Ju sfidoj të gjithëve
January 11, 2009
|
|
|
Bionde si kukulla dhe ish-mise me këmbët kilometrike. Prezantuese të vjetra dhe ato që sapo vënë këmbë në televizione. “Siç i kam prezantuar unë ato programe, nuk do ta bënte askush tjetër”, tregon Arbana Osmani në një rrëfim aspak modest. Ama të përligjur: e kush do ishte me këmbë në tokë nëse do pushtonte ekranin më të lakmuar në vend?!
Klaudeta Skënderasi
Foto: Geljant Kaleci
Veshje: Chic Studio
Takimi me të nuk është edhe aq i thjeshtë. Jo sepse Arbana është një vajzë e pasjellshme apo më keq akoma sepse i pëlqen të bëjë të rëndësishmen, si shumica e personazheve të njohur, por sepse e ka thuajse të pamundur të gjejë një xhep kohë për të na takuar. Emisioni në radio, provat për “Super Model”, pastaj provat për “E diell”, pastaj një reklamë, pastaj… Është gjatë gjithë kohës në lëvizje. Bashkë me “Big Brother 2”, që do të fillojë së shpejti, të gjithë spektaklet më të rëndësishëm në “Top Channel” janë në duart e Arbanës. Mos Top-i është në krizë me prezantueset, që i paskan besuar asaj projektet më të mëdha?! Apo Arbana qenka kaq e pazëvendësueshme?! Quajeni si të doni, përfundimi ngelet po ai: Arbana Osmani ka pushtuar një nga ekranet më të mëdhenj televizivë dhe i ka sfiduar të gjithë, sidomos ata që nuk kanë besuar kurrë se ajo vajza imcake që s’ta mbushte syrin do të bëhej një ditë një nga prezantueset më të fuqishme, që do t’u rrëmbente kolegeve të saj të gjitha skenat e spektakleve më të reja që kanë thithur audiencën më të madhe e do të thyente ca rregulla të pashkruara, sipas të cilave harroje se mund të bëhesh prezantuese pa qenë së paku një e tetëdhjetë e pa pasur ca forma trupore të hatashme. Ajo nuk ka as njërën e as tjetrën. As këmbët kilometrike, as buzët mishtore, as flokët e verdhë e as sytë e kaltër. Ia ka dalë mbanë edhe pa të gjitha këto. Edhe pse përvoja ka treguar krejt të kundërtën: se pa ato format trupore, më mirë zgjidh një profesion tjetër, edhe pse mund të jesh e shkathët, edhe pse mund të flasësh rrjedhshëm, edhe pse mund të kesh përvojë radiofonike të gjatë… Kamera është tjetër gjë. Të do të bukur. A nuk ishte edhe Alketa Vejsiu një prezantuese shumë e mirë? A nuk kishte përvojën disavjeçare në radio dhe ishte kthyer në imazhin e “Top Albania”-s? Ama dalja në ekran (me gjithë mbështetjen e pakursyer të Vera Grabockës) e detyroi të kalonte më parë nga kirurgu estetik, të limonte kurrizin e hundës, të bëhej bionde e më pas t’ia niste një karriere për së mbari. Ekzaktësisht nga e njëjta studio radiofonike ka dalë edhe Arbana Osmani, duke kaluar nëpër të njëjtat emisione e duke u njohur së pari për zërin (që tani e përdor në disa reklama) e më pas duke u shfaqur pak nga pak në ekran, fillimisht me emisionin “Select” e më pas me të gjitha edicionet e “Top Fest”-it. Ashtu siç qe, pa u përpjekur të dukej ndryshe nga ç’ishte. E duket se një gjë të tillë nuk ka ndër mend ta bëjë as tani. As të ndryshojë vazhdimisht ngjyrën e flokëve, as të fryjë buzët e as të bëjë ndonjë ndryshim tjetër, qoftë edhe të vockël fare.
Pse?
Sepse mua më pëlqen vetja, sepse kështu me duan njerëzit e mi më të dashur, sepse e ndiej se kështu më duan edhe ata që nuk i njoh. Pastaj ca komplekse nuk i njoh fare. Për mua ka rëndësi vetëm kjo: që autorët e programeve më kanë besuar disa nga spektaklet më të rëndësishme dhe mendoj se ua kam shpërblyer besimin.
Nuk të ka shkuar ndonjëherë ndër mend të ndryshosh?
Jo, asnjëherë, dhe as besoj se do më shkojë ndonjëherë. Unë nuk besoj se ekrani do njerëz të ndërtuar. Ekrani do njerëz natyralë e mbi të gjitha të lexuar e të aftë.
Po të tjerët ta kanë këshilluar ndryshimin?
Më ka ndodhur shpesh të më propozojnë një ndërhyrje që do të m’i bënte buzët më të plota apo gjëra të tjera, por nuk kam pranuar. Ndihem kaq mirë kështu dhe pa gjatësinë 1.80, edhe pa format perfekte trupore. Pa pasur asnjërën prej tyre, kam arritur atë që kam dashur gjithmonë. Megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk kujdesem për veten.
Si kujdesesh?
Për shembull bëj palestër. Edhe pse jo shumë e rregullt, përpiqem që të shkoj të paktën dy herë në javë. Bëj kujdes me ushqimin.
Që do të thotë?
Që do të thotë sa më shumë ushqime të shëndetshme të tipit: sallatë, supë, rizoto, që zakonisht më pëlqen që t’i gatuaj edhe vetë, dhe u rri larg fast food-eve. E shkel ndonjëherë me verën, po…
Po qendrat estetike i frekuenton?
Ah, ato jo. Mërzitem shpejt dhe nuk kam nerva të rri me orë të tëra duke humbur kohën me gjëra të kota. Edhe thonjtë i lyej vetë në shtëpi.
Po për sa i përket veshjes?
Kam fatin e mirë që shoqja ime e ngushtë Rovena është drejtore artistike e “Top Channel”-it. Është ajo që kujdeset për veshjen time të skenës apo që më kujton të lyej flokët se më ka dalë rrënja duke më njohur mirë e duke e ditur se pas detajeve të tilla unë nuk jam shumë e vëmendshme.
Pa qenë vajza e pispillosur e bukuroshe, por me shumë këmbëngulje e aty këtu edhe me kokëfortësi (që e karakterizon deri edhe tek gjërat e vogla, kur kërkon që të dalë gjithmonë e saja), ia ka dalë mbanë të jetë një nga prezantueset më të mira edhe duke thyer ca ligje femërore e bukurie e duket se nuk gënjen aspak kur thotë se ca komplekse që shumë femra i kanë në gen, Arbana as që i njeh fare. Ndryshe si mund të ngjitej në skenë e të prezantonte një konkurs mirëfilli bukurie si “Super Model of the World” e t’u qëndronte përballë ca vajzave bukuroshe e të gjata duke mos u ndier aspak inferiore?! Nuk është ndier asnjë çikë. Ajo ka dashur spektaklin dhe kaq i ka mjaftuar. Për të kjo është shumë më e rëndësishme sesa një palë këmbë të gjata. Kështu ka funksionuar që në fillim. Një emision në radio, pastaj një në televizion, pastaj edhe një tjetër, edhe një tjetër… Pa pasur asgjë të shtruar para këmbëve përveç durimit dhe një besimi për t’u admiruar, të cilin e ka pasur që në fillim fare, kur ende 17 vjeç, synonte ekranin duke kaluar më parë nga studiot e Top Albania Radios. Kjo e Arbanës nuk është një histori përrallash e as ndonjë finale mes fishekzjarrëve, si ajo e shumicës së vajzave të ekranit që gdhihen askush e ngrysen dikush, thjesht sepse fati u ka prirë për të takuar njerëzit e duhur, sepse janë shfaqur në spektaklet e duhura apo akoma më thjesht sepse janë shumë të bukura. Kjo është një histori tjetër, e një vajze të vogël, fare të vogël, që pa pikë droje u shfaq në studiot e radios më të madhe me një synim të qartë në kokën e saj: do të bëhej prezantuese televizive dhe për t’ia arritur kishte gjithë durimin e botës, për të pritur e për të bërë gjëra fare të vogla, për të ardhur pastaj pas shumë kohësh tek ato të mëdhatë.
Kush të ka ndihmuar për t’u bërë prezantuese?
Askush. Aq më pak prindërit e mi, që s’kanë pasur kurrfarë lidhje me radion apo televizionin. Gjithçka e kam arritur vetë.
Si?
Po ja, fillimisht trokita në derën e “Top Albania Radio”-s dhe kërkova që të punësohesha aty si prezantuese e ndonjë emisioni. Dija vetëm kaq që doja të punoja aty. Kisha me vete pasionin dhe guximin për t’i thënë gjërat ashtu siç më vinte.
Çfarë gjërash?
Gjëra që mund të thotë një vajzë e vogël. Për shembull, kur kam hyrë për herë të parë në studio, kam thënë: kjo perdja s’më pëlqen fare. As Alketa s’më pëlqen. Në fakt mua as radioja nuk më tërhiqte siç më tërhiqte televizioni.
Por këtë nuk e the, apo jo?
Jo, sepse radioja do të më ndihmonte për të arritur televizionin dhe për t’u bërë prezantuese televizive. Sepse e kisha ndarë mendjen qëkur bëja spektaklet nëpër shkallët e pallatit, të cilat i organizoja vetë, i prezantoja vetë dhe i fitoja po vetë, se një ditë do arrija të bëhesha prezantuese prej vërteti.
Po këtë ëndërr mund ta kenë me mijëra vajza të vogla që bëjnë spektakle me shoqet nëpër shkallët e pallatit…
E vërtetë, por për mua ishte një plan që unë kisha vendosur ta realizoja me çdo kusht, sepse e ndieja që isha e aftë, nuk kisha pikën e drojës t’i dilja kamerës përpara. Por para se të ndodhte kjo, më duhej në fillim radioja, që do të më ndihmonte për të arritur aty ku doja. Si fillim nisa të prezantoja hit paradat e këngëve e më pas m’u besua “Goodmorning Albania”.
Tani që kanë kaluar dhjetë vjet Arbana do t’i bënte symbyllur ato emisionet e dikurshme. Ama atëherë gjërat nuk ishin aspak siç janë tani. Duhej të kapej me thonj pas asaj që kishte arritur. Kishte futur këmbët në radion më të madhe e nuk do të hiqte dorë për asnjë arsye në botë. E për të mos hequr dorë nga aventura që sapo kishte filluar, por edhe të mbante fort të tjera gjëra që kishte arritur (prindërit do të alarmoheshin e do të ndërhynin menjëherë që ajo të hiqte dorë nëse vajza e tyre, për hir të pasionit të saj, do të binte qoftë edhe fare pak nga mesatarja e notave), i duhej të bënte jo pak sakrifica, të cilave do nuk do t’u trembej edhe po t’ua niste nga e para. Të zgjohej shumë herët në mëngjes, të bënte gjithë atë rrugë më këmbë, nga shtëpia e saj deri te studiot e radios me vëllanë për dore, pastaj me vrap të përpiqej të kapte orën e parë të mësimit.
E megjithatë dikush ka besuar tek ty.
Po, sigurisht. Pa besimin e Bojken Lakos, unë nuk do isha këtu ku jam. Dhe jo vetëm të tij. Jeta është treguar shumë bujare me mua. Përveç Bojkenit, dy njerëz që kanë besuar gjithmonë tek unë dhe që më frymëzojnë vazhdimisht janë Rovena (kostumografia dhe mikesha ime më e mirë) dhe i dashuri im. E megjithatë, kur e mendoj shpesh, më vjen çudi se si Bojkeni besoi tek unë.
Kishte ndonjë arsye për të mos besuar tek ti?
Unë isha një çerre që nuk dija të artikuloja mirë, e veshur keq dhe mendoja se arma më e fuqishme që kisha ishin gjuhët e huaja që dija. Në atë kohë as unë nuk do t’i kisha besuar vetes.
Po tani?
Tani gjërat janë krejt ndryshe. Kam përvojën e shumë viteve dhe një listë programesh të realizuara jo vetëm si prezantuese. Sepse kam kërkuar gjithmonë të jem në brendësi të programit që kam prezantuar dhe nuk kam qenë asnjëherë një prezantuese edhe kaq. Në “Super Model” jam edhe prezantuese, edhe koordinatore; në “Top Fest” edhe prezantuese dhe as. regjisore; në “Big Brother” edhe prezantuese, edhe autore.
Mendon se ia ke zënë rrugën ndonjë prej kolegeve të tua?
Mua dhe kolegeve të mia shanset na u janë dhënë të barabarta, në mos atyre më shumë. Në “Top Fest 1” u zgjodh Evis Mula si prezantuese kryesore dhe unë si dytësore. Dhe në fund, në finale shkova unë në të gjitha edicionet. Më pas unë pak pasur në krah prezantues të tjerë të rinj shumë të aftë, por ishte figura ime që u identifikua me “Top Fest”-in dhe jo vetëm me të, por me çdo program tjetër muzikor në “Top Channel”. Po të kisha dashur t’i kisha zënë rrugën njeriu, unë nuk do isha larguar nga “Top Fest”-i, as nga “Select”-i, as nga “Top Show” muzikor, por gjithmonë kam dashur të eksperimentoj në programe të reja dhe t’u lë shansin prezantuesve të rinj të gjenerojnë ide të reja dhe forma të ndryshme prezantimi. Dhe, ma lejoni mungesën e modestisë, në atë kohë që janë bërë, askush nuk do t’i kishte prezantuar më mirë se unë asnjë nga këto programe.
Shumëkush kërkon të arrijë atë që ke arritur ti. Ka edhe nga ata që gjejnë plot mënyra për t’ia arritur qoftë edhe me ndonjë prapaskenë. Sa herë të kanë thurur intriga?
Ndoshta kjo që do them mund të duket mendjemadhësi, por më beso, nuk është ashtu aspak. E kam filluar profesionin tim që e vogël fare dhe jam rritur këtyre korridoreve. Nuk ma hedh dot njeri.
Pikërisht një e rrahur me vaj e me uthull kërkohej për t’i besuar një nga programet që do të thithte audiencën e të gjitha moshave. Arbana vetë kishte menduar se prezantues i “Big Brother” do ishte ndonjë nga më të njohurit në Shqipëri. Nuk e dinte me saktësi se kush mund të ishte, ama dinte këtë tjetrën: atë program e donte ajo dhe pikë! I kishte shprehur dëshirën drejtorit të televizionit, por iu duk e pabesueshme kur pas një periudhe jo fort të shkurtër kohe presidenti i ndjerë i “Top Channel” me një sms i uronte suksese. “Big Brother” ishte i saji. Dhe nuk ishte kurrsesi një spektakël më shumë në listën e saj. Ishte tjetër gjë. Ai program në të cilin Arbana mund të krahasohej me cilëndo nga prezantueset e të njëjtit format përtej Shqipërisë, e renditi përfundimisht si një nga prezantueset më të mira, duke “zhgënjyer” të gjithë ata që nuk kishin besuar deri më atëherë se ajo do t’ia dilte. Në fakt ia doli, dhe më së miri madje. Vetëm pak më vonë do të kuptohej se kishte fituar më shumë sesa thjesht një emër të mirë. Kishte fituar që këtej e tutje të gjitha spektaklet që po reklamoheshin fort në “Top Channel” në fillim të sezonit të ri televiziv. “Big Brother 2” ishte vulosur tashmë. Edhe “Ti vlen” do kishte pasur atë si prezantuese nëse Arbana do kishte pak më shumë kohë. Sepse ndërkohë kontrata ishte nënshkruar me “E diell”, spektaklin e së dielës. Këtu po që Arbana ka thyer një rekord që deri më tani nuk e ka bërë as edhe një prej atyre që kanë guxuar t’i qëndrojnë në krah një prezantuesi kalibri si Adi Krasta.
Po prezanton me Adi Krastën. Ç’do të thotë për ty?
Sigurisht që kjo është diçka që më pëlqen veçanërisht. Kam shumë për të mësuar prej tij.
Nuk ke frikë se mos përfundon duke bërë rolin e kukullës?
Jo. Sepse unë nuk jam kukull. Sepse Krasta nuk më trajton si të tillë. Pastaj unë nuk e kam luajtur ndonjëherë këtë rol kur kam prezantuar me partnerë në skenë.
Këtë e kemi vënë re të gjithë, por Krasta është Krasta, showman-i që i ka kthyer
automatikisht në kukulla të gjitha vajzat me të cilat është gjendur në skenë dhe që
janë zgjedhur enkas të tilla: thjesht të bukura. Ja që edhe në krah të tij Arbana ia
ka dalë. Këtu një batutë e atje një ironi për veten, këtu pak shaka aty një intervistë
të realizuar, dhe ja ku na i ka mbushur mendjen të gjithëve. Thjesht duke dalë në skenë, duke bërë atë që di të bëjë më mirë. Pa ndjekur asnjë model e pa shfrytëzuar as edhe njëherë të vetme jetën e saj private nëpër faqet rozë të shtypit për të qenë pak më shumë e lakuar e pak më shumë e njohur. Sepse askush nuk mund të thotë se Arbana është konsumuar nëpër revista thashethemesh e as ndonjë nga kolegët tanë nuk mund të thotë se ka marrë ndonjë telefonatë prej saj të tipit: unë tani po pi kafe me të dashurin tim, ju më fotografoni! Të rrallë janë ata që dinë diçka për jetën e saj private.
Pse kaq e fshehur?
Sepse jeta ime është jeta ime – nuk më ka pëlqyer për asnjë moment ta bëj publike, sidomos për hir të njerëzve të mi të dashur.
Është e vërtetë që je e martuar?
Kjo nuk ka kurrfarë rëndësie. Unë jam e dashuruar. Unë bashkëjetoj që prej 7 vjetësh me të dashurin tim.
Bashkëjetesa është tjetër gjë dhe martesa është tjetër gjë.
Në fakt për mua nuk kanë asnjë dallim njëra nga tjetra.
E megjithatë asnjëherë nuk e ke bërë publike lidhjen tënde e as partnerin tënd. Pse?
Së pari, sepse dua të mbaj çdo gjë timen larg syve kureshtarë dhe së dyti, sepse unë respektoj të drejtën e tij për privatësi. Unë nuk jam një personazh që dal në ekran me qëllimin për t’u bërë e famshme në këmbim të jetën sime private. Nuk e kam bërë dhe nuk besoj se do ta bëj ndonjëherë. Të njohur më bën thjesht puna ime. Çdo gjë tjetër që kalon përtej kësaj do të ngelet thjesht çështje personale.
Ja pra, kjo është Arbana!
A mund të ndryshohet një burrë?
January 11, 2009
|
|
|
Rrumbulloni këndet, eliminoni defektet, përshtatni disa sjellje… ai mund të jetë i përkryer. Mision i mundur? Po. Me kusht që të ndiqni disa rregulla
Jeni kokë e këmbë të dashuruara. Por ndonjëherë ai ju duket një tip shumë shtëpiak. Ose, kur i flisni, nuk e ka shumë mendjen.
Si të thuash: shumë kështu dhe jo aq shumë ashtu. Por do arrini ta ndryshoni, për këtë jeni të sigurta.
Kjo është normale: dëshira për ta shtyrë partnerin të përmirësohet është tipike femërore. “Ky rol është rrënjosur në ndërgjegjen kolektive”, shpjegojnë psikiatrit. “Dhe në një plan më personal, shpesh, gruaja shfaqet si e aftë të menaxhojë jetën në çift dhe familjen”. Për të arritur këtë objektiv, gruaja është e gatshme të bëhet copë e çikë. “Një burrë i zhgënjyer nga gruaja e vet, “mendohet pak mbi këtë gjë” dhe më vonë largohet nga ajo, duke kërkuar diku tjetër një formë kompensimi”, bëjnë të ditur disa filozofë. “Gratë, në të kundërt, i përballojnë problemet dhe përpiqen t’i korrigjojnë defektet që e bëjnë më pak joshës burrin që duan”. Në fillim shkon çdo gjë mirë. “Të biesh në dashuri do të thotë të krijosh iluzione, thonë psikiatrit dhe terapistët e çifteve, një iluzion i shëndoshë ama, pa të cilin nuk do kishte as tërheqje. Por shpesh, disa aspekte të vlerësuara në fillim përfundojnë duke mos të të pëlqyer më, kur jeta dhe rutina e bëjnë të zakonshëm imazhin e tij, deri në atë kohë, të mitizuar”. Shembull: ambicia shihet si karrierizëm, sensi i humorit kthehet në një bezdisje dhe dinamizmi në pamundësinë acaruese për ta parë të rrijë i qetë. Pra, ajo që dikur të dukej interesante, sot të lodh.
Është e vërtetë që të thërrasësh në gjyq një anë të karakterit, do të thotë të vësh në rrezik konceptin e dashurisë ideale, që përfshin dhe pranimin e plotë të njeriut që do. Pra, të rrezikosh që ai të të kthejë shpinën. Prandaj preferon të shpresosh se vetë dashuria do t’i rregullojë gjërat, por butësisht. Një shpresë e vakët, që rrallë gjen mbështetje në realitet. Dëshirat e subkoshiencës ngelen kartë e djegur. Duhet kaluar në fazën e veprimit.
Po kujdes: duhet reaguar atëherë kur je e bindur se marrëdhënia juaj është solide, që partneri është aq i mësuar me ty sa të pranojë kritikat.
Të dish t’i prezantosh kërkesat
Të flasësh mund të kthehet edhe në një manovër shumë të guximshme. “Burrat, ish-djem të mësuar t’u plotësohen të gjitha dëshirat, e kanë të vështirë të pranojnë se po u vihet në diskutim mendimi”, nënvizojnë psikiatrit. “Për t’u bërë autonomë, u është dashur të luftojnë ndaj dashurisë ndërhyrëse të nënës dhe ja ku jeni tani ju, vullneti tjetër femëror që kërkon t’i mësojë një kod të dhënë sjelljeje, me të cilën atij i duhet të merret. Dhe është normale të marrin zjarr konflikte”. Sidomos po t’i merrni gjërat me inat. “Kërkesat për të ndryshuar nuk pranohen lehtë. Forma që zgjedh pastaj, mund të duket si fajësim, dhe pse nuk duam”, thonë psikiatrit. “Kush merr një vërejtje, mund të bëhet shumë i ndjeshëm përballë teknikave të njëjta që përdornin prindërit dhe të rigjendet në pozicionin e një fëmije”.
Sipas specialistëve ekziston një mënyrë atërore fajësimi: “Ti nuk i bën detyrat që merr përsipër!”; një mëmësore: “Po të më doje, nuk do silleshe kështu…”; një vëllazërore: “Nuk bën asnjë përpjekje për t’u kujdesur për shtëpinë dhe fëmijët. Nuk më ndihmon fare”. Për t’u mbrojtur, burri kundërsulmon dhe nis një betejë e vërtetë: hakmarrje të vogla, turinj të varur. Një rreth vicioz. Plotësisht i mjaftueshëm për të shkatërruar ditët.
Mos e konsidero një çështje pushteti
Të bisedosh? Sipas psikiatërve, nuk është ky shëruesi i të gjitha të këqijave, sepse dialogu sjell një përballje të partnerëve, në të cilën zemërata mund të ngjitet në qiell. Nëse duam që tjetri të na dëgjojë dhe të na kuptojë, më mirë të reflektojmë më parë. “Ndonjëherë ndonjë email i shkruar me humor ose ndonjë gjest zhdramatizues e sjell si duhet një kërkesë”, tregojnë specialistët. Për shembull, nëse ti je e lodhur nga rrëmuja që ai bën në tualet, mund të shkrepësh disa foto nga peshqirët dhe shampot e ngatërruara pasi ai del nga tualeti për disa ditë me radhë, mund t’i montosh në kompjuter e t’ia nisësh me email si një film të frikshëm vizatimor. Kjo do mirëpritet e me siguri ndonjë efekt do ketë.
Po mirë që mund të përdorim këto taktika për t’i ndryshuar sjelljet, po nëse do donim të vinim në diskutim bindjet politike ose pikëpamjen e tij për botën, për ne shumë materialiste? “Gjëja më e rëndësishme është vija ndarëse”, saktësojnë filozofët. “Këtë ndryshim ti e do për veten tënde apo për të përfituar çifti? Bëhet fjalë për të ushtruar pushtet? Për ta rimodeluar partnerin sipas imazhit tënd? Gjurmët e lëna nga dashuritë e mëparshme të shpërthejnë xhelozinë? Të gjitha arsye shumë të gabuara që të shtyjnë ta manipulosh tjetrin ose të përçmosh atë që është”.
Që të pranojë përpjekjet tona, është e nevojshme që dhe ai të gjejë një përfitim për rritjen e tij ose për çiftin. Një jehonë që delikatesa dhe ëmbëlsia mund ta sigurojnë.
Po si t’i menaxhojmë motivet tona kur ato janë “perverse”? “Ndryshimet që dëshirojmë t’u bëjmë njerëzve që duam, ndonjëherë fshehin mungesat që kemi”, thonë psikiatrit. “Në rast se shohim që një veprim i partnerit provokon një mbyllje ose një reagim të skajshëm, duhet të shkojmë në rrënjët e kësaj, që mund të jenë në fëmijërinë tonë ose në përvojat e mëparshme sentimentale. Kjo ndihmon të kuptosh pse disa sjellje të partnerit bëjnë të shpërthejnë kujtime të dhimbshme apo emocione të forta. Po ta shohim me sy mirëkuptues veten kur kemi qenë fëmijë, do na bënte të mos kërkonim nga partneri të vendoste rregull në të shkuarën tonë apo t’i bënim të provonte atë që kemi përjetuar. Ngadalë pjesa e tepërt e pengjeve tona do priret të zvogëlohet dhe ne do jemi të gatshme të braktisim kritikat ose, përkundrazi, të përshtatim kritika konstruktive. Ulërima: “Për ty nuk ekzistoj!” mund të zbutet duke thënë: nuk më pëlqen kur nuk më puth kur vij në shtëpi… apo kur nuk flasim gjatë darkës”.
Mos u jep shumë rëndësi veprimeve
Siç na e bëjnë të ditur psikoterapeutë dhe filozofë, përveç ankesave për mosndarjen e përgjegjësive shtëpiake dhe të rritjes së fëmijëve, kërkesat më të zakonshme janë në drejtim të dashurisë dhe identitetit: “Nuk më thua sa më do; nuk e di sa vlej”. Kjo, siç thonë specialistët, është e justifikuar. Shumë burra, zakonisht, e quajnë të mirëqenë dashurinë e tyre e i vlerësojnë si pak mashkullorë gjestet që shfaqin afeksion, ndërsa gratë, nga ana e tyre, e mbivlerësojnë rëndësinë e simboleve. Sekreti qëndron në bindjen se ndryshimet mund të bëhen vullnetarisht. Do duhet një proces i gjatë, në të cilin dy protagonistët do vendosin të angazhohen dhe të investojnë energji. Pra, nëse jeni të lodhura nga një burrë që është pak i pranishëm, mund të nisni t’i vini në vend gjërat duke pyetur: “Çfarë mund të bëjmë që të shihemi më shpesh e më mirë?”, në vend që të mjaftohemi duke thirrur: “Punon shumë dhe kur je në shtëpi; je gjithmonë i ngjitur para televizorit”. Do vini në dukje atë që mund të bëni më mirë dhe të sillni propozime konkrete. Secili mund t’u japë kështu peshën e duhur gjesteve të vogla, të nënvlerësuara më parë, duke marrë dhe një shtysë inkurajuese.
Lëshime, kompromise, durim… Po të duam të dalim fitimtare, duhet të boshatisim fushën nga siguria klasike: “Unë jam e përkryer; ai e ka gabim”. “Çifti bashkëkohor, mbështetur në reciprocitet dhe fluiditetin e roleve, shtyn mashkullin dhe femrën të përmirësohen vazhdimisht”, thonë psikiatrit.
Do ishte vërtet mëkat pra, të përfundohej një lidhje, kur zgjidhjen e ka në dorë gjithsecili, madje… në zemër.
Somario
Nëse duam që tjetri të na dëgjojë dhe të na kuptojë, më mirë të reflektojmë më parë
Çiftet e sotëm, të mbështetur në fluiditetin e roleve, përmirësohen gjithmonë






Recent Comments