Kur bagazhi të rrëfen karakterin

September 30, 2008

Të përgatisësh valixhen e udhëtimit, sigurisht që nuk është gjëja më e vështirë. Sidomos valixhen e pushimeve. Është një kënaqësi më vete.

Por edhe me anë të këtij veprimi mund të zbulosh aspekte interesante të personalitetit. Tani, kur të bësh gati valixhen, kije mendjen

 

Momenti më kritik i pushimeve? Të përgatisësh bagazhet dhe të planifikosh çfarë të marrësh e çfarë të lësh në shtëpi. Prandaj valixhja tregon shumë për personalitetin dhe për raportin që kemi me gjërat tona. Të përgatisësh valixhen është para së gjithash një çështje ekuilibri. Mes asaj që na shërben dhe asaj që na jep siguri. Ja disa raste, që me siguri i njihni shumë mirë.

 

Nëse brenda fut brenda gjithçka që mundesh

Është një nga gabimet e përhershme të grave. Fusin në valixhe veshje të të gjitha ngjyrave dhe kanë nevojë për trefishin e hapësirës së valixhes që të nxërë brenda të gjitha rripat dhe këpucët, që kombinohen me secilën nga veshjet. Më mirë përpiqu të gjesh një rrugë të mesme. Që do të thotë një ngjyrë bazë, me të cilën të lidhet pjesa tjetër e veshjeve.

 

Interpretimi: Frikë nga e papritura

Të nisesh do të thotë që të lësh në shtëpi të përditshmen tënde. Kjo është arsyeja që çështja bëhet e komplikuar. Përgatitja e valixhes shërben për gjetjen e një kompromisi mes asaj që duhet të marrësh dhe asaj që duhet të lësh në shtëpi, duke ndjekur logjikën. Sipas, psikologëve, kush merr gjithçka me vete dhe ka frikë nga e papritura, është e paaftë të bëjë zgjedhje dhe të planifikojë. Të fusësh gjithë gardërobën në valixhe, është e pamundur. Prandaj është mirë që t’i bësh apel shpirtit kritik. Në fund të fundit, udhëtimi është gjithmonë i panjohur.

 

Nëse përdor qese, etiketa 

Veshje intime, triko, pizhame, pantallona, funde, fustane… gjithçka është e mbyllur dhe e etiketuar. Valixhja duket thuajse si një arkiv. Ka nga ato që valixhen e rregullojnë kështu. Por kjo u ndodh edhe burrave. Edhe në këtë rast na vjen në ndihmë një shpjegim psikologjik. Një burrë me një valixhe ku gjërat janë paketuar për së mbari, ka nevojë të mbajë gjithçka nën kontroll. Por është, sigurisht, një shoqërues udhëtimi më interesant sesa ai që niset me një valixhe të boshatisur dhe pastaj merr hua gjithçka.

 

Interpretimi: Kontrollon ankthin

Personat me një personalitet superkontrollues janë ata që duan ta kenë situatën nën vëzhgim, sepse kështu mbajnë nën kontroll jo valixhen, po ankthin. Janë të njëjtët persona, që vendosin në qendër të valixhes një thes me shampo e kremra duke thënë: “Ku i dihet!”. Në realitet janë persona pesimistë, që presin gjithmonë të ndodhë diçka e keqe.

 

Nëse merr objekte të kota

E keni parasysh Ben Stiller-in në “Meet the parents”? Tamam shembulli i atij që përgatitet për një udhëtim duke menduar për gjithçka që mund të ndodhë, duke u përpjekur të parandalojnë çdo të papritur, pa e shijuar udhëtimin. Është sindromi i atyre që për pushime marrin gjithçka: që nga ekspresi i kafesë, tek mushamaja e shiut a tek ombrella. edhe pse po shkojnë për pushime në det. Por këtë nuk e bëjnë vetëm burrat. Ndonjëherë edhe gratë e ekzagjerojnë.

 

Interpretimi: E vështirë në ndahesh nga e përditshmja

Një person i pasigurt, që e ka të vështirë të stakojë spinën dhe që duhet të ndihet gati për çdo gjë. Ky është identikiti i atij që e mbush valixhen me gjithçka, duke menduar se diçka e papritur mund të ndodhë. Të marrësh me vete për shembull edhe aparatin e kafesë apo jastëkun, është simptoma e atyre që nuk duan të ndërrojnë zakonet as kur bëhet fjalë për 15 ditë pushime.

 

Kur valixhja është e mbushur me konfuzion

Ku ta kem vënë furçën e dhëmbëve? Nëse, sapo hap valixhen, kjo është pyetja e parë që i bën vetes, atëherë ka diçka që nuk shkon në organizimin e valixhes tënde. Megjithatë, ka edhe nga ata që marrin ca bluza që i zë dora, hedhin brenda një palë xhinse, por pastaj harrojnë rripin e – më keq – akoma s’kujtohen për veshjet intime. Nxitim? Edhe kjo mund të jetë. Sepse disa kujtohen në momentin e fundit për të përgatitur valixhen.

 

Interpretimi: Të pavëmendshëm. Nuk shkëputen dot nga puna  

Kush e përgatit valixhen kështu, tregon çorganizim dhe mungesë kujdesi. Askush nuk mendon se të përgatisësh valixhen është argëtuese, por për ata që fusin brenda ato që ju kap dora për momentin, mund të kthehet edhe në një ankth. Nëse harrojnë në shtëpi gjërat e rëndësishme, do të thotë se vëmendja nuk ka qenë e përqendruar aty, por ka qenë ende e fokusuar tek puna. Të paaftë për t’u ndalur, vazhdojnë të varen ende nga ajo që nuk është e rëndësishme për momentin dhe përfundojnë duke mbushur valixhen me vrap.

Edhe flokët plaken

September 29, 2008

Me kalimin e moshës, flokëve nuk iu ndryshon vetëm ngjyra. Bëhen më të hollë, humbasin butësinë dhe elasticitetin, prandaj lind nevoja të kurohen. Ja disa kura sipas problemeve që shfaqen

 

Image 

 

Hollohen sepse u mungojnë hormonet

Pas të dyzetave, para menopauzës, trupi prodhon më pak estrogjen, hormonin që ka një efekt pozitiv mbi ciklin jetësor të flokëve. Kur zvogëlohet sasia e estrogjenit, rritet niveli i një enzime që është përgjegjëse për rrallimin e sasisë së fijeve të flokëve, si edhe për rënien e tyre. Ende nuk është zbuluar ndonjë metodë e përshtatshme për të kompensuar rënien fizike të flokëve. Atëherë janë shumë të nevojshëm flakonët riforcues, që janë me përbërje amineksili. Ky është një përbërës mjaft aktiv, që përmirëson ndjeshëm fiksimin e rrënjës së flokut në skalpin e kokës. Gjithashtu, duhen përdorur ushqyes, si: metiotina, cistina dhe tirozina, enzima të cilat e luftojnë veprimin e enzimës “armike”. Madje, këto substanca ndihmojnë sidomos që të mos dobësohen fibrat e flokëve.

Nëse rënia është në përmasa të mëdha, që bën të duken të zbrazëta pjesë të ndryshme të kokës, atëherë është e nevojshme të kërkohet ndihma e një dermatologu, si dhe të ndiqen  kura më të specializuara.

 

Zhvillohen pore kur humbet Keratina

Problemi i rënies së flokëve është i njëjtë me atë të plakjes së lëkurës. Me kalimin e kohës, reduktohen substancat e organizmit, që shërbejnë si izolues për qelizat epidermike. Si rezultat, poret e tyre bëhen më të dukshme. Në rastin e flokut, ajo që reduktohet është sasia e keratinës dhe kolagjenit. Shtresat që i veshin këto qeliza epidermike humbasin kompaktësinë. Për këtë arsye, qelizat epidermike janë të pambrojtura nga veprimi i agjentëve të jashtëm dhe i rrezeve ultravjollcë. Për të mbrojtur flokët është e nevojshme që shampot normale të zëvendësohen me produkte të pasura me filtra UV dhe një herë në dy javë duhet të përdoret një maskë me vajra, sigurisht me bazë bimore. Meqë në këtë fazë poret e flokëve janë më të hapura, nuk do jetë aspak e vështirë që ta absorbojnë më mirë vajin, duke shtuar në këtë mënyrë hidratimin dhe kompaktësinë e tyre.

 

Humbasin shkëlqimin kur nuk reflektojnë mirë dritën

Guanina që i mbështjell flokët përbëhet nga shumë shkallëzime të mbivendosura. Kur niveli i ujit në brendësi të indeve fibrorë nuk është i mjaftueshëm, atëherë drita që bie mbi to nuk reflektohet mirë. Për të shpëtuar flokët pa shkëlqim nuk mjafton vetëm të ndryshohet lyerja apo t’i nënshtrohesh goditjeve me rreze diellore. Duhen zgjedhur produkte që përmbajnë vitamina apo edhe aminoacide, që forcojnë rrënjën e flokëve. Ndërsa, për të ruajtur shkëlqimin e flokëve, duhen zgjedhur produkte me bazë silikoni.

 

Bëhen shpejt pis, sepse thithin smogun

Kur poret e flokëve janë të mëdha, ato rëndohen, sepse smogu dhe pisllëku, në vend që të largohen, penetrojnë deri në rrënjë. Në këtë rast është e domosdoshme të përdoret një shampo delikate, e cila përbëhet nga sasi minimale agjentësh përgjegjës për prodhimin e shkumës. Kështu, do të jetë e mundur që t’i lani çdo ditë flokët tuaj. Sugjerohen shampot, formulat e të cilave janë të pasuruara me alga të kuqe, pasi ato pastrojnë në brendësi, por me delikatesë. 

 

Këputen shpejt kur përmbajnë pak ujë

Merrni një fije floku që ju ka rënë në jastëk apo dhe në këmishë dhe shikoni me kujdes nëse ajo është me nyjë. Nëse jo, atëherë fija e flokut është këputur. Edhe në këtë rast, shkaku është mungesa e dehidratimit. Flokët jo vetëm që dobësohen, por duken më të ashpër dhe të pakrehur. Gjëja e parë që duhet bërë është përdorimi i një shampoje zbutëse, që përmban vitaminën B5.

Një herë në javë duhet bërë një masazh i flokëve të lagura me vajra me përmbajtje misri ose ulliri, që duhet mbajtur për rreth 15 minuta. Kjo lloj maske shërben për t’u rikthyer flokëve butësinë dhe elasticitetin.

 

Nuk e mbajnë gjatë krehjen, sepse janë të elektrizuar

Është normale nëse, pas të pesëdhjetave, edhe flokët të bëhen më të pabindur. Struktura e tyre kimike ka ndryshuar. Për këtë arsye, shpesh, flokët janë të elektrizuar dhe të shpupurisur. Ka vetëm një mënyrë që t’i bindim flokët rebelë: ato duhet të krihen gjatë tharjes; kështu do të fiksohen më mirë. Do të ishte e këshillueshme që të përdoret edhe llaku në momentin kur kriheni. Gjithashtu, këshillohet që një herë në muaj t’i kërkonit parukieres tuaj t’ju bëjë një maskë me kolagjen, sepse kjo substancë i rikthen elasticitetin flokut. Nëse doni të dilni, por flokët nuk i keni të larë, atëherë përfitoni nga një banjë në vaskë. Mbështillini flokët me bigudi gjigande, futuni në vaskë dhe relaksohuni. Do të jenë avujt e ngrohtë ata që do të kujdesen për të fiksuar krehjen.

Ëndërron flokët e yjeve? Ja si t’i kesh

September 29, 2008

T’i imitosh nuk është e vështirë. Parukierët e tyre rrëfejnë sekretet e realizimit të krehjeve dhe ngjyrave të veçanta të flokëve të Angelina Jolie, Gisele Bündchen apo Jennifer Lopez. Këshillues më të mirë look-u nuk mund të kishit fatin të takonit. Shembujt i keni

 

Të çrregullta si Sarah Jessica Parker

Divja e “Sex and the city” ka flokë me onde të egra. Tani ka krijuar një krehje më moderne. Sekreti: Hair stilist-i i saj, Serge Normant, ka studiuar një rrugë të mesme mes  kaçurrelave dhe ricave të shkrifëta. Mund t’i realizoni në dy mënyra. Nëse keni flokë të çrregullt, thajini më parë me tharëse dhe me një furçë gjysmë rrumbullake për të krijuar format që rregullohen në fund me mashë. Formojini kaçurrelat me gjerësi të ndryshme për të pasur një look sa më casual dhe të shmangni ondet perfekte. Kush ka flokë kaçurrela, duhet t’i thajë me difuzor, t’i fiksojë ondet me karfica derisa të thahen dhe më pas të kalohen në mashë. Në të dyja rastet, për një rezultat sa më perfekt, përdorni shkumën. Mbi flokët e thatë mund të përdoren një llak që i lë ondet elastike dhe të rrjedhshme.

 

Onde si të Gisele Bündchen

Ondet e valëzuara të top modeles braziliane duken si të bëra me qëllimin për të tërhequr vëmendjen mbi trupin e saj perfekt. Sekreti: Sensuale, të egra dhe të rregullta në të njëjtën kohë, ondet e saj janë të rrjedhshme, të përdredhura, falë lëvizjes të ndryshme të gjatësisë dhe majës”, ka thënë parukieri  i saj, Harry Josh. Si krijohen? Me pjastër. E cila duhet përdorur duke lënë të lirë majat, që ashtu siç shihet në foto, ngelen të çlirshme, duke rritur butësinë. Nëse keni flokë të drejtë, duhet të vendosni bigudina dhe, pasi t’i keni hequr, mos përdorni krehër, por majat e gishtërinjve. Për t’i bërë të mëndafshtë si të Bündchen, tamponojini me lëngun e farave të linit.

 

Image 

 

Kaçurrela si Beyoncé

Sipas hair stylist-es së saj, Kimberly Kimble, sekreti i kaçurrelave spektakolare të këngëtares qëndron në faktin se janë elastikë, pa humbur volum. Për të krijuar këtë efekt, mos i thani flokët me tharëse, e cila i kreshpëron, por me difuzor, duke i lënë pak të lagur për një rezultat sa më natyral. Që pastaj mund të përmirësohet duke i masazhuar me vajra e lëngje që lejojnë formimin e një kaçurreli, i cili ndjek një lëvizje të rrjedhshme nga rrënja tek maja. Shmangeni këtë look, nëse nuk keni flokë kaçurrela. Permanenti e dëmton flokun, sepse shkatërron lidhjet mes aminoacideve të fijes, e cila humbet kështu 50 përqind të rezistencës.

 

Image 

 

Brune si Angelina Jolie

Angelina është prova që vërteton se jo vetëm biondet mund të jenë seks-bomba. Versioni platin stononte me linjat e saj aq të dukshme dhe nuk ia jepte kurrë pamjen që i jepnin flokët e errët. Tashmë, flokët e saj kanë një ton gështenjë të ngrohtë, që reflekton të gjithë dritën e syve të saj të kaltër. Ja edhe sekreti i zbuluar nga hair stilist-i i saj, Gibson: “bëhen disa fije shumë të holla një ton më të çelët sesa ngjyra natyrale e bazës në zonat që kornizojnë fytyrën, për t’i dhënë më shumë dritë. Goditjet bëhen vetëm në zonën e rrënjës, për të shmangur shpëlarjen e mëvonshme”. Këshilla e fundit: nëse keni flokë të hollë, si të sajët, shmangni krehjen super të drejtë dhe jepuni pak lëvizje në rrënjë dhe gjatësi.

 

Image 

 

Gështenjë si Jennifer Lopez

Gështenja e bukuroshes Jennifer Lopez ka një nuancë speciale mjaltë i artë. Perfekte për lëkurën e saj të errët dhe sytë gështenjë. “Sekreti qëndron tek fijet bionde, jo shumë të ndezura e as të zbehta, të cilat bëhen më të gjata përpara për të kornizuar fytyrën, më të holla e më të rralla mbrapa”, tregon koloristja e saj Rita Hazan. Nëse ju pëlqen ky look, ideal për flokët gështenjë, ju këshillojmë t’i thani në mënyrë të çrregullt, që të kenë një pamje homogjene. Mund t’i krihni me një furçë mesatare, nëse ju pëlqejnë me onde ose të përdorni pjastrën, duke e mbajtur në pozicion vertikal. Kështu do të keni flokë paksa të pakrehur, por të rregullt.

 

Të kuqe si Julianne Moore

Të imitosh look-un e aktores nuk është e thjeshtë, sepse e kuqja është një ngjyrë që u shkon atyre që kanë lëkurë të tejdukshme dhe sy të qartë. Nga ana tjetër, edhe tek ajo, sekreti ekziston. E zbulon Harry Josh, koloristi i saj: “Qartësohen me fije në ngjyrë ari, mat, shumë të holla”. Këshillohet ngjyra e kuqe për flokët e errur dhe prerjet e gjata ose të shkurtra, jo në gjatësi mesatare. Nëse ju pëlqen versioni i gjatë dhe i shkallëzuar i aktores, kujtohuni që herë pas here të kaloni gërshërën për të shmangur fijet e dyfishta. Përveçse janë joestetike, ky është edhe sinjali se është dobësuar kutikula. Nëse nuk prihen, dëmi zbret deri në fije dhe kështu flokët këputen.

Pikë e presje sipas modës

September 29, 2008

Pikë e presje sipas modës

 

Një model i ri flokësh, që ka tunduar edhe ato që vështirë se do mund t’i shihnim ndonjëherë me flokë të shkurtër. Por ja që ndodh edhe që të vësh gërshërën mbi flokë për hir të një modeli tendencë. Siç kanë bërë personazhet e ekranit dhe nuk janë dukur aspak keq

 

 

Nuk kanë luajtur kurrë lojë të fortë me flokët. Gërshëra mund të ketë shkurtuar maksimumi dy centimetra. Përjetësisht i njëjti model, me ndonjë ndryshim të vogël në ngjyrë ose në balluke. Ja që u desh moda e flokëve të sivjetshme, prerë e stiluar me presje, që t’i shihnim me flokë të shkurtuar edhe ato që nuk i kishim parë kurrë. Ndoshta sepse u ishte mërzitur modeli përherë i njëjtë. Ndoshta sepse kishin dëshirë për t’u bërë pak trendy ose ndoshta sepse po vjen stina e ngrohtë dhe flokët e shkurtër janë më të rehatshëm. Po pak rëndësi ka arsyeja. Ky stil duhet imituar.

 

Mariza Ikonomi

Le të dilte sa të donte moda me kaçurrela me fije a me stilime nga më të ndryshmet. Mariza Ikonomi nuk është joshur kurrë nga tendencat e parukerisë, siç kanë bërë të gjitha shoqet e saj. Por s’ka pak muaj që edhe Mariza u dorëzua dhe u vuri gërshërën flokëve të saj përjetësisht të gjatë. Ama balluket nuk i ngacmoi.

 

Zana Çela

Që në kohën e hit paradave të këngës në televizionin shqiptar, flokët e Zanës nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim për t’u mbajtur mend. Përveç ngjyrave, gjatësia dhe modeli kanë mbetur thuajse të njëjtë. Por një model, që askush nuk mund të thotë se nuk i ka shkuar për shtat. E ja, pas shumë vitesh në ekran, Zana Çela vendosi të ndiqte modën e këtij viti. Dhe flokët u shkurtuan.

 

Katie Holmes

Shumë thanë se shoqëria e ngushtë me Victoria Beckham e kishte bërë punën e saj. Ndaj edhe Katie u shfaq befas një ditë me modelin aq të ngjashëm me të Victoria-s. Po ç’rëndësi ka nëse e ka kopjuar apo jo. Me modelin e saj të ri të flokëve, gruaja e Tom Cruise-it duket se ka rilindur. Dhe ka pushtuar krejt papritur faqet e revistave, që e klasifikojnë si një fashioniste të thekur.

 

 

Eli Fara

Sikur të mos ishte për këtë foton, me siguri asnjë nuk do ta kishte besuar se edhe Eli Fara ka marrë guximin të presë flokët. Gati nuk numërohen vitet gjatë të cilëve supet ia mbulonin flokët e gjatë, rigorozisht të drejtë e të zinj pis. Por kur tendencat kalojnë më parë nga Nju Jorku, edhe tek Eli do të trokisnin me patjetër, qoftë edhe për ta bindur për një ndryshim jo pak të madh.

 

Victoria Beckham

Për sa kohë që veshja e saj klasifikohej përherë në vendin e parë të yjeve të veshura më bukur, askush nuk merrej me modelin e flokëve të Victoria-s. Një model si gjithë të tjerët: flokë gështenjë, të gjatë, herë me onde të mëdha e herë të drejtë. Por sapo fotot e saj me flokë të shkurtër pushtuan revistat, vëmendja u përqendrua menjëherë tek koka. Dhe këtë vit Victoria ishte sërish e para. Por në hit paradën e të veshurave më keq.

 

 

Rihanna

Ndoshta ajo mund të quhet edhe shpikësja e këtij modeli. Sepse ishte ndër të parat që u shfaq me modelin që bëri epokë e që duket se i zilepsi që të gjitha, madje edhe ato që kurrë më parë nuk kishin guxuar që të vinin dorë mbi flokët. Ndërkohë, Rihanna vazhdon ende ta shijojë suksesin e modelit të saj.

 

 

Enada Hoxha

Flokët e një balerine duhet të jenë detyrimisht të gjatë. Sepse janë më të lehtë për t’u kapur e stiluar nëpër skenat e baleteve klasike. Dhe Enada Hoxha i ka mbajtur përherë të tillë, në gjatësi poshtë supeve. Por ja që modeli i ikonave, stiluar me presje, nuk mund ta linte indiferente. Ndaj, për herë të parë primabalerina do të shfaqej me një look që ndoshta nuk do të përsëritet më. Flokët kanë filluar t’i zgjaten sërish.

 

Box

Ingrit Gjoni

Në fakt, këto nuk janë flokët e saj origjinalë. Bëhet fjalë për një paruke, që Ingriti e ka përdorur në klipin e saj më të fundit. Ama ato flokë mund të ishin edhe ngjitur pas kokës, mund të ishin edhe të një modeli tjetër. Por jo! Janë pikë për pikë sipas modelit që së fundmi i ka infektuar të gjitha. Ndoshta kjo është një provë, para se Ingriti të vendosë t’i shkurtojë flokët e saj gjithmonë të gjatë.

 

Çele fytyrën me trukun e duhur

September 29, 2008

Çele fytyrën me trukun e duhur

 

Bezhë shkëqlqyese dhe si rërë, përzierje ngjyrash të zbehta, nuanca të kuqe dhe gri, vija blu: zgjidh trukun e duhur enkas për sytë e tu

 

 

 

Bezhë me shkëlqim dhe ngjyrë rëre

 

Pasi të kesh hequr nga sytë çdo gjurmë lodhjeje, mund të fillosh me trukun. “Në krye të  hit paradës të tendencave të kësaj pranvere është make up-i natyral, me efekt tripërmasor”, shpjegojnë artistët e make ip-it të sfilatave të mëdha evropiane. “Për t’i realizuar nevojitet të përdoren pluhura me ngjyrat e hijes dhe dritës: “Për ta realizuar duhen përdorur pluhura me ngjyra të hijes dhe dritës: bezhë, rërë, e errët, gështenjë. Këto përhapen duke respektuar ngjyrat e qepallës. Pra, nuanca e hapur përdoret pranë qerpikëve dhe ajo e errët në vijën e harkut të syrit”. Për një vështrim më të ëmbël, mund të aplikosh, vetëm në qerpikët e sipërm, një rimel ngjyrë kafë e errët.

 

Ne të këshillojmë:

Në rast se do që truku të qëndrojë më shumë, para se të aplikosh pluhurin, lyej gjithë qepallën me një bazë silikoni. Duke e mbajtur lëkurën paksa opake, ai bën që make up-i të qëndrojë më mirë.

 

 

Përzierje ngjyrash të zbehta

Një tendencë e fortë e stinës është ajo e ngjyrave të zbehta, pasaporta të vërteta të make up-it të tendencës. Nuancat si e jeshilja e hapur, bojëqielli e shuar ose e verdha  e zbehtë janë hsuëm të përshtatshme si për paradite dhe për në mbrëmje. “Duhet pasur ama kujdes për përbërjen: është mirë të jenë kremoze, me shkëlqim  dhe paksa metalike”, këshillojnë mjeshtrit. “T’i aplikosh është e thjeshtë: mjafton të përdorësh furçë me fije natyrale dhe të përziesh të paktën dy ngjyra me njëra tjetrën”. Për të thekusar shkëlqimin e vështrimit zgjidh një ngjyrë që kontraston me atë të irisit, për shembull jeshile po të kesh sy blu ose të kuqe po t’i kesh ngjyrë lajthie.

 

Nuanca të kuqe dhe gri

Pasi ishin ngjyrat top për veshjet dhe aksesorët e këtij dimri e kuqja dhe grija bëhen ngjyrat më glamour të makijazhit të pranverës. “Mënyra më e mirë për të përdorur këtë çift triumfator është të formosh “smoky eye”, pra një hije gri rreth syve. Por duhet të jetë më pak e theksuar, më e zbehtë dhe e lehtë se ajo që ishte në modë në dimër. Vetëm kështu në fakt do i japë elegancë fytyrës” këshillojnë specialistët. “Për t’i dhënë dritë vështirmit dhe krijuar vetëtitje të shkëlqyeshme  sekreti është të dizenjosh një pikë të ndriçuar në këndin e brendshëm të syve me një pluhur me ngjyrë të hapur me shkëlqim”.

 

Vija blu

Këngëtarja Amy Winehouse mban në sy një vijë të zezë, të trashë e së fundmi pak të rënë. Për të qenë aktuale, në të kundërt, vija që duhet të bësh ti duhet të jetë e përkryer dhe ngjyra e saj blu e errët, një nga ngjyrat më në modë. “Vija që përdoret tani është e gjatë dhe ngrihet drejt tëmthave. Pradaj mund të bëhet me pluhur: mjafton të përdorësh një aplikator me majë. Me këtë mënyrë,  pastaj është me e lehtë ta pikturosh, sidomos po të duash ta trashësh më vonë, ngjyrë mbi ngjyrë. I shkon më shumë atyre që kanë sy të tërhequr sepse priret t’i rrumbullakosë ato” shpjegojnë specialistët.

Tani luaj me thonjtë

September 29, 2008

Më shumë sesa për një sezon të ri. Tendenca për të gjitha shijet: rozë romantike e femërore, e kuqe glamour dhe chic ose fluoreshente, trendy dhe zbavitëse. Dhe duart do të jenë më të bukura

 

Romantike me rozë

Për kë?

Për fillestaret e manikyrit, femrat romantike, admirueset e elegancës së matur, fanset e “lakuriqësisë” së duarve ose për ato që… janë gjithmonë me nxitim…

 

Nuancat 2008

Rozë pastel, rozë bon-bon, rozë e sheqerosur, rozë fluoreshente

Ke 5 minuta?

Apliko smaltin rozë me dy ose tre veprime. Vendos një shtresë smalti mbi thonj (2 minuta), prit 1 minutë, pastaj vendos shtresën e dytë (2 minuta). Por kujdes: në fund lëre të thahet plotësisht, për të mos e hedhur gjithë punën në erë.

 

Ke 10 minuta?

Vendos një bazë transparente për të mbrojtur thonjtë dhe që manikyri të zgjasë më shumë (1 minutë). Lëre të thahet për 1 minutë dhe më pas vendos dy shtresat e tjera të smaltit (5 minuta). Lëre të thahet për një minutë dhe më pas përfundo duke vendosur sipër një shtresë fiksuesi (2 minuta).

 

Ke 15 minuta?

Fillo operacionin “french manicure”! Vendos bazën (1 minutë) pastaj lëre të thahet për 1 minutë. Pastaj vendos linjën e hollë me smalt të bardhë, duke ndjekur mirë format natyrale të thoit (5 minuta). Lëre të thahet për një minutë dhe vendos dy shtresa smalti nga lart poshtë (5 minuta). Lëri të thahen për 1 minutë dhe përfundo duke aplikuar fiksues (2 minuta).

 

Këshilla

Nëse nuk ke kohë për të bërë “french manicure”, thjesht mund të ngjyrosësh ekstremitetet e thoit me një laps të bardhë.

 

Për cilat raste?

Në çdo rast! Chic dhe e rafinuar, ngjyra rozë u jep duarve një ton elegance të matur dhe natyrale.

 

 

 

Glamour në të kuqe

Sensual dhe tendencë, smalti i kuq mishëron bukurinë absolute. Atëherë nxirr thonjtë jashtë dhe bëhu e parezistueshme!

Për kë?

Për “femme fatale”, femrat e dashuruara, të djallëzuarat, modernet dhe mbi të gjitha për ato që dinë të jenë të duruara.

 

Nuancat 2008

Qershi, e kuqe korali, kumbull, mjedër, e kuqe e errët

 

Koha: 10 minuta

 

Vështirësia: 8  

 

Metoda

Vendos mbi thonj një bazë forcuese. Lërë të thahet për një minutë dhe më pas vendos shtresën e parë të smaltit të kuq, duke filluar nga qendra e thoit, duke kaluar pastaj nga e djathta në të majtë e duke lënë një hapësirë rreth 1 mm mes smaltit dhe lëkurës. Lëre të thahet për një minutë dhe më pas përsërite operacionin. Përfundoje duke vendosur një shtresë fiksuesi. Apliko gjithmonë duke filluar nga poshtë lart.

 

Këshillë

Smalti i kuq thahet lehtësisht. Sekreti është që ta vendosësh mbi thonj para se të fillosh të shohësh një film ose të lexosh një libër.

 

Kujdes!

Është një operacion delikat. Ulu në një vend komod që të aplikosh manikyrin pastër dhe mbaj gjithmonë gati një pambuk të lyer me aceton.

 

Për cilat raste?

Për një mbrëmje speciale, një takim romantik. Kombinuar me një fustan të kuq ose buzëkuq të po së njëjtës nuancë.

 

Fashion flesh

 

Për kë?

Për femrat që nuk u shpëtojnë tendencat, për natyrat alegro, për femrat e vendosura… me pak fjalë për të gjitha ato që dinë të guxojnë!  

 

Nuancat 2008

E verdhë, e gjelbër, violë, blu, portokalli

 

Vështirësia: 8  

 

Koha: 10 minuta

 

Metoda

Mënyra për të aplikuar një smalt fluoreshent është e njëjtë me atë të smaltit të kuq: zbulo të gjitha etapat për manikyrin perfekt.

 

Kujdes

Ky lloj smalti shkon me thonj të shkurtër në formë katrore. Efekti nuk do të jetë shumë elegant me thonj të gjatë.

 

Për cilat raste?

Stampat grafike dhe ngjyrat flesh janë protagoniste të modës dhe make up-it. Atëherë, për një stil tendencë, kombino thonjtë me look-un tënd.

Çfarë s’duhet të bëjë një estetiste e mirë

September 29, 2008

Që të jetë e zonja, nuk mjafton. Ka disa rregulla që duhen respektuar nga çdo qendër estetike. Ekspertët shpjegojnë si mund të arrijmë të kemi siguri të plotë tek ata që kujdesen për pamjen tonë

Si ta kuptojmë kur estetistja gabon. Ekspertët kanë bërë bashkë gabimet më të zakonshme. Dhe i kanë renditur në një miniguidë të gabimeve që duken të vogla, por që kushtojnë shumë.

 

Nuk sterilizon sipas normave

Të gjitha pajisjet për manikyr dhe pedikyr sterilizohen në autokllavë, e njëjta aparaturë që përdoret edhe nga dentistët. Më pas do të ishte një zakon i mirë – por jo i detyrueshëm – nëse klientëve u tregohen veglat ende të paketuara. Mos kini besim as te ata që përdorin para jush sterilizues me kristal apo me rreze UV, të cilat, duke u konsideruar jo shumë të sigurta, sot nuk përdoren më. Pyesni fillimisht estetistin nëse qendra është e pajisur me autoklavë.

 

Nuk përdor doreza

Dorezat duhen mbajtur për manikyr dhe pedikyr, sidomos në ato raste kur përdoren pajisje të mprehta.

 

Nuk zgjedh objekte njëpërdorimëshe

Nuk mjafton që të shihni të paketuara vetëm tangat e masazhit dhe kremin zbutës… por edhe rripi i flokëve, skufja e dushit dhe pantoflat duhet të jenë të paketuara. Pastaj, kini kujdes vasketën e përdorur për zbutje para pedikyrit: duhet të jetë e mbrojtur në një paketim njëpërdorimësh, sepse rreziku i mukozës është shumë i lartë.

 

Nuk propozon trajtime edhe nëse nuk ju njeh

Para aplikimit të substancave kozmetike që mund të shkaktojnë reaksione në lëkurë, estetisti duhet të informohet nëse merrni ilaçe, nëse jeni alergjik apo keni sëmundje të tjera. Ndërkohë që ka masazhe, si për shembull ai limfodrenues apo me gurë, që nuk sugjerohen në raste kur klientët janë të sëmurë me zemër.

 

Ofron masazhe të pjesshme

Masazhet e lokalizuara, për shembull ato në këmbë, në rast se klienti ka celulit, nuk shërbejnë për gjë: për të pasur një oksigjenim sa më të plotë të indeve dhe qarkullimit, domethënë për të çliruar qarkullimin e ujërave të mbetura në qelizë, duhet punuar në të gjitha pjesët e trupit.

 

Jep këshilla mjekësorë

Estetisti nuk është i diplomuar për mjekësi, prandaj nuk duhet të këshillojë dieta apo kura dermatologjike. Në rast se paraqitet një rast me akne, që mjekët janë duke e kuruar me ilaçe, duhet evituar çdo lloj trajtimi. Është më mirë që estetisti t’i kërkojë klientes një recetë me përshkrimin e kurave dhe të efekteve anësore.

 

Ta marrësh në shtëpi? Po apo jo?

 

Vetëm nëse klientja është e sëmurë ose do të bëjë trukun. Përndryshe rregullat janë shumë të qarta. Estetistët nuk mund të shkojnë në shtëpinë e klientëve. Nuk garantohet sterilizimi i pajisjeve dhe as ruajtja e mirë e substancave kozmetike, sidomos në verë, kur mbahen në makinë, pësojnë luhatje të temperaturave dhe mund të prishen.

…me një përplasje qerpikësh

September 29, 2008

Pas fustaneve, modelit të flokëve, tashmë e kanë radhën qerpikët. Muzë për mjeshtrit e stilit bëhen përsëri ato: ikonat e shekullit të kaluar. Ja si të ndiesh dive duke e parë botën përmes qerpikësh si të tyret…

Ndërkohë që në jetën e përditshme as që merren në konsideratë qerpikët e Twiggy-t si të kapura me kapëse rrobash, ja që ato, të gjatë, si valë flakësh, rivalizuan femrat e njohura për qerpikët e tyre Marilyn Monroe dhe Elisabeth Taylor. Sytë e tyre të mëdhenj legjendarë janë kthyer në fakt në trend. Gjithandej aplikohet grim i rëndë për të imituar qerpikët e ikonave të shekullit të kaluar. Sytë e artistëve të make-up-it janë hedhur pikërisht në gjashtëdhjetë vitet e fundit për të marrë leksione për qerpikë, që e bëjnë të paharrueshme çdo përplasje qepallash.

Për vështrimin më joshës të botës

Marilyn Monroe është mjeshtrja origjinale e vështrimit paksa të perënduar, ngultas me cepat e syve. Por duke u mbështetur te shkrimet rreth dives, shikimet e saj depërtuese nuk ishin thjesht rezultat i sex-appeal-it të saj të brendshëm. Specialistët shkruajnë se, kur një grua ia ngul sytë dikujt, ajo është e tërhequr prej tij, qepallat e saj ulen në mënyrë të pavullnetshme, duke krijuar pamjen e “syve joshës”.

 

Në shumë pasarela imitohet vështrimi joshës i Marilyn-ës me qerpikë të gjatë e të përhapur. Në sfilatat e fundit të “Seduzioni”, qerpikët dhe buzët e kuqe ishin elementët më të rëndësishëm, që krijonin një stil të vjetër dhe evokonin pamjen e aktores.

 

“Të gjitha zonjat e kohës së Marilyn-it mbanin qerpikë fals”, thonë artistët e make-up-it. “Ajo gjithë pjesën tjetër të grimit e mbante të lehtë, thjesht buzë të kuqe dhe qerpikë sexy në formën më klasike”.

 

Krijo sytë e paharruar të Marilyn-it me qerpikë artificial të pjerrët, që vijnë duke u zgjatur gradualisht në pjesën e jashtme të syve.

 

Për të krijuar qerpikë të kthyer, pa përdorur ato false, apliko një shtresë me rimel, një kthyese qerpikësh dhe një shtresë tjetër vetëm në këndet e jashtme.

 

 

…dhe do thonë: më pa një engjëll

Twiggy kishte atë pamjen e pafajshme-por-joshëse, që vetëm ato perëndeshat thatanike (dhe një adoleshente 16-vjeçare) mund ta ruajë. Duke u mbështetur te autorët që shkruajnë rreth stilit, qerpikët e gjatë e të ndarë, në fakt, bëjnë një fytyrë të rritur të ketë përpjesëtimet e fytyrës së një fëmije, që i shton ëmbëlsi dhe rini fytyrës së një gruaje.

Qerpikët e dyfishtë përdoren nëpër disa sfilata ku modelet ngjajnë si kukulla duke përdorur shumë shtresa rimeli në qerpikët e sipërm dhe të poshtëm për më shumë impakt.

Për të pasur rezultatin e pamjes së Twiggy-t, zgjidh një rimel që u jep shumë gjatësi qerpikëve, por nuk u shton volum. Mbaje bishtin e rimelit vertikalisht dhe lëri qerpikët që të bashkohen paska për të formuar disa fije më të trasha. Lyeji me një shtresë tjetër rimeli në qendër të qerpikëve për të zmadhuar disi sytë .

Pushtet dhe mister në sy

Sytë e maces së Elizabeth Taylor-it te “Cleopatra” ishin të egër dhe seksi. Qerpikët, që zgjateshin mbi anën e jashtme të syve, bënin që sytë t’i dukeshin më të vegjël dhe më misteriozë.

Në një nga sfilatat e Dior-it, make up-i u mbështet te pamja e viteve ‘60 të Taylor-it, duke shtuar dramacitetin me anë të qerpikëve fals, të vendosur rreth gjysmë centimetri poshtë vijës së poshtme të qerpikëve dhe penel gjysmë centimetri mbi vijën e qerpikëve të sipërm.

Për të krijuar një version të përshtatshëm të kësaj pamjeje, mjeshtrit e trukut këshillojnë të përqendrohemi në qerpikët e këndeve të jashtme të syve. Përdor një kthyes të vogël qerpikësh, mbaje para tharëses së ndezur të flokëve për pak sekonda për ta nxehur – për të krijuar kthesat dramatike të qerpikëve.

Lyej qerpikët me një rimel të zi intensiv – Dior ka një nuancë të thellë të së zezës – duke aplikuar një shtresë në gjithë qerpikët dhe duke i rënë disa herë në këndet e jashtme për t’i theksuar dhe zgjatur nga jashtë.

 

 

Për sy dramatikë

Sytë e Bette Davis-it ishin të famshëm për dramacitetin dhe intensitetin e tyre dhe truku i saj, që krijonte sy të mëdhenj, e bënin të bukur dhe të angazhuar. Sytë e mëdhenj të japin idenë që je e interesuar për dikë, që sinjalizon një ftesë për ata që të afrohen.

Në sfilatën e Tracy Reese, qerpikët e modeleve ishin theksuar për të krijuar volum ekstra rreth syve, pa u fokusuar mbi një zonë të caktuar: rimel i dendur në qerpikët e poshtëm dhe hije e tymtë pluhuri për të zmadhuar sytë më shumë.

 

Qerpikët e zinj bëjnë që e bardha e syve të ketë më shumë dritë, shenjë e shëndetit dhe rinisë. Në qoftë se përton që të aplikosh rimel çdo ditë, mund të përdorësh një ngjyrues që fikson qerpikët për disa ditë ose të bësh extension qerpikësh, që zgjasin disa javë.

 

Diçitura:

 

Rimel i zi Lancôme Virtuôse

Kthyes i vogël qerpikësh Shu Uemura

Rimel Dior Iconic

Fiksues qerpikësh që qëndron 4 ditë Tarte

Sigluar L.V.

September 29, 2008

ImageNuk i mungon asgjë çfarë i duhet një emri të madh: tradita, imazhi, ndjekës të famshëm, uniciteti, vlera, fama, një vend i përhershëm në majë dhe sigurisht dhe inicialet, të cilat përmbledhin suksesin: LV

 

150 vjet më vonë se ata që nisën të prodhonin dhe shisnin linjën e produkteve të lëkurës në Paris, logoja Louis Vuitton konsiderohet një “status simbol” dhe është një emër i vlerësuar në botën e modës. Materiali dhe dizenjoja e pangatërrueshme në sfondin ngjyrë kafe me lule dhe figura katërpetalëshe është krijuar në vitin 1896 nga djali i themeluesit Louis Vuitton, Georges, me qëllim për të shmangur kopjimin. U mbështet në modën e kohës për dizenjo japoneze dhe orientale. Shumë prej produkteve të kësaj firme e përdorin ende këtë material dhe dizenjo, ndërkohë që të gjitha, pa përjashtim, kanë inicialet L.V.

Si çdo firmë, dhe kjo e ka historinë dhe themeluesin. Louis Vuitton lindi 400 kilometra larg Parisit dhe në moshën 14-vjeçare u nis për në Paris. Ai e përshkoi distancën në këmbë, duke u ndalur rrugës dhe duke bërë punë të ndryshme që të përballonte udhëtimin. Në moshën 16-vjeçare punoi për një bërës çantash dhe në vitin 1854 themeloi një kompani të vetën, atë që sot, nga viti 1914, njihet si kompania konglomerat LVMH, një kompani franceze e drejtuar nga Bernard Arnault, që hapi dyqanin e parë në Paris, ku tregtoheshin më së shumti çanta udhëtimesh, që dalluan për cilësinë e mirë dhe peshën e lehtë.

Pas vdekjes së Louis Vuitton ishte i biri - dhe më pas nipi - që morën drejtimin e kompanisë, e cila filloi të hapë dyqanet e saj në mbarë botën. Më i madhi për kohën ishte ndërtesa “Louis Vuitton” në Champs-Elysees, ndërtuar në vitin 1914. Kompania i shet produktet vetëm në dyqanet e saj për të mbajtur nën kontroll cilësinë dhe çmimin, duke pasur dhe një linjë shitjeje online. Në vitin 1932 u prezantua çanta Noè, që fillimisht u krijua për të mbajtur shishet e shampanjës. 

Që të zgjerohej linja e produkteve, firma filloi ta përdorë dizenjon e famshme edhe për kuleta, çanta dhe portofola. Audrey Hepburn u shfaq me një çantë të tillë në filmin Charade. Në 1966 kompania lançoi Papillon, një çantë me formë cilindri, popullore dhe sot.

Në vitin ’97 kompania ngarkoi dizenjuesin Marc Jacobs si drejtor artistik të etiketave. Nga viti 2001, Stephen Sprouse, në bashkëpunim me Marc Jacobs, dizenjuan një linjë të kufizuar, që përmbante shkrim grafiti mbi modelin monogram. Shkruhet Louis Vuitton dhe, në disa çanta, edhe lloji i tyre: “Keepall” ose “Speedy”. Një numër çantash, që shkruhen me grafit, por që nuk kanë sfondin monogram, janë prodhuar për disa blerës V.I.P.

Në 2003-shin, Takashi Murakami, në bashkëpunim me Marc Jacobs, projektuan dizenjon e re shumëngjyrëshe të materialit të çantave. Kjo kategori përfshin dizenjon standarde, por në 33 ngjyra, përfshirë dhe atë bardhezi (klasikja është: monograma të arta në sfond ngjyrë kafe). Murakami dizenjoi dhe “cherry blossom”, në të cilin janë vendosur fytyra të qeshura kartoni në mes të luleve rozë dhe të verdha, të stampuara mbi sfondin e njohur.

 

Louis Vuitton kujdeset veçanërisht për linjën e publicitetit dhe ka angazhuar aktore e modele të famshme në fushatat publicitare.

Tradita u thye në gusht të 2007-ës, kur kompania njoftoi se ish-lideri i Bashkimit Sovjetik Gorbaçov do shfaqej në fushatën e radhës publicitare, ku do angazhoheshin dhe Steffi Graf, Andre Agassi dhe Catherine Denevue. Kompania zakonisht përdor reklama të shtypura në revista dhe billborde në qytetet kozmopolitane.

 

Imitime & Co, si t’i njohësh

Disa rregulla të thjeshta për të njohur imitimet nga produktet false

 

1) Dekori formohet nga disa radhë, sipas një rregulli, dhe përmban një lule me katër petale. Një nga imitimet më të njohura e bën lulen me 5 petale. Simboli LV zëvendësohet nga XL ose CF apo diçka e ngjashme.

 

2) Ngjyra e materialit. Po të zgjidhni Vuitton-in klasik ngjyrë kafe me elementë më të qartë, duhet të tregoheni të vëmendshëm, sepse sfondi nuk është ngjyrë kafe i shpëlarë, as si çokollatë.

 

3) Monograma ka gjithmonë një katërpetalësh, që ka brenda një lule e gjendet dhe në shiritat e tjerë (alternon rrethin me lule dhe katër-rrathëshin): poshtë vetëm lule, poshtë alternimi, në mes monograma, poshtë vetëm lule, poshtë alternimi. Kjo është një skemë fikse.

 

Po mua cila ngjyrë më shkon?

September 29, 2008

Ke flokë të zinj, biondë apo gështenjë? Lëkura jote është e çelët, e grunjtë  apo e errët? Cilat ngjyra të shkojnë më shumë duke u bazuar në ngjyrën e tipareve? Ja këshillat tona

Lëkurë dhe flokë të çelët

Nëse ke lëkurë të qartë, sy blu, të gjelbër ose ngjyrë lajthie dhe flokë biondë, të kuq ose gështenjë të qartë

Zgjidh

Blu

Të gjelbër (sidomos nëse je kuqe)

Rozë, nuancat e vjollcës

Tonet e ngjyrës së kuqe të errët

Gri

Të zezë

 

Shmang

Nuancën e verdhë

Tonet portokalli

Tonalitetet bezhë: e bardhë e pisët, shampanjë

 

Grimi

Për sa i përket trukut, zgjidh pluhurat e argjendta dhe blu. Nëse të pëlqejnë bizhuteritë, zgjidh argjendin ose arin e bardhë

 

 

Lëkurë e hapur dhe flokë të errët

Nëse ke ngjyrë lëkure të qartë dhe sy të zinj ose kafe të errët. Flokët janë të zinj ose gështenjë e errët

 

Zgjidh

Blunë e thellë

Të kuqen dhe rozën ndezur, në përgjithësi ngjyrat me shkëlqim

Të gjelbrën ushtarake

Të zezën

 

Shmang

Tonet pastel

Kafen,

Bezhën

Të bardhën

 

Grimi

Zgjidh një makijazh me ngjyra të ngrohta në ngjyrat e tokës dhe bizhuteri të arta.

 

Lëkurë ngjyrë gruri, flokë të çelët

Nëse ke lëkurë të grunjtë ose të errët dhe sy të kaltër ose të gjelbër të çelët. Flokët janë biondë ose gështenjë e hapur

 

Zgjidh

Tonet bezhë, sidomos ngjyrën shampanjë

Të gjelbrën

Tonet e kafes

Portokallinë

Të kuqen

 

Shmang

Të zezën

Ngjyrën bordeaux

Blunë e errët

Të bardhën

 

Grimi

Truku duhet të jetë kafe në të artë ose bezhë, kurse bizhuteritë të arta

 

Lëkurë ngjyrë gruri dhe flokë errët

Nëse ke lëkurë ngjyrë gruri ose të errët, sy gështenjë të hapur ose të errët, flokët të zinj ose gështenjë të errët

 

Zgjidh

Blunë, sidomos atë të errët

Jeshilen e errët

Tonet e rozës

Të zezën

Tonet gri

Portokallinë

 

Shmang

Të verdhën

Bezhën

 

Grimi

Zgjidh një makijazh të argjendtë ose blu në tone të ftohta, kombinuar me bizhuteri prej argjendi ose ari të bardhë

Next Page »