Celuliti luftohet në tavolinë
October 16, 2008
Dieta anticelulit duhet të jetë e lehtë, e pasur me kos, fruta dhe perime. Sepse të japin një ndjenjë ngopjeje pa e furnizuar trupin me kalori e për më tepër përmbajnë vitamina dhe minerale
E hënë
Mëngjesi
- kafe me qumësht pjesërisht të skremuar (200 ml) 92 kalori
- bukë e thekur (30 g) 113 kalori
Paraditja
- kos pa yndyrë (125 ml) 45 kalori
Dreka
- pene integrale (50 g) me kungulleshka (75 g) 215 kalori
- perime mikse të gjalla (speca, karota 150 g) 30 kalori
- portokall (200 g) 72 kalori
Pasditja
- ananas (200 g) 80 kalori
Darka
- krem spinaqi (200 g) me djathë të grirë (5 g) 84 kalori
- pulë e pjekur (150 g, pa lëkurë) 309 kalori
- bukë e zezë (25 g) 60 kalori
- kivi (100 g) 44 kalori
E martë
Mëngjesi
- qumësht pjesërisht i skremuar (200 ml) 92 kalori
- bukë e thekur (30 g) 113 kalori
Paraditja
- kos pa yndyrë (125 ml) 45 kalori
Dreka
- pure me patate (150 g) 215 kalori
- parmixhano i pjekur në skarë (5 g) 19 kalori
- sallatë jeshile (200 g) 30 kalori
- një dardhë (150 g) 52 kalori
Pasditja
- ananas (200 g) 80 kalori
Darka
- supë me perime (200 g) me parmixhano të pjekur (5 g) 99 kalori
- merluc me domate (250 g) 200 kalori
- bukë e zezë (50g) 121 kalori
- rrush i bardhë (200 g) 122 kalori
E mërkurë
Mëngjesi
- kafe me qumësht pjesërisht të skremuar (200 ml) 92 kalori
- bukë e thekur (30 g) 113 kalori
Paraditja
- kos pa yndyrë (125 ml) 45 kalori

Dreka
- supë me perime (200 g) 200 kalori
- parmixhano i pjekur në skarë (5 g) 19 kalori
- sallatë jeshile (200 g) 30 kalori
- një portokall (150 g) 51 kalori
Pasditja
- ananas (200 g) 80 kalori
Darka
- oriz i gatuar me lëng perimesh dhe majdanoz (50 g) 190 kalori
- parmixhano i pjekur në skarë (5 g) 19 kalori
- biftek i pjekur (150 g) 178 kalori
- kivi (100 g) 44 kalori
E enjte
Mëngjesi
- kafe me qumësht pjesërisht të skremuar (200 ml) 92 kalori
- bukë e thekur (30 g) 113 kalori
Paraditja
- kos pa yndyrë (125 ml) 45 kalori
Dreka
- spageti (60 g) me domate të freskëta 200 kalori
- parmixhano i pjekur në skarë (5 g) 19 kalori
- sallatë me karota (100 g) dhe selino (100 g) 55 kalori
- rrush i bardhë (200 g) 122 kalori
Pasditja
- ananas (200 g) 80 kalori
Darka
- kungulleshka (200 g) të gatuara me një vezë 150 kalori
- sallatë me lulelakër (200 g) 50 kalori
- bukë e zezë (25 g) 60 kalori
- sallatë me portokall dhe dardha (200 g) 160 kalori
E premte
Mëngjesi
- kafe me qumësht pjesërisht të skremuar (200 ml) 92 kalori
- bukë e thekur (30 g) 113 kalori
Paraditja
- kos pa yndyrë (125 ml) 45 kalori
Dreka
- oriz (50 g) me karkaleca (100 g) 238 kalori
- sallatë jeshile (200) 30 kalori
- dardha (200 g) 70 kalori
Pasditja
- ananas (200 g) 80 kalori
Darka
- fileto salmoni (150 g) 273 kalori
- sallatë me spinaq (200 g) 60 kalori
- patate të pjekura (100 g) 148 kalori
- portokall (100 g) 36 kalori
E shtunë
Mëngjesi
- kafe me qumësht pjesërisht të skremuar (200 ml) 92 kalori
- bukë e thekur (30 g) 113 kalori
Paraditja
- kos pa yndyrë (125 ml) 45 kalori
Dreka
- gjoks pule me erëza (200 g) 200 kalori
- patate të pjekura (100 g) 148 kalori
- sallatë perimesh (200 g) 30 kalori
- kivi (100 g) 44 kalori
Pasditja
- ananas (200 g) 80 kalori
Darka
- oriz (50 g) me karkaleca (100 g) 238 kalori
- sallatë me radhiqe, rukola dhe domate (200 g) 50 kalori
- dardha (200 g) 70 kalori
E diel
Mëngjesi
- kafe me qumësht pjesërisht të skremuar (200 ml) 92 kalori
- bukë e thekur (30 g) 113 kalori
Paraditja
- kos pa yndyrë (125 ml) 45 kalori
Dreka
- supë elbi (50 g) me kungulleshka (200 g) 330 kalori
- parmixhano i pjekur në skarë (5 g) 19 kalori
- sallatë me fasule (100 g) e panxhar (100 g) 37 kalori
- rrush i bardhë (150 g) 91 kalori
Pasditja
- ananas (200 g) 80 kalori
Darka
- fileto viçi (100 g) me selino (20 g) 130 kalori
- sallatë marulesh dhe rukola (200 g) 30 kalori
- bukë e zezë (50 g) 121 kalori
- kivi (200 g) 88 kalori
Kanceri i gjirit? Ja si mundet bisha
October 16, 2008
Të prekurat nga kanceri i gjirit sa vjen e shtohen. Por kjo sëmundje mund të ndalet së qeni vdekjeprurëse. Në rast se ekzaminohet e trajtohet në kohë, kanceri i gjirit është i shërueshëm. Shpëtoje jetën tënde. Duhet thjesht pak kujdes
Është i rëndësishëm për një femër, është tërësisht femëror, është dhe aq simbolik, konkretisht këto ditë është shqetësimi ynë në provat e rrobave të banjës… por ka një anë të errët, që i bën të gjitha këto të duken vogëlsira: gjoksi është dhe një pjesë e trupit të femrës që preket shpesh nga tumori. Tridhjetë për qind e sëmundjeve tumorale të femrave në Shqipëri janë pikërisht tumor i gjirit dhe dhimbshëm pranohet që vdekshmëria nga kjo sëmundje është ndër më të lartat. Ndërkohë, në shtetet e zhvilluara perëndimore, kjo sëmundje është e përhapur shumë më tepër. Prandaj, prej kohësh, përpjekjet për kurimin dhe trajtimin e saj janë vënë në qendër të punës së specialistëve. Një ndër ta është kirurgu nga Kalifornia dhe studiuesi në fushën e kancerit të gjirit, Ernie Bodai, i cili ndau përvojën e tij në një takim të organizuar nga Ambasada Amerikane dhe Shoqata Kristiane e Gruas Shqiptare, ku ishte e pranishme dhe kirurgia senologe Adelina Mazreku.
Në të vërtetë, përvojat e mjekut amerikan dhe doktoreshës shqiptare, me gjithë kontrastin numerik të rasteve të kësaj sëmundjeje në dy vendet përkatëse (në SHBA kanceri i gjirit është një sëmundje tmerrësisht e përhapur), kryqëzoheshin në një pikë të rëndësishme, në një pikë ku mbështetet lufta kundër kancerit: diagnostikimi dhe trajtimi në kohë i saj. Mjekësia sot është e bindur që kjo sëmundje është e kurueshme po të kapet në kohë.
Vetë Mazreku, me përvojën e saj shumëvjeçare në kurimin e kësaj sëmundjeje, shkëputi dy raste të kundërta: “Më kujtohet si sot ajo mbrëmje e largët kur unë, një mjeke e re, dëgjova për një lindje që do bënte një grua e prekur nga kanceri i gjirit. Pak kohë pasi solli në jetë fëmijën, ajo u nda nga jeta. Ndërsa rasti tjetër është i kundërt. Më telefonon një shoqja ime, që e kishte ditëlindjen në një ditë me mua dhe ne shpesh e kishim festuar bashkë. Shqetësimin e saj për diçka të huaj në gjoks e ndau me mua. Pas disa ekzaminimesh, u kuptua se ishte prekur nga kanceri i gjirit, por ishte në fazën e parë. Pas ndërhyrjeve, ajo i shpëtoi çdo rreziku. Sot ajo është një gjyshe e lumtur dhe unë e uroj çdo vit për ditëlindjen që kemi bashkë”.
Shumë gra, në fakt, e kanë mundur sëmundjen e kancerit të gjirit me anë të trajtimeve që mundëson mjekësia dhe madje sot operacioni zhvillohet pa u hequr gjoksi. Por gjithmonë varet nga koha kur gruaja vetëdiagnostikohet e pastaj trajtohet dhe nga besimi e bashkëpunimi i këtyre femrave. Në kontakt me trupin e saj, por dhe me ekzaminime të vazhdueshme (shqiptarët e kanë të vështirë në fakt të edukohen me këtë), një femër mund ta ndalë sëmundjen para se të jetë vonë. “Një grua mbi të dyzetat duhet të bëjë dy mamografi në vit. Kanë një kosto jo fare të ulët, por që një gruaje do t’i kushtonte në muaj aq sa i duhen për një 8 Mars”, këshillon doktoreshë Mazreku. Dhe ky kujdes është ai me të cilin, sipas mjekëve, duhet të edukohet mbarë shoqëria, sepse është një formë e rëndësishme për të ndaluar rrezikun që vjen nga kanceri i gjirit, një sëmundje që priret të përhapet më shumë. Kjo edhe për shkak të modernizimit të jetës (edhe kolorantët e flokëve apo kimikatet e trajtimeve kozmetike konsiderohen si faktorë favorizues). “Periodat e ardhura në moshë sa më të rritur dhe lindja para moshës 20 vjeç i ul shumë shanset që një grua në të ardhmen të preket nga kanceri i gjirit. Por sot femrat lindjen e parë e bëjnë në moshë më të madhe dhe për shkak të ekspozimit në diell (nuk ka familje që mos t’i çojë fëmijët disa ditë në vit në plazh) dhe dietës hiperkalorike, vajzave iu nis cikli edhe para moshës 11 vjeç. Kjo çon në rrezik më të lartë për kancerin e gjirit”, shprehet Mazreku. Por ama ajo këmbëngul me një fakt: që kanceri i gjirit është një sëmundje si gjithë të tjerat, që ka të gjitha mundësitë për t’u kuruar dhe nuk duhet parë si fundi i botës. Kjo nuk është marrje me të mirë, është një fakt që e tregojnë dhe ato gra që e kanë mundur sëmundjen e kancerit. “9 vjet më parë, duke bërë banjë, preka një masë të fortë që nuk ishte e imja. Të nesërmen shkova të vizitohesha. Kur mësova se isha me kancer, m’u duk se më ra qielli përsipër. Por pastaj nisa të kisha besim se do shërohesha. Përballova operacionin dhe kapërceva edhe atë krizën e rënies së flokëve nga trajtimi. Sot vazhdoj punën dhe e përballoj normalisht”, tregon Hajria, nëna e dy fëmijëve.
Dhe jeta vërtet mund të vazhdohet: një jetë femërore, një jetë ku ato janë shumë të rëndësishme për familjet, një jetë me ditë të ftohta e ditë plazhi, për të cilat duhet të gjejnë rrobat e duhura të banjës, një jetë që vlen aq shumë.
Box
Si ta ulësh rrezikun e kancerit të gjirit (nga dr. Ernie Bodai):
- Shmang disa kimikate duke u bërë më selektive në produktet e kozmetikës, deodorantet dhe ushqimet që blini. Shumë e rëndësishme është të shmangni ushqimet shumë të përpunuara apo ato me konservues për të përdorur sa më shumë të jetë e mundur versionin e tyre natyror.
- Merruni rregullisht me ushtrime për 20-30 minuta tri herë në ditë, sepse:
1. Ushtrimet ulin yndyrnat në trup, duke pakësuar dhe grumbullimin e estrogjenit dhe 2. Vetë ushtrimet ulin nivelin e tij.
- Mos pi shumë alkool. Dhe pse disa studiues mendojnë se dhe sasi të vogla mund ta rrisin rrezikun për probleme në gjoks, Dr. Bodai thekson se vera e kuqe ka veti antioksidante të fuqishme, për shkak të polifenoleve që nxjerrin jashtë trupit tonë radikalet e lira. Dhe mjedrat janë një ushqim antioksidant.
- Ju që po mendoni ta shtyni shtatzëninë për shkak të karrierës, nuk duhet të abuzoni shumë. Shtatzënitë e hershme kanë një efekt pozitiv, sepse ndërpresin rregullsinë ciklike mujore dhe mund të ndihmojë për të frenuar grumbullimin e estrogjenit.
E bukur në të gjitha stinët
October 4, 2008
Lëkura është në gjendje të ndiejë çdo ndryshim të stinëve. Përveç stresit emocional, lëkura pëson dhe ngacmime të jashtme. Ndryshimet e temperaturës dhe lagështisë, elementët atmosferikë si shiu, era, dielli ose i ftohti, nuk ndihmojnë sigurisht në ekuilibrin normal të epidermës. Po të shtosh dhe lënien pas dore apo zgjedhjet sipërfaqësore të kurave dhe produkteve kozmetike, rezultati do të ishte: lëkurë e zbehtë dhe e papastër 365 ditë në vit. Por gjithmonë ka një zgjidhje. Ndiqni programin tonë të rigjenerimit.
Trajtim në tri faza
Një nga gabimet më të zakonshme në trajtimin dhe pastrimin e lëkurës është përdorimi për një kohë të gjatë i së njëjtës linjë produktesh. Qumështi, toniku, kremi i ditës dhe i natës zëvendësohen vetëm kur flakoni boshatiset. Në të vërtetë, për çdo stinë duhet të përshtaten kurat që përdoren për trupin dhe fytyrën. Në qoftë se në dimër shkon shumë mirë një përbërje më e ngjeshur, në verë përshtatet më mirë një hidratues i hollë. Në vjeshtë dhe pranverë, që janë stinë të ndërmjetme, duhet favorizuar rigjenerim i qelizave të epidermës nëpërmjet pastrimeve të thella, hidratimit, kurave, masazheve dhe maskave specifike.
Faza e parë: Pastrimi
Lëkura shfaqet shpesh si e mbuluar me një cipë opake që ul shkëlqimin dhe vë në dukje defektet. Kryesisht, pas një vere “det dhe diell’, lëkura është e zbehtë dhe kur nxirja nga dielli nis të largohet, lëkura merr një ngjyrë vërtet të papëlqyeshme. Për të larguar stresin nga fytyra duhet para së gjithash një pastrim i mirë.
Për të paktën një javë është i nevojshëm përdorimi i një detergjenti të mirë sapuni, i cili i vendosur në një gomë të butë dhe i lagur më ujë mund të shërbejë si pastrues shumë i mirë. Veprimi duhet përsëritur çdo mëngjes dhe mbrëmje për shtatë ditët e para dhe duhet vazhduar gjithë muajin vetëm në mbrëmje. Në qoftë se dëshironi, mund të siguroni një pastrim të mirë me mënyrat e vjetra, por të vlefshme shtëpiake.
Pasi pastrohet fytyra në thellësi, kalon mbi të një tampon pambuku të zhytur në tonik. Pastaj e lë të thahet vetë dhe ditën vendos një krem hidratues, kurse natën një krem ushqyes. Mbi lëkurat mikse dhe të yndyrshme në vend të kremit ushqyes përdoret një pastrues. Për të përftuar rezultate të shkëlqyera, këshillohet përdorimi i një maske kozmetike që aplikohet në mbrëmje, një ditë po, një ditë jo, për shtatë ditë. Pastaj dy herë në javë për 15 ditët pasuese dhe pastaj një herë në javë rregullisht. Për të favorizuar veprimin e maskës në lëkurë, është mirë që para aplikimit fytyra të lahet me ujë të ngrohtë dhe detergjent qumësht dhe kur është ende e lagur të masazhohet me lëvizje rrethore. Shpëlahet më pas me ujë të ngrohtë të bollshëm, dhe thithet me një peshqir të pastër pjesa e mbetur të ujit. Vetëm në këtë fazë mund të vendoset një shtresë të bollshme maske dhe lihet të veprojë për kohën e duhur. Koha e qetësisë është mirë të respektohet deri në sekondën e fundit. Më pas fytyra lahet dhe pastrohet me detergjent pastrues për lëkurën çdo mbetje e maskës.
Faza e dytë: Trajtime specifike
Mbi një lëkurë plotësisht të pastër çdo trajtim kozmetik jep rezultate optimale. Është e rëndësishme të zgjedhësh produktin specifik më të përshtatshëm për nevojat e lëkurës. Para së gjithash duhet të dish ç’lloj produkti të zgjedhësh dhe ku. Ekzistojnë mundësi të ndryshme: Nga produkti natyral, tek ai industrial, nga preparati bimor tek ai kozmetik, nga parfumeria te farmacia…ajo që ka rëndësi është që në rafti mos të mungojë gjë. Më të rëndësishmit janë qumështi dhe toniku, të pazëvendësueshëm për pastrimin e lëkurës. Këtyre mund t’u shtohet një pastrues truku për sytë dhe buzët, i nevojshëm për të hequr buzëkuqin që qëndron gjatë dhe rimelin rezistent ndaj ujit, dhe në rast se nuk duam t’i mungojë gjë repartit “pastrimi i parë”, mund të sprucojmë mbi fytyrën, qafën dhe zonën e dekoltesë me ujë termal, që do të japë një ndjenjë të menjëhershme freskie.
Për pastrimin e thellë nuk mund të mungojnë kremrat me grimca, maska, argjilë e blertë dhe ndonjë esencë vajore për t’u përzier me argjilën. Nuk duhen nënvlerësuar avujt me bimë, që hapin poret duke ndihmuar lëkurën të nxjerrë papastërtitë, pa harruar që në të njëjtën kohë barërat ndihmojnë për zbutjen e irritimeve të lëkurës.
Për të përftuar efektet maksimale të avujve, në një enë më ujë të vluar hidhen bimët e marra në dyqanin e kozmetikës (të cilat janë përzgjedhur më parë sipas llojit të lëkurës). Pasi mbulohet kokë me një peshqir, është e këshillueshme që të qëndrosh mbi enë për rreth 10 minuta, duke u përpjekur që avulli të bjerë drejtpërdrejt mbi fytyrë.
Ndërmjet bimëve që shërbejnë si detergjent mund të shërbejë kamomili, si freskues do të ishte iedal limoni, gjethet e mentes dhe portokalli i hidhur, kurse për shenjat mund të përdoret një bimë e veçantë që quhet ylang ylang.
Për përgatitjen e maskës me argjilë janë të këshillueshme esencat vajore: për lëkurë të yndyrshme mund të zgjidhni rozmarinën; për lëkurë të thatë, por të papastër, besojini nga ekstraktit të trëndafilit ose i kamomilit.
Pas avullit lëkura është vërtet e pastër dhe ka nevojë për disa minuta qetësi, duke e masazhuar në mënyrë delikate me mollëzat e gishtave dhe duke vendosur një krem hidratant mbi fytyrë dhe qafë deri në përthithjen e plotë.
Faza e tretë: Dieta kozmetike
Gjithsesi bukuria vjen gjithmonë nga brenda. Ja përse për të pasur një lëkurë të shëndetshme dhe me shkëlqim nuk mjaftojnë vetëm trajtimet e jashtme. Në pjesën më të madhe të rasteve një çrregullim i të ushqyerit ose një dietë e varfër në vitamina ose kripëra minerale, qëndrojnë në themel të problemeve më të zakonshme të lëkurës. Lëkura e yndyrshme ose e papastër është simptoma më e dukshme e një të ushqyeri jokorrekt, të pasur me ushqime të yndyrshme dhe shumë të përpunuar, ashtu siç lëkura e zbehtë është sinonim i mungesës së vitaminave. Mjafton të ndryshosh regjimin e ushqimit për të parë efektet e para mbi lëkurë. Mbi të gjitha pini shumë ujë, shtoni perime të freskëta në çdo vakt, zvogëloni sasinë e substancave të përpunuara dhe pijeve alkoolike. Mundësisht hani ushqime të pasura me fibra, kos, fruta të freskëta dhe drithëra. Ideale do të ishte përdorimi i disa përzierjeve bimësh të përgatitura enkas. Shumë nga ato rezultojnë, përveçse të efektshme, edhe shumë të pëlqyeshme, sidomos në dimër kur janë të ngrohta.
Kur përgatisni përzierjen e barërave kini parasysh jo vetëm nevojat estetike, por dhe ato fiziologjike, sepse në rast se vuani p.sh. nga tretja e ngadaltë apo ndonjë shqetësim tjetër, bëjani të ditur specialistit dhe do të merrni një përzierje që mund t’ju ndihmojë në të gjitha frontet.
Hapi i parë është rregullimi i ushqimit, por kjo nuk mjafton. Duhet të zgjidhni një trajtim të përshtatshëm që të përsëritet rregullisht. Maska kundër plakjes, hidratues të thellë, kremra me vitamina A ose E… nuk ju mbetet veçse të këshilloheni me farmacistin, specialistin e barërave, ose t’i drejtoheni një estetisti të specializuar ose t’i nënshtroheni një kontrolli te dermatologu. Çdo produkt që do zgjidhni, kujtohuni që ta përdorni në sasinë e duhur dhe periodikisht, sipas rekomandimeve. Mbani mend që rigjenerimi qelizor kërkon kohë, ja pse për të pasur rezultate të dukshme duhen të paktën 30 ditë. Ta ndërpresësh ciklin në mes, është njëlloj sikur të anulosh çdo arritje të bërë deri në atë pikë, prandaj është e rëndësishme që po e nisët një trajtim, ta çoni atë deri në fund. Disa minuta kushtuar pamjes tuaj, do t’ju dhurojë një ndjenjë të këndshme fizike dhe emocionale. Dihet se për t’u ndier mirë me të tjerët, duhet të ndihemi së pari mirë me veten.




Recent Comments