihen
për jetën e përditshme).

Merr hua nga mikeshat dhe të afërmet: Bëje
më të veçantë tërë dasmën tënde duke marrë hua aksesorët nga familja dhe miqtë.
Të vësh stoli të çmuara të familjes apo një vello të trashëguar do t’i jepte
pamjes suaj, por edhe kujtimeve, një notë personale dhe me kuptim.

 

Lulet

Përdor lulet e stinës: Lulet e stinës janë
shumë më të lira se ato që janë më ekzotike. Kështu, do kursesh shumë dhe
dekoret dhe buqetat do duken po aq bukur.

Ripërdorimi: Ti mund të kursesh para po të përdorësh të
njëjtat lule për të zbukuruar kishën në ceremoninë e dasmës (nëse do ta bëni një
të tillë në kishë) dhe ambientin ku do organizoni festën apo darkën. Pyet nëse
njeriu që do merret me lulet apo një mik mund t’i transportojë. Do ketë rrezik
mos dëmtohen gjatë rrugës, por gjithsesi do t’ju kursejë shumë.

 

Ceremonia

Bëj një festë më të vogël: Festa e dasmës,
nëse bëhet më e vogël, ul shumë nga totali i shpenzimeve, sepse do keni nevojë
për më pak lule zbukurimi, për më pak ushqim dhe pije, për një ambient më të
vogël etj.

Shmang sezonin e pikut të dasmave: Sezoni i
pikut të dasmave është maj-shtator. Një dasmë jashtë këtij sezoni do t’ju
kursente shumë në prenotime.

Mendo si mundësi alternativa të tjera transporti: Në rast se
nuk është dhe aq e rëndësishme për ty që të hipësh e veshur me fustanin e nuses
në një limuzinë apo në pajton, mund të shfrytëzosh një formë tjetër për të
kursyer. Bëhu krijuese. Merr me qira një makinë antike nga një mik ose i afërm
dhe dekoroje për dasmë. Këtij i thonë stil dhe zgjuarsi.

Shkurto listën e të ftuarve: Ki parasysh që
çdo i ftuar që i shtohet listës rrit shpenzimet. Kjo tingëllon si zhurma e dorës
që shtrëngohet, por ndoshta as ti vetë nuk do të ftosh njerëz që nuk i njeh. Fto
vetëm ata me të cilët je shumë e afërt.

Tregohu kreative për vendin: Do ishte shumë
me leverdi po të largoheshe nga ato vendet tipike për dasma. Po të jetë e
mundur, kopshti i një të afërmi apo një vend i hapur i gjelbëruar do ishte ideal
për një ceremoni dasme. Kjo jo vetëm që do kursente ca para, por do ta kthente
në një festë të veçantë dasmën tuaj.

 

Dekorimet

Jo tradicionale. Nuk është e thënë të lësh
shuma të mëdha parash për dekorimin e tavolinave. Lulet, që janë më të
zakonshmet, kushtojnë shumë. Një gotë qelqi ku noton një qiri do ishte perfekte
për t’u vendosur në qendër të tavolinave. Me këtë mund të merret dhe një njeri i
afërm. Produktet e tjera të zbukurimit mjafton të kombinohen mirë dhe do t’i
jepnin tavolinës një pamje feste, edhe pse mund të mos jenë shumë të
shtrenjta.

Bëji vetë dhuratat për të ftuarit. Edhe ato
mund t’i bëni vetë, duke sajuar lule, kartolina, copa tyli, fjongo, por që
marrin një pamje interesante po të jenë të kombinuara bukur.

 

Fotografitë

Tregohu e kujdesshme: Në fakt për këtë nuk
është e nevojshme të këshillosh, por gjithsesi po të kujtojmë: mos merr
fotografin e parë që gjen në numërator apo që të propozojnë. Mundësitë janë,
kështu që kërko alternativën më të mirë.

Të rinjtë e talentuar ose të afërmit:
rast se nuk mund të përballosh një fotograf profesionist, të rinjtë e talentuar
në këtë fushë, sidomos ata që e kanë ndjekur një kurs në këtë profil, janë një
mundësi e mirë për të marrë rolin e fotografit. Për të qenë të sigurt, mund t’i
kërkoni t’ju tregojnë disa nga fotot që kanë shkrepur më parë. Edhe një i afërm
i aftë në këtë fushë mund t’ju vijë në ndihmë ose të paktën për fotot gjatë
përgatitjeve dhe ato me miqtë e familjen.

Stampoji vetë fotografitë: Në rast se
fotografi do t’ju jepte në dorë dhe fotografitë e stampuara, atëherë ju do të
shpenzonit shumë më tepër. Më mirë merrini në CD dhe stamponi ato që ju duhen.
 

 

Ftesat

 

Bëji vetë: Në rast se je e zonja, mund t’i
përgatisësh shumë lehtë. Ti mund të përdorësh programet e kompjuterit tënd dhe
letër të blerë në kancelaritë që e tregtojnë. Nuk kërkon aspak mund, të jep
shansin për ta bërë ftesën sipas fantazisë tënde dhe të kursen.

Shkruaju të ftuarve të përgjigjen online ose në
telefon:
Krahas ftesës, ti mund t’u dërgosh një adresë email-i ose një
numër telefoni, që ata të konfirmojnë praninë e tyre.

 

Muzika

Përgatite vetë diskun e preferuar të
këngëve:
Në vend që të ketë në çdo hap të ceremonisë një grup
muzikantësh, fare mirë ti mund të lësh në sfond muzikën tënde të preferuar. Në
kishë, në koktejin e dasmës apo në mes të interpretimeve live mund të dëgjohen
këngët e tua të preferuara, që kanë një kuptim të veçantë për ty dhe
bashkëshortin e ardhshëm.

 

Merr një orkestër amatorësh: Në rast se nuk
mund të marrësh dot një orkestër dhe këngëtarë profesionistë, gjej disa studentë
ose muzikantë të rinj amatorë. Ndoshta nuk do njohin këngët më të famshme të
dasmave, por do i realizojnë ato thuajse njëlloj si të tjerët.

 

Bëhu DJ i dasmës tënde: Është më e lehtë se
kurrë të jesh DJ i festave. Ti mund të bësh miksimet e tua në një CD. Është një
rrugë e thjeshtë për të qenë e sigurt se gjatë festës do ketë vetëm muzikë që të
pëlqen.

 

Ushqimi

 

Syno për bufe: Ndonjëherë bufetë mund të
jenë më pak të kushtueshme se sa darkat apo drekat ku njerëzit ulen në tavolina.
Konsultohu me një person që merret me këtë nëse mund të jetë një alternativë më
e mirë. Bufetë janë më të thjeshta edhe për të kënaqur të ftuarit që e shijojnë
ushqimin se sa të shtrosh një darkë me shumë mundësi zgjedhjeje.

Kufizo barin e hapur: Ta kufizosh barin e
hapur tradicional në më pak kohë ose në më pak mundësi zgjedhjeje i shkurton me
të vërtetë shpenzimet.

Bëj një tortë më të vogël: Tortat e dasmës
janë të të gjitha formave dhe përmasave, por sa më luksoze pamja e jashtme, aq
më e kushtueshme është torta. Tortat me një kat janë shumë më të lira se ato të
lartat. Në rast se ti do një tortë me kate për të bërë foto duke e prerë, merr
një të vogël dhe ndërkohë përdor një tjetër në formë të thjeshtë për t’ua
servirur të ftuarve. Ajo shijon njëlloj, dhe pse nuk duket njëlloj, kështu që
vendos nëse është e domosdoshme të shpenzosh aq shumë.

Bli me shumicë: Ushqimet dhe pijet janë më
të lira kur blihen me shumicë. Kështu që përpiqu të blesh gjërat kryesore
kështu. Vera dhe shampanja mund të sjellë një ulje të dukshme shpenzimesh po të
mos blihet në shishe.

Next Page »