Unë jam estetistja ime
November 15, 2008
Dëshirë për bukuri natyrale? Zgjidh kozmetikën që bën për ty. Për të pasur produkte pa konservantë dhe kimikate, zgjidhja më e mire është të përdorësh thjesht produktet që ke në shtëpi për një trajtim efikas, por edhe ekonomik
Fytyrë, trup dhe flokë: zbulo recetat tona, që mund të realizohen në kushtet e shtëpisë. Për të qenë e bukur natyralisht!
Maska pastruese ekologjike
Lëkurë e yndyrshme duhet të trajtohet me delikatesë, për të mos e përkeqësuar situatën
Zgjidhja
Një maskë pastruese dhe forcuese, që shkëlqen ngjyrën, ndalon prodhimin e yndyrës, frenon formimin e pikave të zeza, zvogëlon poret dhe lëkura nuk shkëlqen më.
Përbërësit
një tas
3 lugë mjaltë grek
20 cl ujë trëndafilash
6 pika vaj esencial livande, për të ekuilibruar sekrecionet e yndyrës
Receta
Përzje mjaltin me 1 lugë ujë trëndafilash dhe 6 pika vaj esencial livande. Vendos një shtresë mbi gjithë fytyrën dhe veçanërisht në zonën T (mjekër, hundë, ballë). Lëre për 15 minuta. Bëj një masazh të lehtë me majat e gishtave. Shpëlaje. Përsërite maskën një herë në javë mbi lëkurë të pastër dhe të thatë.
Lëkurë me shkëlqim
Lodhje, stres, vapë, ftohtë dhe lëkura humbet shkëlqimin. Në raste të tilla, ta ekzagjerosh me make-up nuk vlen.
Zgjidhja
Një ritual hidratues me dy lëvizje, që duhet përsëritur çdo mëngjes.
Përbërësit
një flakon i vogël me pompë (20 cl)
një flakon me ujë lulesh portokalli, me veti hidratuese
10 cl vaj karote
10 cl vaj trëndafilash mosqueta, që rregullon formimin e yndyrës
Receta
Çdo mëngjes, për të tonifikuar lëkurën, përdor vaj lulesh portokalli. Përhape mbi fytyrë duke lagur një tampon pambuku. Përzje vajin e karotave me vajin e trëndafilit dhe hidhe përzierjen në flakon. Masazhoje fytyrën me këtë koktej çdo mëngjes, para se të grimohesh. Nëse ke lëkurë shumë të thatë, përdor vaj argani dhe, nëse lëkura është e yndyrshme, zgjidh një përzierje me ujë dhe vaj trëndafilash, për të ekuilibruar prodhimin e yndyrës.
Rrathët poshtë syve eliminohen kështu
Do të dukeshim, sigurisht, më të bukura pa to. Por t’i fshehësh poshtë një shtrese të trashë make-up-i, nuk vlen për asgjë
Zgjidhja
Një maskë e ftohtë për të shfryrë dhe për të freskuar shikimin.
Përbërësit
Bustina të zakonshme çaji
Receta
Pasi bustinat t’i kesh zhytur një herë në ujë, hiqi dhe vendosi në frigorifer për rreth 12 orë. Vendos një në çdo sy dhe mbaji për rreth 10 minuta. Aplikoje mbi lëkurë të lagur, sepse depërton më shpejt. Përsërite trajtimin sa herë që ta ndiesh të nevojshme. Rezultati është i shpejtë dhe befasues.
Kur sytë janë të ndjeshëm
Pastruesit klasikë të make-up-it të irritojnë lëkurën dhe nuk e pastrojnë mirë rimelin? Harroji sytë e kuq dhe qepallat e acaruara: zgjidh një produkt natyral dhe delikat!
Zgjidhja
Të ëmbël, efikasë dhe hidratues, vajrat pastrues e kanë dhënë provën e efikasitetit. Provoji dhe ti!
Përbërësit
një flakon-pompë transparent
një tas i vogël
10 cl vaj recini
20 cl vaj bajamesh të ëmbla
20 cl ujë lulemisri, me veti qetësuese

Receta
Përzje në tasin e vogël vajin e bajameve të ëmbla me vajin e recinit, duke i shtuar ujin e lulemisrit dhe hidhe më pas masën në flakonin-pompë, perfekt për të konservuar produktin. Përdore çdo mbrëmje duke lagur një pambuk tamponi.
Maska që shkëlqen flokët e thatë
Tharëse, bojë, shampo agresive… flokët humbasin shkëlqimin dhe thahen
Zgjidhja
Një maskë ushqyese me fruta, e pasur me fibra dhe vitamina.
Përbërësit
një mango
një pjeshkë ose një kajsi
2 lugë vaj ulliri
kos
një lugë drithëra
Receta
Kalo në mikser frutat, kosin dhe drithërat, shto vajin e ullirit dhe aplikoje përbërjen mbi flokë. Lëre për 30 minuta. Shpëlaje me ujë të bollshëm dhe lëri flokët të thahen pa përdorur tharëse.
Që flokët biondë të shkëlqejnë
Të lyer apo jo, flokët biondë tentojnë të duken të fikur dhe pa gjallëri.
Zgjidhja
Një trajtim i veçantë, ekstra dhe delikat
Përbërësit
një tenxhere
një tas
një kullesë e vogël
një bustinë lule kamomili
lëng nga një limon
mundësisht një ditë e bukur me diell
Receta
Kamomilin vëre të ziejë për 20 minuta në ujë të vluar, lëre të ftohet për 20 minuta të tjera dhe pastaj kulloje. Hidhe ngadalë lëngun mbi flokët e larë, duke e mbledhur sërish ujin që bie në një enë. Shtoji ujit lëngun e limonit dhe hidhe sërish mbi flokë. Lëri flokët të thahen në diell, për të shtuar efektin ndriçues. Përsërite 1-2 herë në muaj.
Zgjidhja biologjike për flokët e yndyrshëm
I lan, i lan, i lan por ato janë përsëri të yndyrshëm! T’i lash shpesh flokët me yndyrë s’bën gjë tjetër veçse e përkeqëson situatën.
Zgjidhja
Një vaj kurues që stimulon lëkurën dhe limiton prodhimin e yndyrës.
Përbërësit
Vaj Neem-i, një përbërës i mrekullueshëm, i përdorur prej shekujsh në kurat e bukurisë.
Receta
Është e mjaftueshme që të aplikosh disa pika vaj Neem-i në lëkurën e kokës dhe të masazhosh me delikatesë rrënjët. Kujdes të mos irritosh lëkurën duke provokuar efektin e kundërt: duke shtuar sekrecionin e yndyrës. Lëre në qetësi për disa minuta, shpëlaji dhe laji më pas flokët me shampo. Përsërite trajtimin 1-2 në muaj, jo më shumë.
Anticeluliti i gjelbër
Celuliti, qoftë me origjinë hormonale apo gjenetike, është gjithmonë shumë i vështirë për t’u eliminuar: duhet luftuar çdo ditë dhe jo vetëm para se të shkosh në plazh.
Zgjidhja
Një zgjidhje anticelulit dhe një masazh me një vaj të bërë në shtëpi, që parandalon shtimin e lëkurën së portokallit.
Përbërësit për vajin
një flakon prej 50 ml
12 cl vaj bajamesh të ëmbla
5 pika vaj esencial qitroje
5 pika vaj esencial livande
disa pika ekstrakte dhe gjethe dredhke
Për ekstraktin
një tenxhere
një mikser
10 gjethe dredhke
5 pika vaj bajamesh të ëmbla
Receta
Zieji gjethet e dredhkës në ujë të valuar për 20 minuta. Shuaje flakën dhe lëre të ftohet për 20 minuta. Kulloji gjethet dhe miksoji me pikat e vajit të bajameve. Lëre lëngun mënjanë.
Përzje vajin e bajameve të ëmbla me vajin esencial të qitros e livandës me pesë pika ekstrakt dredhke. Vendos gjethet e dredhkës të miksuara mbi zonat me celulit dhe lëri për 30 minuta. Shpëlaji dhe më pas vendos përbërjen me vajra esencialë, pastaj bëj një masazh të mirë që produkti të depërtojë.
Pija e një barku pjatë
Stres, hormone, ushqyerje e gabuar… barku i fryrë është një shqetësim i përhershëm, i bezdisshëm e mbi të gjitha antiestetik.
Zgjidhja
Një esencë antifryrje, që pihet në mëngjes dhe disa herë të tjera gjatë ditës.
Përbërësit
çaj i bardhë ose jeshil
lëngu i një gjysme limoni
Receta
Çdo mëngjes, në vend të çajit apo kafesë të zakonshme, pi një filxhan me çaj të bardhë ose jeshil, që i ke shtuar më parë edhe lëngun e një gjysme limoni. Kjo pije dezintoksikuese pastron organizmin. Pije edhe pas një dreke të rëndë ose në çdo rast kur fillon të shfaqet ndjesia e fryrjes.
Fustani, kthim në stil
November 12, 2008
Ka frymëzuar të gjithë stilistët dhe ka çmendur të gjitha yjet që e veshin, si gjatë ditës ashtu edhe nëpër mbrëmjet mondane. Sigurisht, duke e shoqëruar me aksesorët e duhur. Fustani me model bust është ai që të duhet në çdo rast
U imponua ngadalë, në mënyrë diskrete, me hapa elegantë, por ndërkohë arriti të bëhej kulti i vitit 2008. Fustani-bust i ka magjepsur të gjitha dhe është kthyer në modelin më të preferuar. Sepse është një veshje klasike, por edhe trendy.
Një klasik gjithmonë fashion
Fustani bust ka shumë avantazhe. Para së gjithash, vë në pah pjesën më të bukur të trupit femëror: shpatullat. Pastaj mund të vishet fare thjesht: me ose pa bizhuteri.
Nuk të pëlqejnë takat e larta? Të jesh e sigurt se edhe me balerina do dukesh shumë mirë. Fustani me model bust është mjaft fashion vetë. Nuk ka nevojë për t’u kompletuar. E si të mos mjaftonte kjo, ka edhe një sharm të parezistueshëm rétro… ja pse na pëlqen aq shumë.
Cili bën për ty?
Mos u shqetëso; fustanin me model bust mund ta veshim të gjitha. Nëse ke gjoks të vogël, zgjidh një model që nuk rri shumë ngjitur pas trupit. Nëse ke gjoks të bollshëm, fustani duhet të jetë prej organze ose çfarëdolloj cohe tjetër që të garantojë njëfarë mbështetjeje. Nëse ke shpatulla shumë të gjera, një model i gjatë dhe i derdhur do të të ndihmojë që të spostosh shikimet nga pjesa e sipërme e trupit. Nëse je pak e mbushur, prerjet në formë tullumbaceje fshehin kilet e tepërta dhe i japin një nuancë rétro stilit tënd. Modelet tub modelojnë linjat. Nëse je e gjatë, zgjidh një gjatësi maksi, shumë në modë këtë sezon. Nëse je e vogël në trup, kujdes nga efekti “thes me patate”; zgjidh me mirë një model të shkurtër. 
She’s got the look
November 12, 2008
Ndërsa “Sex and the city - the Movie” pushtoi sallat e të gjithë Evropës, Sarah Jessica Parker vazhdon ende turin e intervistave dhe takimeve mondane. Ja dhe look-u i saj i vjeshtës. Një xhaketë e zezë sipër xhinseve skinny, me sandale stil plateau, çantë me detaje të arta dhe një çantë për shopping i vë vulën një look-u dimëror, i gjithi për t’u kopjuar. Carrie Bradshaw do t’i jepte një OK.
Pedro Garcia
Model “Paola” në material kastori me takë tape
260 €
Café Noir
Çantë me rrip të gjatë, i punuar me gërshet, me detaje të metalta
102 €
G-Star
Kapardinë e zezë, me xhepa anësorë dhe butona prej metali.
250 €
Parasuco Cult
Pantalona slim-fit, material xhins me xhepa anësorë, që mbyllen me zinxhir
174 €
Very Simple
Kanotierë prej pambuku të zi, me qenush të qëndisur
49 €
Miu Miu
Çantë prej lëkure viçi, efekt “vintage”, me mbajtëse prej metali ngjyrë të artë
920 €
Si vishet ari?
November 12, 2008
Xhevahire të trashëguara nga familja, të blera ndër vite apo të dhuruara nga i dashuri. Nëpër sirtarë i kemi të gjitha ca bizhuteri ari, që na pëlqen t’i vendosim çdo ditë ose në raste të veçanta. Ari është chic, unik dhe i çmuar.. por nuk shkon me gjithçka. Ndonjëherë madje është shumë e vështirë që ta kombinosh me bizhuteri të tjera. Zbulo se cilat janë sekretet e përshtatjes së bizhuterive të arta
Ari i verdhë
Look
Kujdes! Ngjyra e arit nuk të lejon që ta përshtatësh me çfarëdolloj veshjeje ose stili. Veç të tjerash, bizhuteritë e ditës duhet të ndryshojnë nga ato të natës. Glamour apo chic? Zgjedhja të përket ty!
Gjatë ditës
Për të qenë chic, por diskrete
Nëse ke veshur një triko me mëngë të gufuara, vendos në gisht një unazë të hollë, që i bën duart të duken fine. Nëse të pëlqen të vendosësh në qafë një varëse të bukur të hollë, atëherë vish një këmishë jo shumë të hapur. Në çdo rast, mos vendos shumë bizhuteri. Vetëm me një bizhu të artë look-u yt do të jetë më elegant.
Për të qenë fashion
Zgjidh një zinxhir të ndërthurur me gurë, kombinoje me një fustan ose fund të derdhur dhe bluzë me jakë V. Mund të vendosësh edhe një palë vathë ari në formë rrethi. Për të mos e rënduar shumë look-un, mos e ekzagjero me aksesorët, sidomos nëse je pak e kolme.
Në mbrëmje
Glamour
Zgjidh një byzylyk ari. Është tendencë dhe gjithmonë shumë seksi kur vishet me një fustan seksi të hapur, në ngjyrë të zezë.
E matur
Vër një varëse të hollë elegante, që ngushtohet në qafë. Dhe mos harro një dekolte të bukur, duke hidratuar lëkurën me një krem të mirë hidratues.
Ngjyrat që shkojnë më shumë me arin e verdhë: kafe, e zezë, gri miu, portokalli dhe ngjyrat pastel, rozë dhe bordeaux.
Ari i bardhë
Look
Në përgjithësi ari i bardhë ka një natyrë paksa më casual. Është më modern dhe preferohet më së shumti nga vajzat e reja. Mund të kombinohet me gjithçka dhe të shoqërohet me bizhuteri të tjera.
Gjatë ditës
Për të qenë elegante dhe diskrete.
Vendos një unazë dhe një byzylyk prej ari të bardhë dhe kombinoje me një fund të ngushtë treçerekësh dhe një triko të zezë ose të bardhë.
Për të qenë fashion
Mund të vendosësh vërtet çfarë të duash. Madje edhe byzylykë me ngjyra. Thuajse të gjitha ngjyrat shkojnë me arin e bardhë. Megjithatë shmange një look multikolor, sepse bizhuteria e artë do të humbiste në mes të ngjyrave.
Në mbrëmje
Glamour?
Vish një fustan me gurë.
E matur
Veshje me dy ngjyra dhe vathë me pikë loti të varur. E thjeshtë dhe seksi.
Ngjyrat që shkojnë më shumë me arin e bardhë duhet të jenë të shndritshme. Ngjyrë mjedre, e kuqe, gurkali, kumbull, e verdhë, por shmang portokallinë. Grija dhe e bardha janë perfekte.
Go green!
November 12, 2008
E preferuar prej stilistëve, e veshur prej personazheve. Ngjyra e shpresës bëhet protagoniste
Thuhet se kush vishet me të gjelbër beson në bukurinë e vet. E pra, modelet që vishen nga stilistët dhe yjet që kalojnë mbi tapet të kuq e ditkan mirë! Bëni mirë të besoni edhe ju. Ose, nëse nuk ju duket e vështirë ta bëni këtë, të paktën vishuni me të gjelbër. A nuk duket se modelja e Badgley Mischka mbi pasarelën e sezonit Vjeshtë-Dimër 2008 e beson verbërisht këtë? A nuk rrezaton ekzaktësisht e njëjta ide nga buzëqeshja e brunes bukuroshe Megan Fox? Ja dhe stilistja Enada At’Nikolla, që e veshur me xhaketë të gjelbër duket se e forcon edhe më shumë idenë se është një ndër bukuritë e veçanta shqiptare. Ndaj, nëse ju duhet pak besim në bukurinë tuaj, ne ju propozojmë disa aksesorë të gjelbër. 
Aktorja dhe modelja amerikane Megan Fox, duke pozuar për fotografët gjatë premierës së filmit “Eagle Eye” në Los Anxhelos
Stilistja Enada At’Nikolla kësaj radhe nuk ua ka besuar veshjen duarve të saj, por ka preferuar një xhaketë të gjelbër prej lëkure, që mban firmën “Belstaff”
Fustan mëndafshi, dizenjuar me gjethe jeshile mbi copë të zezë. Badgley Mischka, Vjeshtë-Dimër ‘08




Recent Comments