Po ta them troç…

September 29, 2008

Është mësuar t’i thotë gjërat veçse kështu: hapur dhe ashtu siç i mendon, edhe kur bëhet fjalë për biznesin e tij, edhe kur bëhet fjalë për të dhënë gjykimin si i ftuar në një reality show. Dhe menjëherë ka qëlluar në shenjë. Fare pa e dashur protagonizmin, i ka mbirë vetë në derë dhe ja tek është kthyer menjëherë në një personazh simpatik, interesant, karizmatik… që ka maninë për t’i thënë gjërat troç

Klaudeta Skënderasi

 

“Që të ta them troç, nuk më duket se jam personi i përshtatshëm për të dhënë një intervistë. Nuk mendoj fare se bëj pjesë në personazhet e njohur. Pastaj njerëzit do kujtojnë se për të dalë këtu, unë kam shfrytëzuar miqësinë me kryeredaktoren. Le që kjo është një revistë për femra, ç’dua unë këtu? Foto? Jo, jo, nuk pozoj dot unë. Shiko, e lëmë fare më mirë. Të falënderoj shumë, të lutem, mos mendo se jam duke u përkëdhelur, por që të ta them hapur, nuk e ndiej veten aspak komod në këtë pozicion”.

Ja, kështu filloi ajo që u nis për një intervistë me një nga personazhet (ai le të mendojë ç’të dojë, ne jemi të bindur se është një personazh i njohur) më të rinj televizivë, që ka tërhequr jo pak vëmendjen. Është ai burri me syze (pikërisht kështu u shpreh për veten, duke mos besuar aspak se njerëzit qenkan kaq të vëmendshëm sa të mbajnë mend emrin e tij), që del të shtunave në “Big Brother” dhe bën rolin e opinionistit. Quhet Armand Peza, shkurt Mandi, shkurt ai që i bie shkurt dhe thotë ato që thotë. Flet pikërisht atë që mendon, pa mbajtur anën e askujt, pa bërë nga ato që quhen furça dhe u duk që në fillim se mendimet e tij ishin vërtet shumë, po shumë interesante. Sepse ai ka një argument të mirë për të gjitha ato që thotë. Sigurisht, i ka ca argumente edhe për të të mbushur mendjen se përse nuk është i bindur për të qenë personazhi i radhës në revistën “Jeta”. “Ky është një moment i përkohshëm, që do të zgjasë deri në fund të majit. Unë do të vazhdoj të quhem edhe për pak kohë ai burri me syze që flet mirë dhe pastaj, sigurisht që do të harrohem. Kështu që nuk dua të marr vrull kot dhe të rrezikoj që e gjitha kjo pastaj të më kthehet në bumerang që mund të dëmtojë punën time (puna e tij është të administrojë sallonin “Geraldina Sposa”, që është edhe pronë e tija)”. OK, i japim të drejtë, s’mund të bëjmë ndryshe, kjo është e vërtetë. Por a nuk është e vërtetë edhe kjo tjetra, që salla e spektaklit “Big Brother” nuk pipëtin kur Mandi flet, sepse jep një mendim shumë interesant, pa dorashka për atë ç’ka po ndodh aty brenda? “Unë i gjykoj të tjerët duke u bazuar tek kultura ime dhe nuk e quaj fare një mendim absolut, por fakti që të tjerët gjejnë veten tek ato që them, do të thotë që unë paskam një kulturë komune. Kjo më pëlqen”. A nuk është përzgjedhur ai si i vetmi në panelin e opinionistëve që nuk zëvendësohet asnjëherë? “Në fakt, unë u gjenda aty në natën e parë të spektaklit për të bërë një “qokë”. U vendos që unë të qëndroja deri në puntatën e fundit, për ca arsye që nuk i di. Nuk mund të mohoj që kjo s’ma përkëdhel sedrën, por më vë edhe para një përgjegjësie të madhe”. A nuk është e vërtetë që ai ka tërhequr vëmendjen po aq sa formati televiziv dhe publiku e pëlqen, madje edhe i buzëqesh kur e ndesh në rrugë? “Po, kjo është e vërtetë. Më ndodh që shumë njerëz që nuk i njoh më përshëndesin. Në fillim, mendoja se ishin klientë dhe, pasi ua ktheja përshëndetjen, mendoja: Pse s’e mbaj mend unë këtë tipin?”. Ja pra ku janë të gjithë argumentet se përse nuk është aspak e tepërt që për Mandin të rezervohen ca faqe në revistë. Sepse neve na duket nga ata të paktët njerëz karizmatikë, që na pëlqen kur flet e që mbi të gjitha i thotë të gjitha gjërat ashtu siç i mendon, pa u shtuar e pa u hequr asnjë presje dhe, për hir të së vërtetës, njerëz të tillë ndeshen aq pak këto kohët e fundit.  

 

Më në fund bindet, pasi kërkon edhe një herë ta qetësosh se kjo që po bën nuk është paska e tepruar e, pasi merr edhe ca herë në telefon kryeredaktoren për “t’i qarë hallin”, më në fund rehatohet dhe pranon të flasë. Si gjithmonë hapur, për të gjitha pyetjet që i drejtohen, pa harruar të theksojë se kjo që po ndodh së fundmi nuk e ka përfshirë ende. Vazhdon si përherë të bëjë jetën e tij normale, t’i përkushtohet punës e të bëjë gjërat që ka bërë gjithmonë, me ndryshimin e vetëm se javët e fundit nuk ka më të shtunë.  

E megjithatë, të jeni të bindur që edhe ne nuk është se do rrezikonim të lançonim një personazh që mbiu krejt papritur nga hiçi. Ata që kanë kujtesë të fortë, me siguri e kanë dëgjuar shpesh emrin e Armand Pezës. Për shembull, ata që kanë ndjekur radionovelën “Rruga me pisha” në Radio Tirana, duhet ta dinë mirë se për tetë vjet me radhë ka qenë ai një nga skenaristët e të gjitha puntatave. Ata që i mbajnë mend mirë të gjitha spektaklet e “Miss Shqipërisë”, duhet të kujtojnë se në vitin 2005 ka qenë pikërisht Mandi ai që ka drejtuar (“Për këtë, të them të drejtën nuk jam fort krenar”, shprehet për eksperiencën e tij si prezantues). Ata që kanë ndjekur, në mos gjithmonë, të paktën ndonjëherë, ndonjë seri të telenovelës së parë të dubluar në shqip, apo “Jurassic Park”, apo edhe filmat e animuar, e kanë dëgjuar me siguri zërin e tij. Janë gjithsej rreth 40 personazhe që identifikohen me zërin e Mandit. Por me siguri që ajo që e identifikon më shumë me veten është salloni i tij i fustaneve të nusërisë, që merret edhe me organizimin e eventeve. Epo çne një mashkull të merret gjithë ditën e ditës me fustane tyli të bardhë, vello, zhupone, sandale e gjithfarë çingërrimash të tjera grash? “Kjo është një punë që ka të bëjë me menaxhimin, me marketingun, është një punë e vërtetë dhe voluminoze, që s’ka lidhje me të qenit burrë apo grua dhe ajo që për mua ka qenë hobi është kthyer në profesion. Veçse që të arrija këtu ku jam sot, më është dashur të punoj jo pak. Në fillim, kur më lindi ideja për të hapur një dyqan me fustane nusërie, të parin në Tiranë, më është dashur të lyej vetë muret, të vendos vetë pasqyrat, të bëj instalimet, madje t’u ktheja edhe përgjigje të gjithëve atyre që më thoshin: çfarë do bëhet këtu, dyqan për fustane nusërie? E ç’kuptim ka kjo? Edhe një komshia ime ka fustane që i jep me qira dhe as që ka dyqan fare”. Por ja që na doli që ky ishte një biznes i vërtetë dhe shumë fitimprurës madje.

Duhet të jetë punë e bukur kjo e Mandit, si një jetë pas tylesh transparentë zbukuruar me lule, fjongo, xixa… shumë interesante, përjashto faktin që ke të bësh me gratë, që mezi vendosin të blejnë një palë çorape e jo më pastaj të zgjedhin tak-fak fustanin e ditës së tyre të madhe. “Mund të duket punë shumë e bukur, dhe jo se nuk është, por ama edhe shumë e lodhshme, sepse kjo është një sipërmarrje më vete, që kërkon gjithë përkushtimin e mundshëm, kohën gjithashtu. Shtëpia më mbledh vetëm në orët e vona të natës. I detyrohem shumë vajzës sime të vogël, që nuk e shoh thuajse fare. E lë në gjumë dhe e gjej po në gjumë. Shkëputem vetëm pak në drekë, kur më merr malli shumë për të. Sa për ato tekat e grave, ua kam marrë dorën më së miri”. Po a imagjinoni dot një njeri si Mandi, që nxjerr nga goja fjalën ashtu siç i vjen për momentin, domethënë që i thotë gjërat troç, në krye të një biznesi ku të duhet të bësh lajka e të mbushësh mendje? Ja për shembull, një vajzë e re troket në derën e tij për të zgjedhur fustanin e nusërisë. Ka menduar për atë fustan kushedi për sa kohë, ka krijuar një ide fikse dhe kur e gjen tamam siç e kishte ëndërruar, hidhet përpjetë nga gëzimi kur… pikërisht në atë kohë hidhet dhe Mandi dhe i thotë: jo, jo të rri shumë keq, skandal! (Se ai nuk lodhet të mendojë gjatë për të gjetur ndonjë fjalë pak si më të përshtatshme, pas si më të butë. Qëllon që me të parën ashtu siç i vjen). “Epo vajzat duhet ta kuptojnë që unë nuk jam aty për të gjetur defekt, por për të thënë atë që vë re dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë se si mund të eliminohet defekti dhe si mund të dalë përfundimi sa më mirë”. Ndoshta në fund edhe ato dalin të kënaqura. Ashtu siç dalin të kënaqur edhe banorët e “Big Brother”-it dhe nuk u ngelet qejfi nëse Mandi u thotë ndonjë gjë të hidhur pa iu dridhur aspak qerpiku. Ja, ndërsa ishim ulur për të biseduar në një lokal, kalon pikërisht njëri nga banorët e eliminuar që e përshëndet me shumë përzemërsi. E pra, nuk qenka dhe aq keq t’i thuash gjërat siç të vijnë, pa u ardhur rrotull e rrotull. “Unë mendoj se të rrish të merresh me lustra, furça e shkëlqime është kohë e humbur. Më mirë bjeri ballit që me të parën, por gjithmonë kur e ke një argument të fortë. Sepse argumenti ka aq forcë sa mund të rrënojë një forcë”. Ama edhe ne i kishim ca argumente për t’i mbushur mendjen Mandit dhe… ja ku u bë!

Singing in the rain

September 28, 2008

ImageSimbol i klasit dhe elegancës, e shtrënguar në bel, me jakën ngritur dhe kopsat e dukshme. Është pardesyja, veshja që më shumë se kurrë është kthyer në must-in e gardërobave jo vetëm hollivudiane. Të dhuron një siluetë elegante dhe nxjerr në pah format e trupit femëror. Gjatësia? Sipër gjurit. Ideale për çdo trup

 

 

Një version i lehtë i palltos dimërore, veçse më elegante dhe chic. Stilistët e propozojnë me çdo kusht në gardërobën e pranverës. Pardesyja është veshja ideale për një ditë pune, për fundjava, mbi fustanet e mbrëmjeve, koktejit. Sepse mund të luash me ngjyrat dhe copat sipas rastit. Terital, dantellë, lino, mëndafsh apo edhe materiale për një ditë me shi.

Ajo që ka rëndësi është përshtatja dhe kombinimi me aksesorët. Mjaftojnë një palë syze vintage, një çantë në dorë dhe rripi i shtrënguar mbi bel me një fjongo. Je gati!

 

Më britanike se kaq!

Pardesyja është veshur prej kohësh në mënyrën klasike, glamour. Frymëzimi? Eshtë marrë i gatshëm nga Audrey Hepburn, me rripin të shtrënguar në bel, syze të përmasave të mëdha dhe një fjongo në flokë. Të jetë ndoshta rastësi që firma Burberry Prorsum ka zgjedhur stilin “Swinging London” për fushatën e re të stinës së ardhshme

Shikim në të ardhmen. Si do jetë dimri në 2009-ën

September 28, 2008

Shikim në të ardhmen. Si do jetë dimri në 2009-ën

Elegancë e projektuar për një grua të fortë. Jaka të përmasave të mëdha, mëngë të dukshme, ngjyra të ftohta dimërore.

 

Kryesisht gri, e zezë, blu, bezhë do të jenë nuancat që do të mbizotërojnë veshjet e krijuara për stinën e dimrit të ardhshëm nga Mirela Nurçe. Veçse kësaj radhe nuk na këshillon nga ndonjë sallë e Piramidës, por nga kryeqyteti i modës botërore, nga Nju-Jorku.

Fashion apo fetish?

September 28, 2008

Një mjet që tërheq vëmendjen e meshkujve, një armë e fortë joshjeje për femrat, taka e hollë mbetet në majë të preferencave. Përkrah balerinave të sheshta, të rrumbullakëta e të sigurta, në pasarela sfilojnë përherë këpucët e larta turbulluese. Ekstreme, provokuese e marramendëse

Shkopi i hollë mitik poshtë thembrës është një fiksim i përhershëm i femrave. Mjafton një dhjetëshe centimetrash për t’u zhvendosur në një dimension tjetër, ku këmbët bëhen shumë të gjata dhe burrat të bien në këmbë.

Në anën tjetër, takat e larta nuk u japin marrje mendsh vetëm atyre që i veshin. Përkundrazi, bëhet fjalë për një çoroditje të lehtë, nga e cila pak meshkuj mund të mos preken. Me pasoja të paparashikueshme. Nga teknomanët, që nuk kanë nguruar të lidhin fetishin e hi-tech-un, duke krijuar pajisje të frymëzuara nga kjo temë, deri në rastet më të skajshme. Në Londër, për shembull, një burrë sulmon hirushet e tij në rrugë për t’u marrë këpucët me taka shumë të larta. Po t’ju bjerë rasti të shkoni në Londër dhe një i çmendur ju rrëmben këpucët, mos u shqetësoni: është një maniak i fiksuar pas këpucëve. Cili qytet do ishte më i përshtatshëm se Londra për të kënaqur këtë mani?

 

Takat janë fetishi botëror numër një

 

Këmbët janë pa dyshim objekti më popullor i dëshirës seksuale. Paralelisht, këpucët janë elementi i fetishit që zgjat më shumë dëshirën.

Në bazë të shijes mbizotëruese mbi preferencat seksuale, këmba (dhe veçanërisht gishtat) janë objekti më ngacmues i dëshirës. 47% e personave të pyetur në botë pranojnë se parapëlqejnë këtë pjesë të trupit mbi të gjitha pjesët e tjera, që ngacmojnë oreksin seksual. Për sa u përket objekteve jotrupore, humbin pikë të brendshmet (12%) dhe fitojnë pozicion këpucët dhe çizmet (64%).

Sipas “Independent on Sunday”, studiuesit deklarojnë se nuk e dinë si dhe pse zhvillohen preferenca të tilla seksuale.

Cilado qoftë arsyeja e interesit të spikatur erotik për ekstremitet e trupit femëror, në kuadër të erotizmit dhe joshjes, për takat vendi i parë është absolut. “Nga këpucët me taka nis interesi për një grua, një sfidë, një mister për çdo burrë. Sepse asnjë nga ne nuk e di si do përfundojë e gjitha kjo”, është shprehur një nga aristokratët evropianë, i njohur për famën e vet prej donzhuani. Dhe i ka bërë jehonë koreografi dhe balerini i preferuar i Madonna-s, Gwen Stefani-t dhe Ricky Martin-it. “Takat janë seksi. Ka diçka intriguese, shumë çoroditëse t’i shohësh te femra. Gati një felin, absolutisht të bukura. Kur një grua mban taka, ndryshon deri dhe vështrimin. Sy depërtues, të drejtpërdrejtë, sensualë”. Nga bota e modës, Guillermo Mariotto, drejtori krijues i firmës Gattinoni, është i bindur: “Taka është seksi. Është shumë sensuale, sepse e detyron femrën të lëvizë me një lëkundje konstante. Një armë joshjeje, dominimi mbi burrat. Është sikur taka do donte të thyente me ëmbëlsi, me dhunë. Një supremaci “psikologjike”, që ka bërë pjesë gjithmonë në imagjinatën mashkullore”.

Në fund, ja dhe një citim i Madonna-s, që ka deklaruar se do preferonte një palë Manolo në vend të seksit: “Këpucët janë më të mira se seksi, sepse rezistojnë më gjatë”.

Mbulohu me gjethe

September 28, 2008

Nuk e kemi fjalën për ndonjë gjethe diku në pjesën ballore të trupit. Është fjala për dizenjon më pranverore që ka çelur nëpër copat e derdhura dhe aksesorët e stinës së bukur

Jepi look-ut një lustër

September 28, 2008

Rikthehet lëkura me lustër, që shkëlqen aksesorët e preferuar. Me këpucë dhe çanta të tilla, me siguri do shkëlqeni më shumë

Dikur mamatë tona i mbanin të mbështjella e të futura në kuti kartoni. Ishin të vetmet këpucë “të mira”, që kishin fatin të dilnin nga rafti vetëm atëherë kur duhej, domethënë në raste shumë, shumë të veçanta dhe sociale. Kishin status të veçantë. Quheshin “këpucët lustrafine”, kryesisht në ngjyrë zezë, të bëra me porosi, me takë të lartë dhe bënin pjesë në “lodrat” e preferuara të vajzave të vogla. Rrallë u kanë shpëtuar këmbëve të tyre të vogla, që vdisnin t’i vishnin sa herë që mamatë nuk ishin në shtëpi. E nëse jeni kapur ndonjëherë duke luajtur me to lojën “si të bëhesh e madhe”, patjetër që nuk keni shpëtuar pa ndonjë dackë të mirë. Kohë të shkuara.

Tani keni rastin të bëni tuajat një palë të tilla. Mos ju duken demode? Si një aksesor i kohëve të dikurshme, që tani nuk mund të jenë kurrsesi tendencë? Ja që janë në tendencë. Lëkura me lustër ndriçon aksesorët më “must” si këpucët e çantat dhe i bën të shkëlqejnë. Tani mund t’i keni tuajat dhe të jeni moderne.  K. S.   

 

Pak sharm Japonie

September 28, 2008

Në Japoni merkatoja e erosit është një boom i vërtetë, edhe pse një martesë në katër ngelet “e bardhë”. Shenjë kjo që tregon se sharmi femëror është i lidhur intimisht me trasgresionin: një mesazh që stilistët e kanë transformuar në një trend ekzotik
<!–[if !supportLineBreakNewLine]–>
<!–[endif]–>

Kimono revolution

Nga veshje aristokrate për rastet zyrtare, kimonoja është kthyer në një kod të rafinuar dhe intrigues all day long. Alessandro Dell’Acqua zgjedh stampa lulesh për një fustan tub, që nxjerr në pah belin dhe dekoltenë. Nën shenjën e shfaqjes me rezerva, zbulohet arti i joshjes.

Dantella sensuale. Ermanno Scervino

Kimono apo këmishë nate? Qytet apo boudoir? Kufijtë humbasin në veshjet e Ermanno Scervino-s, që zgjedh dantellat dhe kontrastet për të interpretuar në formë bashkëkohore detajet ekstreme të Lindjes. Mëngët kornizojnë figurën, nga lartësia e nallaneve vëmendja bie mbi këmbët. Figura e femrës hapet si një erashkë, e ndërgjegjshme për sharmin e saj.

 

Veshje si telajo. Issey Miyake

Gjithmonë i kujdesshëm për të sjellë stilin oriental mes modës e aksesorëve, fragrancave dhe dizajnit, Issey Miyake pikturon geishat dhe peizazhet japoneze në krijimet e tij, me respekt të madh për simbolet dhe kulturën. Qepje dhe valëzime, asimetri dhe linja ndërpriten nga qëndisje me pamje natyre dhe prekje ngjyrash të forta, si e kuqja, e gjelbra, e verdha.

 

Dark Lady. Lanvin

Propozim mini për fustanin total-black nga Lanvin: koleksioni i Alber Elbaz vesh geishën me stilin e viteve ’80. Drita të fiksuara mbi shpatulla dhe mbi qafë, për një look të vendosur, që zbutet nga coha delikate mëndafshi, në lartësinë e belit. Për ta përforcuar pastaj sigurinë, me sandale të errëta, të larta, tërheqëse, teatrale.

 

Alexander McQueen. Obi psikedelik

Obi, rripi tradicional japonez, që shkohet rreth belit dhe pastaj lidhet fjongo pas shpinës, është shenja e fortë, në versionin psikedelik, e veshjes së Alexander McQueen. Një ndërthurje mes të zezës dhe rozës tronditëse që duket nën veshje. Për një look pak punk, me ca nuanca viktoriane, por me doza të forta rock.

 

Butësia e formave. Sonia Rykiel

Funde të fryrë dhe femërorë, linja të bollshme të sistemuara vetëm nga një rrip i hollë shifoni. Veshje të frymëzuara në liri, ku theksi japonez depërton në atë shije tërësisht franceze në lojën dyfishe me feminitetin.

 

Kontraste Martin Grant

Akademia e Arteve të Bukura në Paris ka lënë tek stilisti australian një deklaratë dashurie për artin: Martin Grant zgjedh tonalitetet natyrale për veshjet e tij tub dhe nënvizon linjat me kontraste befasuese. Për këtë verë sugjeron krehje geishash, ndërmjet të tashmes dhe të ardhmes. Gjeometritë rigoroze të kimonosë, që në trup kthehet në skulpturë, janë elementët që joshin më shumë.

 

Detaje të mëndafshta. 6267

Qëndisma historike për koleksionet e Roberto Rimondi-t e Tommaso Aquilano-s, stilistët e 6267: nga frymëzimet ruse tek kujtimet japoneze, hapi është i shkurtër, mëndafshi është protagonist. Linjat janë të buta, ngjyrat në kontrast. Shpatulla dhe qafa shohin nga tradita orientale, për një look elegant dhe të kujdesshëm ndaj detajeve.

Në udhëtim me…

September 28, 2008

…gardërobë në dorë

Ndodh që dhe një valixhe udhëtimi mund të zëvendësojë më së miri gardërobën e “Miss Albania”-s 2005, që pjesën më të madhe të kohës e gjen në udhëtime. Por duke rrëmuar në valixhen e Suada Sherifit, zbuluam emrat më të njohur të modës botërore. Sepse “Mimoza llastica” jonë ka fatin të shijojë gjithçka. Madje edhe diamantet, miqtë më të mirë të çdo vajze

Elda Laze

Aeroporti “Nënë Tereza” është një nga vendet më të frekuentuara, valixhja e rrobave është zëvendësimi më i mirë që i bën gardërobës së saj, sepse Suada Sherifi, Miss Albania 2005, bën një jetë të mbushur me udhëtime. “Nuk rri dot një kohë të gjatë pa valixhe në dorë”, tregon 20-vjeçarja, e cila luan me ekipin kombëtar të basketbollit. “Luksemburgu është udhëtimi i radhës”, nis të tregojë duke filluar më pas të numërojë vendet më mbresëlënëse. Sigurisht, mbresat janë të mira dhe të këqija. “Vendi më i bukur? Dubai”, nis kështu një bashkëbisedim me veten e saj. Pyet dhe përgjigjet. “Vendi më i lodhshëm? Kroacia. Vendi më mbresëlënës? Kina. Vendi më i shëmtuar? Ukraina. Vendi më i mirë për shopping? Italia”, vazhdon me një koketëri Miss-i, duke harruar që qëllimi i vizitës sonë nuk ka të bëjë fort me udhëtimet. Pastaj, sikur kujtohet papritur për diçka, ngrihet në këmbë rrëmbimthi.

“Ejani, ejani hidhini një sy gardërobës, si dhe gjërave që marr më shpesh në udhëtime”, shkon vetë e para drejt dhomës së gjumit.

Dollapi është i mbushur plot me veshje të firmuara. Shifra marramendëse që thuhen me zë të ulët për të mos shkaktuar drama shpirtërore te shumë femra shqiptare, etiketat që tregojnë emra të njohur stilistësh, këto janë veçoritë kryesore të gardërobës së Miss-it. Më e vogla mes tre fëmijëve, (Suada ka një vëlla dhe një motër), duket se është edhe e përkëdhelura e babit biznesmen. Ai ia plotëson së bijës të gjitha kapriçot, që kushtojnë shifra marramendëse me shumë zero nga pas. 

Për arsye etike, duhet hequr dorë nga të treguarit me detaje gardërobën e saj (nuk është mirë të bëjmë të vuajnë shumë femra, që oreksin për shopping ndoshta e kanë më të madh se të Suadës, por mundësitë shumë herë më të vogla). Zgjedhim të gërmojmë vetëm në valixhen e saj e t’i hedhim në sy veshjeve të zakonshme që Suada merr më shpesh në udhëtimet e saj.

Emra që vlejnë

Gjatë udhëtimeve të saj, në çdo vend të botës qofshin, Suada nuk harron kurrë veshjet më të nevojshme për të qenë praktike në mëngjes dhe vezulluese në darkë. Në të dyja rastet, Suada u ka besuar firmave më të njohura, por më shumë preferon modën italiane. “Tani në verë, paradite preferoj veshje të lehta e të pambukta. Fustanet shumëngjyrëshe, të shkurtër, xhinse apo komplete tutash sportive”, tregon Suada, pa dashur të japë më shumë detaje rreth markave apo firmave. “Mjafton të jenë veshje me të cilat unë ndihem rehat. Nuk dua të shes shumë tangërllëk dhe të tregoj markat”, i bën bisht pyetjes për firmat e rrobave.

Por nuk është e nevojshme të na e thotë ajo, sepse etiketat flasin vetë. Të gjitha xhinset i ka Diesel, duke përjashtuar disa palë të tjera, që Suada i ka zgjedhur mes: Armani, Gucci, Dolce Gabbana apo DSquared.

“Në mbrëmje dua të rrëzëllij. Ndaj zgjedh fustane mbrëmjeje përgjithësisht njëngjyrësh, që kombinohen me sandale të larta, zbukuruar me gurë”, tregon me radhë fustanet që merr më shpesh gjatë udhëtimeve. Dhe meqenëse Suada i përket botës së spektaklit, në veshjet e saj rrëzëllitëse nuk mungojnë as fustanet me firmat e stilistëve shqiptarë, si: Enada At’Nikolla, Ardi Asllani, Rezarta Skifteri dhe Mirela Nurçe, por që janë të gjitha fustane spektaklesh, të cilat zor se u bie radha të vishen ndonjëherë jashtë skenës. Mes stilistëve shqiptarë, ajo preferon Mirela Nurçen. “Këtë fustanin e gjelbër e kam blerë vetëm sepse më kujton jakën e fustaneve të stiluara nga Mirela Nurçe”, tregon duke rregulluar jakën e fustanit që mban veshur.

Edhe këpucët u përkasin firmave të njohura. Të sheshta apo me taka, sportive apo klasike, këpucët e saj u përkasin emrave të mëdhenj të modës dhe janë të kombinueshme me çantat, të cilat duket se Suada i ka dobësi. Çantat e saj Louis Vuitton, Cavalli, Christian Dior, Gucci, Diesel, do të ishin krenaria e çdo zonje në moshë… “Mbrëmjeve preferoj kuletat e dorës ose çantat e vogla”, thotë Suada.

E nëse mendoni se gjumi u jep fund detajeve të firmuara të gardërobës së Miss-it, gaboheni rëndë. Bukuroshja vlonjate, edhe ëndrrat i sheh veshur me këmishë nate Christian Dior.

Aksesor-mania

“Jam e fiksuar pas rripave, syzeve dhe çantave. Kësaj radhe, nuk gënjej dot: nëse nuk i kam firmato, nuk i blej fare”, dorëzohet më në fund Suada për maninë që ka ndaj firmave. Ka dhjetëra palë syze, që u përkasin emrave më të njohur, si: Cavalli, Versace, Armani, Ray Ban, Dior, Moschino, Bvlgari, Armani, Burberry. “Kam dy palë Dolce&Gabbana, sepse një palë m’u vjetruan. Të preferuara kam këto syzet me gurë D&G.  Kam shumë pak kohë që i kam blerë dhe nuk ua kam nxjerrë qejfin akoma”, thotë Suada tejet e kënaqur nga ajo ç’tregon pasqyra, teksa  provon syzet e preferuara. “Edhe rripat i adhuroj. Pjesën më të madhe të tyre i kam Diesel. Pastaj kam edhe Armani, Gucci, Cavalli, D&G, Symbols etj.”, thotë Suada, teksa ka mbushur krahun me një dëng me rripa. Pastaj nis e na i tregon një nga një, duke sugjeruar se çfarë shkon me njërin apo tjetrin rrip. Papritur kujtohet se është “e çmendur” edhe pas orëve. “Për pak do të harroja t’ju tregoja orët. Ja kjo është Rado, këto të tjerat janë Longiness, Armani, D&G, Pierre Cardin etj.”, tregon ajo një sirtar të mbushur plot me ora dhe bizhu. “Oh jo, jo, jo! Thatë bizhu?! Jo! Unë nuk kam bizhu, sepse të gjitha varëset, vathët, byzylykët apo unazat i kam prej ari, perla, diamantë dhe Swarovski”, thotë Suada si e zënë në faj, që zotëron pothuajse një thesar. Kuptohet lehtë që një pjesë e mirë e këtij thesari rri në shtëpi kur ajo shkon nëpër udhëtime. Por, valixhja përsëri është dëng me gjithfarësoj gjërash të tjera më të nevojshme se këto, domosdoshmërisht, pa diskutim, të firmuara.

 

I love shopping, ashtu si…

September 28, 2008

Për veshjet e tyre, më së shumti kujdesen stilistët. Por ama jemi të bindur se asnjëra prej tyre nuk do të hiqte dorë nga kënaqësia që të jep shëtitja nëpër dyqane. Është mania e çdo vajze, qoftë edhe kur është VIP

Je e mërzitur? Dil për shopping. Je zënë me të dashurin? Dil për shopping. Eprori të ka tërhequr vëmendjen? Dil për shopping. S’ke ç’të bësh paradite? Dil për shopping. Me siguri nuk do gabonim aspak nëse do ta quanim “sportin” më të preferuar. E kur ne, të vdekshmet e zakonshme, e kemi një ndër aktivitetet e pëlqyera, ç’pyet pastaj për femrat që popullojnë rrugët e Hollivudit? Emrat e dyqaneve më të famshëm i kanë shtëpi të dytë. E meqë ato vdesin të vërdallosen nëpër vitrina e të pasurojnë gardërobën me fjalën më të fundit të modës, edhe ne vdesim t’i shohim teksa mbushin çantat. E këtu kureshtja nuk na lë rehat as kur vjen puna tek personazhet e njohura shqiptare.

 

Angelina Jolie

Një karrocë e mbushur plot me lodra dhe gjithfarë çikërrimash për fëmijë. Përderisa Angelina është kaq e dëshiruar për t’u bërë nënë sa ka adoptuar 3 fëmijë, ka lindur një dhe është duke pritur të dytin, atëherë është fare e kuptueshme se kur vjen puna për t’ua bërë qejfin, aktorja bukuroshe nuk e shtrëngon fare dorën.

 

Rezarta Shkurta

Një vajzë që bëhet e njohur prej një konkursi bukurie, që këndon e që synon të bëhet modele, e di mirë sa i rëndësishëm është imazhi. Ndaj edhe Rezi Shkurta u kushton vëmendjen kryesore rrobave që vesh. Kryesisht veshjet e videoklipeve ua beson stilisteve, por kjo nuk do të thotë se mund të heqë dorë nga kënaqësia e të bërit shopping; nëse ka edhe ulje çmimi, aq më mirë!

 

Eva Longoria

Lum si ajo! Jo vetëm që ka fatin të jetë një nga aktoret më të lakmuara nga të gjithë prodhuesit që i besojnë reklamën e produkteve të tyre, por ka edhe një bashkëshort aq të bindur sa i vjen pas mendjes edhe në diçka që burrat në përgjithësi e urrejnë: të dalin nëpër dyqane. Por nuk ndodh kështu me Evën dhe Tonin. Nuk është mbushur ende viti që kur janë martuar dhe është e kuptueshme: ai e trajton ende si princeshë.

 

Jessica Alba

Në fakt, ajo i ka marrë masat. Ka vënë kapelë dhe syze dielli të errëta. Ka kapur flokët dhe është veshur si një vajzë e zakonshme. Pastaj ka shpresuar që të argëtohet duke blerë. Por ja që edhe kështu e ka pasur të vështirë t’i shpëtojë celuloidit dhe ka rënë në kurth. Ndoshta, ajo që e ka tradhtuar ka qenë pikërisht çanta firmato që ka vendosur në karrocën e supermarketit.

 

Rajmonda Bulku

Sigurisht që nuk e ka marrë mundimin të maskohet me kapelë dhe syze që t’i shpëtojë vëmendjes të fansave dhe të paparacëve. Në fakt, Rajmonda Bulku nuk i ka shpëtuar as njërit, as tjetrit. E megjithatë nuk ka hequr dorë nga kënaqësia e të shëtiturit me radhë nëpër të gjitha dyqanet. Kur të thonë “aktorja më e bukur shqiptare”, ke edhe një përgjegjësi më shumë për të qenë e veshur bukur.

 

Jessica Simpson

Kushedi se sa kushtojnë ato këpucët që ka në dorë Jessica Simpson. E kalojnë me siguri milionin, duke qenë se bëhet fjalë për një aktore që pëlqen të ketë në gardërobë koleksionet më të fundit të këpucëve. Por edhe të çantave, sigurisht, po qe se shohim çantën Fendi që ka në dorë.

 

Katie Holmes

Gruaja bukuroshe e aktorit Tom Cruise është fotografuar jo pak herë teksa shëtit dyqanet nën shoqërinë e vogëlushes së saj Suri. Të njëjtën gjë është duke bërë edhe tani: duke blerë rroba për vajzën e saj të vogël, e cila – derisa të rritet – duhet t’i besojë shijes të mamit të saj. Nuk ka për t’i dalë për keq, përderisa që tani mami e vesh kokë e këmbë me Burberry apo me firma të tjera të famshme.

 Për veshjet e tyre, më së shumti kujdesen stilistët. Por ama jemi të bindur se asnjëra prej tyre nuk do të hiqte dorë nga kënaqësia që të jep shëtitja nëpër dyqane. Është mania e çdo vajze, qoftë edhe kur është VIP

                                                       

Liz Hurley

Është ëndrra e çdo vajze: të ketë një palë këpucë Jimmy Choo. Por shumica mjaftohet duke i parë në ndonjë faqe interneti dhe sigurisht vazhdon t’i ëndërrojë. Pastaj ka edhe nga ato vajza që quhen Liz Hurley dhe mund të mbajnë në duar çantën me logon Jimmy Choo, brenda së cilës janë me siguri një palë këpucë të hatashme.

 

Orinda Huta

Është fotografuar fare rastësisht teksa ka kapërcyer derën e një dyqani dhe është përqendruar duke shëtitur sytë nëpër vitrina. S’e ka kuptuar fare Orinda që po e fotografojnë dhe duket që nuk është duke bërë kot. Ne e kuptojmë: kur je duke bërë shopping as që e ke mendjen se ç’bëhet rrotull teje dhe duket se këngëtarja Orinda Huta nuk bën përjashtim nga grupi “I love shopping”.

 

Paris Hilton

Trashëgimtarja e famshme i ka dhënë provat: nuk ka ndonjë gjë më të rëndësishme për të bërë, përveçse të sorollatet klubeve të natës, të dehet, të bëjë skandale e – kur i tepron pak kohë – të bëjë shopping. Madje, këtij të fundit i kushton rëndësinë që meriton, duke vizituar dyqanet më të famshëm. E kanë radhën produktet kozmetike Kate Somerville.

 

Reese Witherspoon

Të gjitha e kemi provuar atë kënaqësinë që ndjen pasi ke futur në çantë atë fustanin që të pëlqente aq shumë. Sytë të shkëlqejnë dhe në buzë ke një buzëqeshje teksa del nga dyqani. Ja, tamam siç duket Reese Witherspoon. Çudi! Kishim menduar se këtyre aktoreve të famshme nuk u bënin shumë përshtypje kur blejnë rroba të reja. Po të gjykosh nga pamja, e paskemi pasur shumë gabim!

 

Victoria Beckham

Një vit u zgjodh si femra e veshur më bukur, pastaj një vit tjetër si femra e veshur më keq. Mirë apo keq, një gjë është e sigurt: Victoria Beckham është një “fashion victim”. Ta shohësh teksa provon këpucë 12 centimetra të larta, në një butik (që kushedi sa të shtrenjta i ka çmimet) nuk ka asgjë për t’u çuditur. Me siguri që ky është pasioni i saj më i madh, përveçse të bëjë operacione plastike.

 

Arbri mban të bashkuar protagonistët

September 27, 2008

Edhe pse u bënë disa muaj që spektakli “Big Brother” ka mbaruar dhe ish-banorët e asaj shtëpie janë rikthyer në rrjedhën normale të jetës së tyre, duket se ata preferojnë ta ruajnë miqësinë me njëri tjetrin.

Arbri, fituesi i 50 mijë eurove të këtij spektakli duket se ka më shumë predispozitë se të tjerët për ta ruajtur këtë miqësi. Kjo edhe për faktin se ai ka iniciuar projektin “Ndryshimi fillon nga ti” dhe disa miq të këtij programi në krah të tij,janë veçse një gjë pozitive, pasi ata tashmë janë të famshëm. Të shtunën e kaluar paparaci ynë i gjeti tek një nga pubet e njohura në qendër të Tiranës.

Arbri si gjithmonë ishte i shoqëruar nga e motra Edlira dhe i fejuari i saj Gerti Bogdani. Ndërkohë në tavolinën e tyre ishin edhe Astriti, Jonida dhe Julinda. Arbri falë këtij projekti ka arritur të mbajë zgjuar kuriozitetin e të gjithë atyre që e pëlqyen dhe e votuan në “Big Brother” ndërsa të tjerët i janë kthyer jetës normale me ndonjë ndryshim të vogël.

Big Brother Albania: Arbri mban të bashkuar protagonistët

« Previous PageNext Page »